7 Gusht, 2025 - 5:00 pm
Turqia ka finalizuar një film që trajton një nga ngjarjet më të ndjeshme dhe tronditëse të viteve të fundit në Kosovë – sulmin terrorist në Banjskë, të kryer nga grupe paramilitare serbe më 24 shtator 2023.
Filmi mban titullin “Në Errësirën e Diellit – Kosova” dhe pritet të shfaqet premierë më 5 shtator 2025 në kinematë e Turqisë, e më pas edhe në Kosovë dhe në vende të tjera të Ballkanit.
Ky prodhim kinematografik vjen si bashkëpunim mes profesionistëve të njohur të industrisë së filmit në Turqi, dhe synon të sjellë në ekran një rrëfim dramatik, emocional dhe vizualisht të fuqishëm për ngjarjen që tronditi opinionin publik, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë, përcjellë KultPlus.com
Detajet rreth kastës dhe skenarit mbahen ende konfidenciale, por thuhet se filmi do të fokusohet në historitë njerëzore brenda ngjarjes, pasojat në nivel shoqëror dhe politik, si dhe mesazhin për qëndresë dhe drejtësi.
Ky është një nga filmat e parë ndërkombëtarë që trajton drejtpërdrejt një ngjarje kaq të afërt dhe të dhimbshme për Kosovën, duke shënuar edhe një kapitull të ri në mënyrën se si arti dhe kinematografia reflektojnë mbi konfliktet dhe traumën kolektive./KultPlus.com