8 Maj, 2025 - 3:55 pm
Në edicionin e 70-të të çmimeve “David di Donatello” në Itali, filmi “Vermiglio” i Maura Delpero fitoi çmimin “Filmi dhe Regjia më e Mirë”, duke shënuar një fitore historike për një regjisore, sipas “Deadline”.
Gjithashtu, aktori i njohur amerikano-francez, Timothee Chalamet mori nje çmim nderi “David Di Donatello” për “Ekselencë Kinematografike”.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve u zhvillua dje në mbrëmje në “Teatrin 5” të studiove “Cinecittà”, në Romë.
Delpero është gruaja e parë që fiton çmimin “David di Donatello” për “Regjinë më të Mirë” në historinë e çmimeve – dhe regjisorja e tretë që fiton për “Filmin më të Mirë”.
Filmi mori gjithsej, shtatë çmime “David di Donatello”, të cilat përfshinin “Skenarin më të Mirë Origjinal”, “Kastin më të Mirë”, “Producentin më të Mirë”, “Kinematografinë më të Mirë” dhe “Zërin më të Mirë”.
Ngjarjet e “Vermiglio” sillen rreth një familjeje në një fshat të largët malor në vitin 1944 – jeta e së cilës ndërpritet nga mbërritja e një ushtari të braktisur.
Filmi me metrazh të gjatë u shfaq si premierë në Venecia dhe fitoi Çmimin e Madh të Jurisë “Luani i Argjendtë” dhe ishte kandidat për çmim “Oscar” 2025.
Komedia muzikore e Margherita Vicario “Gloria!” – fitoi çmimet për “Filmin më të Mirë Premierë” dhe “Kompozimin dhe Këngën më të Mirë”.
Filmi, i cili u shfaq në Berlin në vitin 2024, zhvillohet në Venecia – në fund të viteve 1700 dhe sillet rreth një jetimoreje dhe një Konservatori të Muzikës për vajza – ku vajzat e reja trajnohen sipas standardeve më të larta, por u mohohet e drejta për të shkëlqyer në botën e gjerë.
“The Art of Joy” e Valeria Golino gjithashtu fitoi çmimin për “Aktoren më të Mirë” (Tecla Insolia), “Aktoren më të Mirë Mbështetëse” (Valeria Bruni Tedeschi) dhe “Skenarin më të Mirë të Përshtatur”.
Drama pasqyron një grua të lindur në rrethana modeste në Siçili në vitin 1900, e cila vazhdon jetën në një manastir dhe më pas krijon një vend në një familje aristokratike – duke arritur lumturinë dhe emancipimin.
Drama në gjuhën frënge e Gianluca Jodice, “The Flood” – me aktorët Guillaume Canet dhe Melanie Laurent në rolet e Louis XVI dhe Marie Antoinette fitoi çmimet për “Regjinë më të Mirë Artistike”, “Kostumet”, “Grimin dhe Stilimin më të Mirë i Flokëve”. /atsh/ KultPlus.com