27 Gusht, 2025 - 9:25 pm
Nga Albert Vataj
Kaq shpejt kalon koha. U bënë 24 vite që kur një njeri i mirë dhe një zë unik i artit skenik, u këput, për të mbetur si një shkreptimë drite në eterin e fjalës së veshur me shpirt, dhe shpirtin e personazheve të ngopur me zemrën që rrahu në ato gjokse, që ai solli në jetë për të merituar përjetësinë njëherash me ta.
Ka ikje që nuk shuhen, por mbeten si një rrymë e padukshme që frymon brenda nesh. Ka zëra që heshtin, por heshtja e tyre bëhet jehonë më e fortë se çdo fjalë. Kështu është kujtimi për Vangjush Furxhin, aktorin e dilemave njerëzore, njeriun e skenës që nuk i dha vetëm trup rolit, por shpirtin, syrin, zemrën.
Lindi në Korçën e tingujve dhe librave, në qytetin ku fjalët kanë ngrohtësi dhe muzika ka kujtesë. Prej andej e mori butësinë dhe fisnikërinë, por ishte vetë ai që u bë themeli i një arti që nuk e pranoi kompromisin. Në skenën e Teatrit “Andon Zako Çajupi”, Vangjush Furxhi nuk aktronte, ai jetonte. Çdo rol që ai prekte bëhej mish i tij, çdo fjalë merrte peshë të re, çdo heshtje ndriçohej prej syrit të tij që fliste më shumë se një monolog i gjatë.
Në ekran mbeti si një figurë e rrallë. Arifi i Tetit në bronx, Peliçeli i Maleve me blerim mbuluar, Besian Vorpsi i Të paftuarit, Latif Bora i Agimeve të stinës së madhe. Të gjithë këta ishin vetëm maska të përkohshme mbi një të vërtetë të madhe: vetë Vangjushi, që dinte t’u jepte peshë dilemave të njeriut të zakonshëm, dinte ta kthente shikimin në dritë, buzëqeshjen në thikë, heshtjen në thirrje. Syri i tij ishte më shumë se një mjet skenik: ishte pasqyrë e jetës, vend ku vuajtja dhe gëzimi takoheshin si dy rryma që nuk mund t’i ndaje.
Por ai nuk ishte vetëm aktor. Ishte mësues, krijues, mbrojtës i artit. Në Institutin e Lartë të Arteve, ku themeloi katedrën e regjisurës, ai nuk u dha studentëve vetëm dije teknike, u dha edhe ndjeshmëri, etikë, një kulturë të përjetimit. Më vonë, si drejtues dhe si shërbyes i artit në institucione, nuk e përdori kurrë pushtetin për të shtypur, por për të mbrojtur. Sepse arti për të nuk ishte dekor i kohës, por frymë që i përkiste gjithmonë të ardhmes.
Titulli “Artist i Popullit” nuk ishte kurorë mbi krye, por barrë mbi supet e tij. Ai nuk e mori si shpërblim, por si detyrim. Dhe e mbajti me të njëjtën thjeshtësi me të cilën dilte në skenë: pa kërkuar duartrokitje, por duke dhënë gjithçka.
Dhe sot, në këtë 24-vjetor të ndarjes së tij nga jeta, nuk e kujtojmë për të vajtuar, por për t’i thënë faleminderit. Për rolet që na mësojnë të jemi të vërtetë. Për syrin që foli kur fjala nuk mjaftonte. Për thjeshtësinë që e bëri madhështor.
Në heshtjen e kësaj dite, ndezim një dritë në mendje e në shpirt, dhe e shohim Vangjushin jo si të shkuar, por si një prani të pandashme të kulturës sonë. Sepse arti i tij nuk vdes, ai thjesht shndërrohet në frymëmarrjen tonë kolektive, në kujtesën që nuk shuhet.
Më fal, Vangjush Furxhi, që nuk njihje djallëzi, që nuk bëre pazare me shpirtin, që nuk e shite artin për duartrokitje, do të shkruante Mevlan Shanaj në librin e tij, “Të fshehta jashtë ekranit”.
Prandaj, edhe pse hesht, zëri yt jehon. Edhe pse nuk je mes nesh, arti yt frymon. Dhe kjo është pavdekësia.
Dhe kështu, në heshtjen që flet me zërin e artit, Vangjush Furxhi mbetet jo thjesht një kujtim, por një dritë e pashuar që ndriçon çdo skenë, çdo ekran, çdo zemër që di të dëgjojë me shpirt. Ai nuk iku, ai u shndërrua. U bë frymë, u bë sy që na vështron nga përtej, u bë thirrje e heshtur për të qenë të vërtetë në atë që bëjmë. Në çdo rol që mishëroi, në çdo nxënës që frymëzoi, në çdo hap që mbrojti artin, ai la një vulë që koha nuk e fshin dot.
Në 24 vite mungesë fizike, prania e tij është bërë më e plotë: një jehonë që nuk shuhet, një shkrepëtimë që nuk tretet. Dhe ky është privilegji i pakujtdo, por vetëm i atyre që e jetuan artin si sakrificë dhe e lanë trashëgimi si amshim.
Vangjush Furxhi nuk është një emër i së shkuarës. Ai është një frymë e së tashmes dhe një zë i përjetshëm i artit shqiptar. Dhe kështu do të mbetet, derisa të ketë sy që shohin dhe zemra që ndiejnë.