Fotografi nga krahinat e Shqipërisë të realizuara nga Hugo Bernacikut

11 Korrik, 2022 - 11:59 pm

Këto fotografi sjellin pamje të rralla nga Shkodra, Kosova, Shijon-Elbasan, Tirana, Kruja, shtëpia e familjes Toptani, Kurbin, burrat duke pirë kafe turke, Malin e Taraboshit, parkun e Divjakës etj.

Realizuar në vitin 1929, nga Hugo Bernacikut, gjatë qëndrimit disamujor në Shqipëri. Më pas, fotografitë e vjetra janë mbledhur nga studiuesi, albanolog dhe historian, Robert Elsie.

Etnologu, fotografi dhe udhëpërshkruesi austriak, Hugo Adolf Bernacik (1897-1953), lindi në Vjenë, bir i juristit Edmund Bernacik (1854-1919). Kontaktet e para me shqiptarët i pati që para Luftës së Parë Botërore në Stamboll, ku njohu djemtë e rojeve të sulltanit.

Hugo Bernaciku shkoi në Shqipëri për herë të parë, në vitin 1914, gjatë pushtetit të shkurtër të Princ Vidit (Wilhelm zu Ëied, 1876-1945). Në vitin 1915, kur ndodhej sërish në Shqipëri, shërbeu vullnetar në ushtrinë austro-hungareze, me një njësi artilerie.

Në vijim të një qëndrimit në deltën e lumit Danub në Rumani, ku shkoi për zogjtë, Hugo Bernaciku erdhi përsëri në Shqipëri, ku qëndroi nga 24 prilli deri më 6 korrik 1929.

Të dhënat bazë mbi kushtet e jetës së vendit, Bernaciku i mori nga gjeologu gjerman Ernst Novak (Ernst Nowack, 1891-1946), i cili e këshilloi që të kontaktonte të dërguarin gjerman në Tiranë, Franc fon Shajger (Franc von Scheiger, 1891-1960). Bernaciku ishte në kontakt gjithashtu edhe me çifligarin shqiptar Ago Agaj (1897-1994), me të cilin, doli për gjueti në Myzeqe.

I pajisur me një çadër, një kajak dhe një aparat fotografik, Bernaciku kaloi plot dy muaj në Shqipëri. Rezultati i udhëtimit të tij ishin dy libra: Riesenpelikane und ihre Kinder (Pelikanët e mëdhenj dhe fëmijtë e tyre), Vjenë 1930, një album i vogël dhe tani i harruar për pelikanët e kënetës së Maliqit; dhe Europas vergessenes Land (Shteti i harruar i Evropës), Vjenë 1930, i cili doli në tirazhin e katërt të zgjeruar me titullin Albanien: das Land der Schkipetaren (Shqipëria: vendi i shqiptarëve), Vjenë 1939. Fotografitë e këtij koleksioni janë marrë prej këtij vëllimi të fundit”- shkruan Robert Elsie. / KultPlus.com

Të ngjajshme