17 Korrik, 2025 - 11:00 am
Autoritetet në Pensilvani kanë dhënë detaje të reja për hetuesin paranormal që papritmas u gjend i pajetë gjatë një turneu ku po ekspozonte kukullën e famshme Raggedy Ann, të njohur si “Annabelle” dhe e cilësuar si e pushtuar.
Dan Rivera, 54 vjeç, hetues kryesor për Shoqatën e Kërkimeve Psikike të New England me bazë në Connecticut, vdiq të dielën më 13 korrik gjatë vizitës së tij në Gettysburg, si pjesë e turit “Devils on the Run”.
Sipas raportit të Policisë së Shtetit të Pensilvania-s, Rivera kishte njoftuar kolegët më herët gjatë ditës se ndihej keq dhe ishte kthyer në dhomë për të pushuar, përcjellë KultPlus.
Turneu ku Rivera po merrte pjesë quhej “Devils on the Run”, një seri eventesh kushtuar historive dhe objekteve paranormale. Ndalesa në Gettysburg përfshinte prezantimin e kukullës Annabelle, një kukull klasike e stilit Raggedy Ann, që sipas legjendave urbane, është e pushtuar nga një entitet keqdashës.
Kukulla Annabelle është pjesë e historisë së njohur të Ed dhe Lorraine Warren, hetuesve të njohur të fenomeneve paranormale, të cilët në vitet ’70 deklaruan se kukulla ishte burim i aktiviteteve të rrezikshme dhe misterioze. Ajo aktualisht mbahet në një kuti të mbyllur xhami, në muzeun privat të familjes Warren.
Dan Rivera kishte më shumë se 10 vite përvojë në fushën e hetimeve paranormale dhe ishte pjesë e New England Society for Psychic Research (NESPR), organizata e themeluar nga vetë Warrens. Ai ishte gjithashtu një figurë shumë e ndjekur në TikTok dhe producent këshillues në serialin e Netflix “28 Days Haunted”.
Në një deklaratë për publikun, NESPR u shprehën të tronditur nga humbja:
“Dan ishte jo vetëm një pjesë thelbësore e ekipit për më shumë se një dekadë, por edhe një mik i dashur, me integritet të lartë dhe pasion të sinqertë për të ndihmuar të tjerët. Ai ndikoi shumë njerëz përmes punës së tij, qoftë në terren, në evente apo përmes rrjeteve sociale.”
Shoqata konfirmoi se eventet e planifikuara për pjesën tjetër të vitit do të vazhdojnë, në nderim të punës dhe pasionit të Rivera-s:
“Ne besojmë fort se Dan do të kishte dashur që puna të vazhdonte, për të bashkuar njerëz, për të ndarë njohuri dhe për të mbajtur gjallë trashëgiminë e familjes Warren.”/KultPlus.com