“Venom 2” bëhet me regjisor

8 Gusht, 2019 - 12:00 pm

Kohët e fundit, në internet filluan të qarkullojnë thashethemet se tre regjisorë janë në rrethin e ngushtë për ta marrë rolin regjisorial për vazhdimin e parë të filmit “Venom”.

Andy Serkis, Travis Knight dhe Rupert Wyatt ishin kandidatë për atë pozitë, ndërsa tani zyrtarisht e dimë se Andy Serkis do të jetë regjisori i “Venom 2”.

Tom Hardy, ylli i filmit i cili ishte një hit absolut vitin e kaluar, tashmë e kishte bërë të ditur përmes rrjeteve sociale se Serkis do të ishte regjisori i ri i “Venom”, por të gjitha ato postime u fshinë menjëherë. Tani më në fund e kemi konfirmimin zyrtar nga vetë Serkis.

Regjinë e filmit origjinal e kishte bërë Ruben Fleischer, por ai aktualisht nuk ka kohë për vazhdimin, sepse po punon në vazhdimin e ri të “Zombieland”.

Ngjarjen e filmit të ri nuk e dimë ende, por presim që vazhdimi të bëjë fjalë për fatkeqësitë e gazetarit Eddie Brock (Hardy) dhe simbiotit jashtëtokësor, i cili njëkohësisht i jep atij fuqi të mëdha dhe pak përgjegjësi. Në vazhdim e presim tregimin që do të bëjë fjalë për Venomin dhe Cletus Kasady aka Carnage, të cilin e kishim parë në fund të filmit të parë, dhe të cilin e luan Woody Harrelson.

Për vazhdim e presim edhe kthimin e Michelle Williams, ndërsa filmi në kinema do të shfaqet në tetor të vitit të ardhshëm. /KultPlus.com

Të ngjajshme