22 Qershor, 2025 - 7:55 pm
Pamje të pazakonta kanë qarkulluar të shtunën në rrjete sociale: oxhaket e KEK-ut pa tym, një skenë që shumë qytetarë nuk e kujtojnë të ketë ndodhur në dy dekadat e fundit.
Kjo situatë vjen pas një reduktimi drastik të prodhimit të energjisë nga Korporata Energjetike e Kosovës, e cila këtë fundjavë ka funksionuar vetëm me bllokun A3, me një kapacitet prej 110 megavatësh.
Ky kapacitet ka mbuluar vetëm rreth 10 për qind të konsumit të përgjithshëm të vendit, duke e lënë pjesën tjetër të nevojave energjetike të mbuluara nga importi.
Mungesa e prodhimit nga KEK-u u reflektua menjëherë në ambient – në Obiliq dhe Prishtinë u shënua përmirësim i ndjeshëm i cilësisë së ajrit.
Pamjet ajrore të publikuara nga droni tregojnë një KEK ndryshe nga ç’jemi mësuar ta shohim: pa re të dendura tymi që zakonisht mbulojnë qiellin e Obiliqit.
Për shumë qytetarë, kjo ishte një fotografi simbolike e kontrastit mes ndotjes së zakonshme dhe potencialit për një mjedis më të pastër.
KEK-u, për shkak të teknologjisë së vjetruar dhe bazimit të prodhimit në linjit, është cilësuar si një nga ndotësit më të mëdhenj në vend, sidomos gjatë muajve të dimrit kur konsumi është më i lartë dhe blloqet punojnë me kapacitete të plota.
Situata e rënies së prodhimit vendor ka ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë energjetike të vendit/Telegrafi/ KultPlus.com