“Triumph”, përveç emocioneve dhe krenarisë, solli edhe Lorik Canën në DokuFest

10 Gusht, 2018 - 6:37 pm

Alberina Haxhijaj – Prizren
Photo by Tughan Anit

Mbrëmë në kuadër të DokuFesti-të është dhënë premiera e dokumentarit “Triumph” i cili në qendër të tij ka lojtarët e kombëtares shqiptare dhe rrugëtimin e tyre në Kampionatin Evropian 2016, të gërshetuar së bashku me historinë dhe kulturën shqiptare, shkruan KultPlus.

Dhjetëra adhurues të filmit por edhe të sportit janë bërë mbrëmë së bashku në ambientin e hapur në Kino Lumbardhi për të parë premierën kombëtare të dokumentarit “Triumph”.

Filmi në fokusin e tij ka lojtarët e kombëtares, shumica e të cilëve janë fëmijë të imigrantëve të cilët kanë lënë Kosovës si pasoje e luftës që ka ndodhur, apo kanë lënë Shqipërinë si pasoje e varfërisë dhe sistemit komunistë të atëhershëm. Të rritur në vende të tjera, ka qenë Shqipëria dhe fanellat kuq e zi që i kanë bërë së bashku këta shqiptarë.

Pikërisht kjo histori dhe bashkimi i këtyre të rinjve ka nxitur edhe regjisorët Kreshnik Jonuzi dhe Luftar Van Rama që të bëjnë një dokumentar për kombëtaren.

“Mendova se sa mirë do të ishte sikur të arrija që të bëja një dokumentar për ekipin kombëtar, kjo ishte pas ndeshjes së parë me Portugalinë. E menduam këtë pasi që tek lojtarët unë dhe Luftari e shihnim vetën tonë, historinë tonë. Edhe ne jemi rritur në Amerikë duke pasur gjithmonë shumë dashuri për Shqipërinë. Lojtarët ishin njerëz të cilët janë nga vendet e tjera por që janë bërë së bashku për të bërë diçka më shumë për popullin e vet”, tregon Kreshnik Jonuzi.

Gjersa Jonuzi flet kuptohet se ai nuk është rritur në trojet shqiptare. Mirëpo, ai duke zgjedhur me kujdes fjalët në gjuhën shqipe në mënyrë që të mos gabojë në formulimin e fjalive, zgjedh fjalët më të bukura që i di dhe flet me shumë dashuri për shqiptarët.

“Emocionet e lojtarëve ishin interesant por nuk e menduam se ky dokumentar do i interesonte gjithë botës derisa ndodhi shfaqja e dronit në Beograd. Ajo ishte si vetëtimë dhe e thirra Luftarin dhe i thash: Ne duhet me e bo deri në fund këtë dokumentar dhe prej asaj natë nuk kemi shikuar asnjëherë prapa”, tregon regjisori duke e konsideruar këtë moment edhe pikën më dramatike të dokumentarit.

Më 14 tetor në vitin 2014, Shqipëria dhe Serbia u përballën në stadiumin e Partizanit në Beograd. Pikërisht kjo ndeshje shënon edhe kulminacionin e dokumentarit. Në këtë ndeshje nuk u lejua që të merrnin pjese tifozët shqiptarë ndërsa ata serb brohorisnin “Vritni, vritni, shqiptarët” dhe “Kosova është Serbi”. Gjatë ndeshjes pati incidente të shumta por kulmi arriti kur në stacion përmes dronit u valëvit flamuri i Shqipërisë etnike i cili kishte në njërën anë fotografinë e Ismail Qemailit e në tjetrën atë të Isa Boletinit, ndërsa poshtë shkruhej “Autoktonë”. Mjaftoi kjo për të nxitur akoma më shumë situatën në stadium ku me pas tifozët sulmuan edhe lojtarët shqiptarë.

Por përveç kësaj pjese çdo gjë brenda dokumentarit për 88 minuta, sa edhe zgjatë ai, të bënë që të mos i ndash sytë nga ekrani. Kjo ndodh pasi që dokumentari përveç që tregon atë që ka ndodhur gjatë ndeshjeve, shfaqë edhe emocionet dhe mendimet e lojtarëve. Ai shfaq shakat e tyre gjatë udhëtimeve, luftën e tyre në fushë për të arritur fitoren, dashurinë që kanë për njëri-tjetrin por edhe historitë e tyre personale që u bënë pjesë e këtij rrugëtimi.

“Kemi gjetur shumë mbështetje te ekipi pasi që na ndihmonin të bënim atë që ne kishim dëshirë. Prej që kemi filluar kemi xhiruar sa më shumë që kemi pasur mundësi pasi që nuk e dinim se çfarë do nxjerrim”, u shpreh Jonuzi.

Filmi sjellë histori të ndryshme duke prekur aspektet kulturore, politike dhe historike. Sipas Kreshnik Jonuzit, filmi po ashtu tregon sesi shqiptarët arrijnë diçka që para 20 vite as që kanë pasur mundësi ta imagjinonin dhe pikërisht kjo sipas tij duhet që të jetë një shtytje përpara që të punojmë edhe më shumë që pas 20 viteve të arrijmë akoma më shumë.

Filmi “Triumph” është shfaqur edhe në Varshavë, Dallas, Berlin, e vende të tjera mirëpo sipas regjisorit Luftar Von Rama, këtij filmi i kishte munguar një premierë në trojet shqiptare.

“Është shumë interesant pasi që ne pamë emocione të njerëzve nga e gjithë bota dhe ata ishin çuditur se sa emocionues ishte historia dhe sesi ky vend që shumica e tyre nuk e dini as që ekzistonte, kishte një histori të tillë. Të gjithë ata njerëz në fund kanë brohoritur për ne dhe kjo është pjesa më e mahnitshme e kësaj historie dhe jemi shumë të lumtur që jemi këtu”, u shpreh ai.

Dokumentari është bërë me vetëfinancim kurse regjisorët janë ndihmuar edhe nga komuniteti i shqiptarëve në Amerikë për të realizuar këtë film. I pranishëm në premierën kombëtare në Prizren ishte edhe ish-kapiteni i kombëtares, Lorik Cana.

Ai diskutoi me publikun dyshimet që kishin pasur gjatë këtij rrugëtimi dhe sesi nuk kishin menduar se do të arrinin aq sa kana rritu. Mirëpo sipas tij pikërisht kjo arritje do të shërbej si shtytje që çdo herë të kërkojnë më shumë.

“Është për tu duartrokitur mënyra sesi regjisorët kanë arrit t’i përçojnë mesazhet. Ata kanë qenë me fat që kanë arritur të pranohen brenda ekipit kombëtar në të cilin ne jemi të izoluar, jo sepse nuk dëshirojmë që të shfaqemi por sepse duhet të jemi të përqendrua në detyrën tonë. Ata kanë pasur mundësi që ti ndajë këto momente dhe ta arkivojë një histori të sportit dhe të vendit tonë dhe kjo e bënë këtë mundësi të jashtëzakonshme dhe për mendimin tim kjo është bërë shumë, shumë mirë”, theksoi Cana i cili pranoi edhe një dhuratë nga tifozët Kuq e Zi të Prizrenit.

Në ‘Triumph’, bëjnë pjesë personazhe si Lorik Cana, Gianni DeBiasi, Paolo Tramezzanni, Shkëlzen Gashi, Blendi Fevziu, Dritan Shakohoxha, e të tjerë./ KultPlus.com

Të ngjajshme