Me “Yjet e së ardhmes” u festuan 18 vite jetë të Kinemasë ABC

25 Maj, 2018 - 2:31 pm

Alberina Haxhijaj

Aktori i ndjerë Istref Begolli, 18-të vite më parë kishte inauguruar Kinemanë ABC në kryeqytet. Kinema kjo e cila gjatë këtij rrugëtimi ka sjellë premiera, debate dhe punëtori të shumta, çdo herë duke nxitur zhvillimin e kinematografisë, shkruan KultPlus.

Shënimi i vitit të 18-të të kësaj kinemaje bëri së bashku ata që janë të dhënë pas kinematografisë dhe që e kanë për zemër këtë kinema, të vendosur në qendër të qytetit. Kinemaja ABC, vazhdon të sjellë premiera të shumta dhe mbetet vendtakim për të pasionuarit për filma. Gjithashtu edhe përkrahëse e madhe për promovimin e artistëve, me theks të veçantë kinematografisë shqiptare.

Drejtoresha Miradije Vllahiu, u shpreh se ky është viti i 18-të që rrugëtojnë bashkë përmes sfidave, rënieve dhe ngritjeve. Një përpjekje e përbashkët për t’i qëndruar besnik vlerave të kinematografisë dhe një ecje e pandalur për të dëshmuar traditën e kinemasë.

“Në këtë 18-vjetor Kinemaja ABC ka mbajtur një ritëm me botën. Ka shfaqur 847 filma edhe hollivudian, evropian, ata nga rajoni dhe mbi të gjitha filma shqiptarë. Ky nuk është fundi; qindra filma të tjerë janë shfaqur në kuadër të aktiviteteve të llojllojshme, të javëve të filmave të realizuar qoftë me misionet diplomatike ose edhe me autorë të tjerë dhe dhjetëra festivale”, u shpreh ajo gjersa theksoi se zgjedhja e këtij filmi është bërë për të dëshmuar vazhdimin e përkrahjes ndaj kinematografisë shqiptare.

Tutje ajo tha se Kinemaja ABC është vendtakim i të gjithë atyre qe e duan filmin dhe rrugëtuan me të, ndërsa vendi i Kinemasë ABC është i pazëvendësueshëm, pavarësisht rrjedhave të sotme dhe sfidave.

Ky përvjetor u shënua me premierën e filmit të metrazhit të gjatë “Yjet e së ardhmes”, të regjisorit Edmond Topi. Filmi ky i cili solli të qeshura në sallën e kinemasë gjersa shpalosi historinë e Robit (40 vjeç) që është një artist i “pashpërthyer” akoma.

Ai prej vitesh bën muzikë por ende nuk është bërë i njohur. Mendon se kjo mundësi do t’i krijohet nëse së bashku me formacionin e tij muzikor “Zjarri” arrin të fitojë konkursin kombëtar “Yjet e së ardhmes”. Por asgjë s‘shkon sipas planit.

Për të bërë prezantimin e kësaj premiere fjalën e mori Mirela Oktrova e cila u shpreh se kjo mbrëmje është një festë e miqve të kinemasë.

“Për produksionin “Yjet e së ardhmes” është një privilegj që ta prezantojmë filmin pikërisht këtu sot dhe më rastin e 18-të vjetorit të Kinemasë ABC. Prandaj gëzuar ditëlindjen, më sa më shuam produkte cilësore nga bota shqiptare. Faleminderit shumë për mirëpritjen pasi që këtu në kinema dhe çdo kund tjetër në Prishtinë, ndjehemi gjithmonë si në shtëpi, prandaj do të vazhdojmë që të rikthehemi”, tha ajo.

Në kastën e aktorëve bëjnë pjesë: Gazmend Paja, Tinka Kurti, Reshat Arbana, Margarita Xhepa, Luftar Paja, Elia Zaharia, Ema Andrea, Karafil Shena, Sadush Ylli… nga dita e premte 25 maj, filmi “Yjet e së Ardhmes” shfaqet çdo natë në ora 20:00./ KultPlus.com

Të ngjajshme