15 Korrik, 2025 - 10:30 am
Pas muajsh spekulimesh dhe diskutimesh të nxehta në rrjet, drejtuesit e Amazon dhe MGM kanë ngushtuar listën për aktorin që do të marrë rolin ikonik të James Bond. Sipas burimeve të Variety dhe DailyMail, në garë kanë mbetur vetëm tre emra: Jacob Elordi, Tom Holland dhe Harris Dickinson.
Të tre aktorët janë të rinj, të talentuar dhe me eksperiencë në projekte të mëdha, ndërsa përzgjedhja fokusohet në aktorë britanikë nën moshën 30 vjeçare. Megjithatë, edhe pse australian, Elordi vazhdon të konsiderohet një kandidat i fortë për rolin e agjentit sekret 007.
Filmi i ri do të drejtohet nga regjisori i njohur Denis Villeneuve (Dune, Blade Runner 2049), i cili e ka cilësuar këtë projekt si një nder dhe përgjegjësi të madhe. “Kam dashur gjithmonë Bond-in që në fëmijëri, është një ikonë që meriton një kapitull të ri spektakolar,” është shprehur ai.
Pas largimit të Daniel Craig, producentët e rinj Amy Pascal dhe David Heyman po përpiqen të sjellin një qasje të freskët, ndërkohë që Amazon ka marrë kontrollin krijues të ekskluzivitetit. Xhirimet mund të zhvendosen nga Londra në Liverpool për shkak të kufizimeve të reja në kryeqytet, ndërsa premiera pritet në fund të vitit 2026 ose në fillim të 2027-ës.
Ndërkohë, fansat janë të ndarë, sidomos pas lançimit të lojës së re zyrtare “007: First Light”, ku zëri i James Bond-it i përket aktorit Patrick Gibson. Kjo ka ngjallur spekulime se ai mund të jetë zgjedhja për film, por sipas burimeve nga studioja, loja dhe filmi nuk janë të lidhura drejtpërdrejt.
Një gjë është e sigurt: kapitulli i ardhshëm i agjentit më të famshëm në histori është më afër se kurrë dhe pritshmëritë janë të larta!/ KultPlus.com