Vjosa përkujtohet përmes filmit të saj

24 Qershor, 2022 - 3:27 pm

Me një minutë heshtje filloi nata e mbrëmshme e Javës së Filmit Kosovar në Mitrovicë.

Ani pse programi i Javës së Filmit Kosovar është publikuar kohë më parë, e që mbrëmë do duhej shfaqur filmi “Cirku Fluturues”, lajmi i hidhur që erdhi me mëngjes mbi humbjen e producentes dhe menaxheres së njohur Vjosa Berisha trondit të gjithë e kështu ndodhi edhe me organizatorët e Javës së Filmit Kosovar..

Që në hapje të programit u mbajt një fjalim përkujtimor mbi veprimtarinë e saj, si dhe në nderim të saj u mbajt një minutë heshtje nga të pranishmit.

“Vjosa na la po këtë ditë, kur në rrethana tjera do ishte para audiencës duke bashkëbiseduar mbi filmin dhe veprimtarinë e saj”, u tha nga organizatorët.

Megjithatë, ajo mbrëmë ju “foli” të gjithëve përmes punës së saj të palodhshme, përmes të qenurit prapa kamerave dhe ekipit realizues, përmes imazheve e dialogut të filmit i cili mbajti gjallë interesimin e audiencës për dy orë rresht. Nën të qeshura e lotë, “Cirku Fluturues” i prodhuar nga zelli e pasioni i saj, do mbetet krijim artistik i paçmueshëm i kinematografisë kosovare, xhevahir më vete në xherdanin e filmave të suksesshëm shqiptar. / KultPlus.com

Të ngjajshme