Vitet e 90-ta vijnë për herë të parë përmes ekranit kinematografik, “Nëntori i ftohtë” kthehet para audiencës së tij

16 Nëntor, 2018 - 5:23 pm

Sarandë Selimi

Lufta e fundit në Kosovë, nuk ka nisë atëherë kur qytetarët kosovarë morën pushkën dhe dolën ta mbronin territorin e tyre. Nuk ka nisë me masakrat, sepse ato masakra për një mendje të shëndoshë tregonin thuajse fundin e luftës dhe spastrimin etnik të shqiptarëve nga Kosova. Ajo ka nisë shumë më herët. Pa një pushkë në dorë. Pa një uniformë të UÇK-së e pa asgjë tjetër, dhe një gjë të tillë deri më sot nuk e kemi hasë të dokumentuar përbrenda ekranit kinematografik, shkruan KultPlus.

Fadili (Kushtrim Hoxha), një burrë i ndershëm jeton në një banesë me gruan Hanën (Adriana Matoshi), dy fëmijët e tij Lumin (Lum Bajgora) e Andrrën, dhe me babanë Muhamedin (Bislim Muçaj).

Babait të Fadilit, Muhamedit ndërmarrja jugosllave ku kishte punuar ia kishte dhënë banesën dhe po ashtu ia kishin marrë djalin në punë. Aty ku i ati kishte punuar, tash punonte Fadili. Në atë ndërmarrje punonin edhe shumë kosovarë të tjerë, ndërsa një ditë të ftohtë nëntori, kur Fadili shkon në punë, kupton nga kolegia e tij se drejtori është ndërruar dhe në krye të ndërmarrjes tashmë ka ardhë Nikolla (Emir Hadzihafizbegovic).

Me ardhjen e Nikollës, vijnë edhe fotografitë me Sllobodan Millosheviqin në gjithë ndërmarrjen. Punëtorët kosovarë nisën të mos i bëjnë më ballë regjimit dhe lënë punën që të gjithë, përpos Fadilit. Të gjithë thuajse kishin nga një zanat tjetër me të cilin do të mbijetonin, e Fadili jo. Fadili kishte kitarën dhe këngët, sa të mira aq edhe të dhimbshme (të Jerichos). “Nëntori i Ftohtë” është kënga me të cilën nisë filmi e jo rastësisht edhe vetë filmi ka marrë këtë emër.

Me tekst të Arian Krasniqit dhe Ismet Sijarinës, regji nga Ismet Sijarina e producent Fatmir Spahiu, pas premierës ndërkombëtare në festivalin prestigjioz San Sebastian dhe triumfit në Zurich Film Festival dhe Bosphorus Film Festival, “Nëntori i ftohtë”, sjellë nëntorin e ftohtë të viteve të 90-ta, në vendin e tij, tek njerëzit e tij aty ku ky film mori jetë nga një jetë jo e lehtë e asaj kohe.

“Kam kënaqësinë që këtë film sot po e shfaqim para audiencës së vet, para audiencës së cilës i takon 100%. Ky film është punuar me pak para e me shumë dashni”, tha sot para mediave, pas premierës për medie të filmit të metrazhit të gjatë, të përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, producenti, pa të cilin siç tha regjisori ky film sot nuk do të ishte, Fatmir Spahiu.

“Nëntori i ftohtë”, solli temën që asnjëherë nuk është prekur nga regjisorët kosovarë, edhe pas plotë 19 vitesh nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë. “Nëntori i ftohtë”, solli mbijetesën e një familje të ndershme nga akuzat e shumta. Përveç që Fadili mori titullin shpihun dhe tradhtarë, pasi që, ai vendosi të qëndrojë në punë duke pas parasysh që duhej ta mbante familjen me bukë, e gjithë familja mori këtë titull. Bashkëqytetarët e tij, nuk hezituan që çdo ditë që Fadili shkonte në punë, të dilnin, ta shanin, ta gjuanin me vezë dhe thjeshtë t’ia bënin të pamundur edhe mbijetesën, duke mos e pasur idenë se pse Fadili vazhdoi të qëndrojë në punë.

Nuk ishte vetëm që ta mbante familjen me bukë. Fadili donte që atë ndërmarrje mos ta merrnin të tërën serbët. Por, nga akuzat e shumta, ai u detyrua të kërkojë dorëheqje, e cila i kushtoi me kërcënime të shumta nga Nikolla, dhe nga aty nis një ‘luftë’ e tmerrshme me Fadilin.

“Tematikisht është një periudhë që nuk është trajtuar hiq në kinematografinë kosovare, ajo e viteve të 90-ta. Si një përkufizim, me një fjali është një rrëfim i vogël për një dramë të madhe të popullit tonë, si në aspektin politik, social e psikologjik që ka ndodhë në ato vite. Ne me regjisorin dhe bashkë skenaristin Ismet Sijarinën, kur e kemi nisë skenarin kemi qenë të sigurt që po tregojmë një rrëfim të veçantë në mënyrën tonë e këtij rrëfimi i janë bashkëngjitë edhe njerëzit e tjerë për ta bërë të mundur atë që sot e keni parë. Emocionet janë të veçanta për mua sonte”, u shpreh skenaristi Arian Krasniqi.

Një film që vjen me një realizim të kompletuar, e solli regjisori Ismet Sijarina. Ai u shpreh sot i lumtur me gjithë këtë punë që është bërë. Ndërsa tregoi se gjithë këto janë fragmente nga fëmijëria e tij.

“Këto janë fragmente nga fëmijëria ime që i kam mbajtur në mend, pastaj bashkë me Arianin i kemi shkruar i kemi realizuar dhe i kemi kthyer në një film. Puna ime ka qenë të flas përveç filmit me audiencën dhe shpresoj që filmi ka komunikuar. Nuk kam pasur stres në krejt këto premiera që i kemi pasur jashtë shtetit por me audiencë lokale nuk është që po ndihem shumë komod”, pohoi regjisori, duke vazhduar t’i sqarojë protestat të cilat i ka futur edhe në film, si ato me çelësa dhe me pjata.

“Ato kanë qenë protesta në 90-91. Me çelësa kanë qenë protestat sinonim i asaj që jemi të izoluar, të mbyllur si në një burg kolektiv, ndërsa me pjata për një tavolinë të zbrazët pa bukë. Këto kanë qenë protesta shumë kreative të kohës, që janë një dis i madh për protestat banale të kohës së sodit. Ajo tregon që Prishtina ka qenë shumë ma kreative se sa është sot”, u shpreh regjisori Sijarina.

Sot, para mediave ishin edhe një pjesë e aktorëve që jetësuan këtë rrëfim. Adriana Matoshi, May-Linda Kosumoviq, Lum Veseli, Fatmir Spahiu. Aktorët u shprehën të kënaqur me krejt punën që është bërë, ndërsa disa prej tyre, po presin premierën zyrtare që është sonte në Cineplexx me fillim nga ora 20:00.

“Nëntori i Ftohtë” na sjellë kastën e aktorëve si: Kushtrim Hoxha, Adriana Matoshi, Fatmir Spahiu Bufi, Emir Hadzihafizbegovic, Gordana Boban, May-Linda Kosumovic dhe Lum Veseli. Drejtor Fotografie – Sevdije Kastrati, Montazher – Vladimir Pavlovski, Muzika – Jericho.

“Nëntori i Ftohtë”, që nga nesër do të jetë në repertor të rregullt të kinemasë Cineplexx e po ashtu do të shfaqet edhe në Dokukino në Prizren. Projekti filmik “Nëntor i Ftohtë, është produksion i shtëpive filmike Thumbs Up dhe Buka në bashkëprodhim me Albasky Film, AUDIOHAUS dhe Ikone dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë./ KultPlus.com

Të ngjajshme