‘Vera Andrron Detin’ fiton dy çmime të mëdha në festivalin në Gjenevë

12 Mars, 2022 - 9:05 pm

“Vera Andrron Detin” ka fituar dy çmime në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit dhe Forumin për të Drejtat e Njeriut që po mbahet në Gjenevë, shkruan KultPlus.

Dy çmimet që i ka fituar kanë të bëjnë me çmimin më të lartë në pjesën e filmave më të mirë ndërkombëtar dhe çmimin e jurisë për të rinjtë.

“Falenderojmë festivalin, jurinë dhe publikun e jashtëzakonshëm për këtë vlerësim! Dhe Gjenevë, shpresojmë të shihemi së shpejti përsëri”, shkruhet në njoftimin e tyre në “Facebook”.

Në film përditshmëria e qetë e Verës çrregullohet nga vetëvrasja e papritur e burrit të saj që hapë rrugë për një paradë të padëshiruar kërcënimesh nga kushërinjtë që pretendojnë të kenë pronësi mbi shtëpinë e familjes së tyre në fshat. Kur tendencat e një skeme të nëntokës fillojnë të dalin në pah, bota e Verës përballet me rreziqe të cilat duket se do ta fundosin atë. Frika dhe mosbesimi, shtyjnë Verën të marrë fatin e familjes në duart e saj.

E zhytur në një atmosferë të tensionuar, “Vera Andrron Detin” është një portret intim por edhe universal i një gruaje e cila lufton një realitet të vrazhdë pabarazisë gjinore thellë të rrënjosura në shoqëri edhe në ditët e sotme’.

Në film luajnë: Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, etj. Drejtoreshë e fotografisë: Sevdije Kastrati; Producent: Shkumbin Istrefi.

Vera andrron detin’ është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Puntoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions) i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë – Shqipëri. / KultPlus.com

Të ngjajshme