‘’Zana’’, filmi që ndesh të ardhmen me të kaluarën përmes dy fateve tragjike

20 Shtator, 2019 - 4:25 pm

XhemileHysenaj

Filmi ‘’Zana’’, me regji të Antoneta Kastratit, trajton një temë delikatë përmes personazhit të një gruaje e cila ka humbur një pjesë të madhe të vetes gjatë luftës në Kosovë, për të mos thënë krejtësisht vetveten.

Pasojat e luftës së fundit në Kosovë, vërehen edhe sot e kësaj dite, vikimat e saj, disa të fshehura e për të mos u shpalosur kurrë e disa prej tyre të shpalosura për të mos u trajtuar kurrë në mënyrën e duhur, shkruan KultPlus.

Lufta ka përfunduar, një përfundim sipërfaqësor që luftën e vërtetë vetëm e ka filluar dhe e ka lënë në mesin më të keq të mundshëm.

‘’Zana’’, trajton fatin e disa personazheve që edhe pse të lidhur ngusht me njëri tjetrin, funksionojnë ndaras në dhimbjen e përbashkët.

Një burrë, fëmija i të cilit është mbytur në luftë, personazhi i të cilit ka ngecur në mes dhimbjes për fëminë e humbur, nënës si autoritet dhe gruas që e dashuron aq shumë. Në anën tjetër një grua e cila ka harruar të jetë njeri ose të paktën të funksionoj si e tillë. Dhe vjehrra e saj, e cila sikur të mos ishte në dijeni për përjetimet e nuses së djalit të saj, merr të gjitha vendimet për fatet  e jetën e këtyre dy të fundit.

Kur dhimbja, trauma, mendësia patriarkate, vuajtjet e sakrificat bien të tëra mbi kokën e dikujt që ka përjetuar humbjen më të madhe që një njeri mund të përjetojë, atë të fëmijës, dhe edhe pse në film personazh kryesor, fati i saj brenda familjes trajtohet si dytësor.

Një film plot emocion, që pa doreza tregon mendësinë patriarkate që akoma mbizotëron në vendin tonë. Ku fati i gruas është në dorën e të gjithëve, përvecse në duart e saj, ku vlera e saj si njeri matet me faktin e të qenurit apo të mos qenurit nënë.

Antoneta Kastrati, në raport me personazhin kryesor, të realizuar aq mirë nga Adriana Matoshi, për KultPlus potencoi se Adriana ka një fytyrë paqësore të butë, por që aty fshehet një agresivitet që nuk vihet shumë re.

‘’E kam hetuar në fillim, kur Adriana e ka lexuar skenarin, se kjo është e duhura për këtë personazh, deklaroi më pas Kastrati.

Kastrati gjatë konferencës për media, u shfaq e kënaqur për punën e realizuar nga aktorët dhe i gjithe stafi. ‘’Kam dashur të tregoj atë pjesën e pasluftës që nuk shihet. Në kulturën tonë, e humb vlerën si grua, nëse nuk bën fëmijië, ka shumë presion për të qenë nënë’’, pohoi ajo.

Adriana Matoshi, që në këtë rol erdhi më ndryshe nga ajo që jemi mësuar ta shohim, një grua me një hije melankolike mbi fytyrën e saj, gjatë gjithë kohës.

Ajo tregoi për vështirësitë e realizimit të rolit të saj, mirëpo pohoi të jetë ndarë e kënaqur me realizimin e tij. ‘’Është njëri prej roleve më të vështira që kam realizuar deri tani, mirëpo, edhe më i dashuri. Parase të fillojmë me xhirime, unë bashkë më Antonetën kemi shkuar të varrezat dhe ajo ma ka treguar të gjithë ngjarjen e familjes së saj.’’, deklaroi ajo.

Sevdije Kastrati, producentja e filmit, u shpreh se, në momentin që e kishte lexuar skenarin, e kishte parë edhe filmin.

‘’Ky film ka një rëndësi të madhe, është I inspirruar nga një ngjarje e vërtetë, prej jetës tonë private. Ajo cka trajtohet në film është shumë me rëndësi, sepse fakti që ke humbur, është në dorën e gruas se a dëshiron të ketë fëmijë prapë apo jo’’, vazhdoi më pas ajo.

Filmi ‘Zana’ do të filloj të shfaqet nga data 20 shtator në Cineplexx.

Mbështetësit kryesorë financiarë të filmit janë Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare e Kinematografisë (Shqipëri), Panavision New Fimmaker Grant, SFFILM Rainin Grant, Light Iron dhe komuna e Pejës.

Producent i filmit ZANA është Casey Cooper Johnson dhe bashkëproducentē Sevdije Kastrati me Crossing Bridges Films (Kosovë), Dritan Huqi me On Film Production (Shqipëri), dhe Miguel Govea dhe Brett Walker nga Alief. Në rrolet kryesore luajnë Adriana Matoshi, Astrit Kabashi, Fatmire Sahiti, Mensur Safqiu, Vedat Bajrami, Irena Cahani, Shengyl Ismajli, Çun Lajçi, Ilire Vinca etj./KultPlus.com

Të ngjajshme