Trilogjia e përkthyer ndryshe si “ylber i dyfishtë”, Adnan Kafazi pret një finale shpresëdhënëse

18 Gusht, 2022 - 5:55 pm

Uranik Emini

Në historinë e filmave botërorë është shumë e vështirë të krijosh tre filma të suksesshëm, pra tre filma që në thelb përbëjnë një “trilogji”. Pavarësisht nga shanset e pamundura, regjisorët herë pas here ia dalin të krijojnë jo vetëm një trilogji të madhe, por edhe një film të mrekullueshëm final në një trilogji – atë që është, statistikisht, më i vështiri për t’u arritur. Duhet shpresuar gjithnjë që regjisori të mbetet aktiv dhe i angazhuar, që kasti të jetë ende i aksesueshëm dhe i kënaqur, që studioja të vazhdojë t’i ndihmojë ata dhe se çdo episod pasues është financiarisht mjaft i dobishëm për të justifikuar një tjetër. Kështu, regjisori Genc Berisha bashkë me aktorët, skenaristët e producentët po synojnë një gjë të tillë, shkruan KultPlus.

Pas “Zonjushës” dhe “Diamantit”, ky film tematikë kryesore ka rrëzimin e Adnan Kafazit nga pushteti i një gangsteri, që ka nën kontroll të gjithë qytetin. Vuqa, Bulli dhe Zagi, si të vetmit që kanë guxim ta kundërshtojnë, kështu shpjegon regjisori Genc Berisha në një intervistë për KultPlus.

Xhirimet e përfunduara

“Xhirimet kanë përfunduar dhe filmi është në procesin e montazhes. Xhirimet kanë zgjatur rreth 1 muaj në periudhën qershor-korrik. Ky film është vazhdimësi e filmave të kaluar, e të njëjtin e përcjellë zhanri dramë-krim-komedi”, thotë tutje Berisha.

Gratë – risit e reja në këtë film

“Kësaj here në film risi do të jetë pjesëmarrja e madhe e grave, të cilat edhe kalojnë nga rolet dytësore, në role kryesore. Kjo ka qenë edhe gjatë punimit të skenarit dhe ndryshimi i nevojshëm, duke e parë që në filmat e kaluar ka munguar kjo dukuri”.

“Adnan Kafazi” – filmi ideal për të mbushur plot një sallë të kinemasë

“Planet për premierën janë për në janar të vitit të ardhshëm. Edhe ky film, rrugëtimin e ka për në kinema, kështu që premiera e parë do të jetë aty. Poashtu, pritshmëritë i kam shumë të mëdhaja, që ky film ka me sjell një numër të madh të publikut në kineame. Duke e ditur që kemi një kastë të njohur të aktorëve: Armend Baloku, Besart Sllamniku, Muhamet Arifi, Dukagjin Podrimaj, Ylber Bardhi, Edona Reshitaj, Arta Mucaj, Armond Morina, Shkumbin Istrefi, Fatmir Spahiu, Xhejlane Terbunja e shumë të tjerë. Gjithashtu, edhe tema ka risi dhe befasi që presim të pëlqehet nga publiku”.

Aktorët e rinj

“Filmi “Adnan Kafazi” e ka një vazhdimësi nga Diamanti, ku përveç roleve që kanë qenë deri tani, mund të përmendi që pjesë e filmit do të jenë edhe Armond Morina në rolin e Adnanit, Arta Muçaj, Shkumbin Istrefi, Fatmir Spahiu, Rita Krasniqi,e po ashtu do të jenë edhe Majk e Dafina Zeqiri”.

Ndërkaq, producentja e skenaristja, Rita Krasniqi, njofton për KultPlus se skenari është shkruajtur nga Besart Sllamniku, Lulzim Bucolli dhe vetë ajo.

“Filmi ka përfunduar xhirimet dhe tash është në procesin e montazhës. Por akoma nuk kemi ndonjë datë të premierës saktësisht.

Filmi nga syri i aktorit

Një ndër aktorët kryesor në këtë film, Armend Baloku, ka thënë për KultPlus se filmi është xhiruar nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës, por kryesisht i fokusuar në Prishtinë.

“Xhirimet kanë shkuar mirë. Ka qenë një atmosferë pune, ku secili ka qenë në krye të detyrës. Ka qenë gjithashtu një kënaqësi me bashkëpunu me një kastë të tillë të aktorëve, poashtu më është bërë qejfi që kemi bashkëpunuar edhe një herë me Genc Berishën, Besart Sllamnikun, si dhe Rita Krasniqin”.

Finalja e madhe shpresëdhënëse

“Besoj se do të kemi një film interesant, duke u bazuar në imagjinatën e Besart Sllamnikut, i cili mendoj se ka bërë një punë të shkëlqyer. Besoj se njerëzit do ta pëlqejnë. Gjithashtu shpresoj se kur ta shohim premierën të kënaqemi edhe ne duke e shikuar. Shpresojmë për një finale të mirë”, përfundon ai.

Ashtu si struktura me tre akte e një drame, libri ose filmi, një trilogji përfaqëson tre pjesë të një historie në tërësi. Një fillim, një mes dhe sigurisht një fund. Një trilogji, e thënë siç duhet, mund të përmirësojë një histori, të mbajë audiencën në terësi dhe t’i japë më shumë thellësi sesa thjesht një vepër e pavarur. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme