Kongoli: Leximi dikur një mënyrë ekzistence, sot është kthyer në luks

17 Nëntor, 2018 - 6:59 pm

Shkrimtari dhe akademiku Fatos Kongoli takon lexuesit dhe dashamirësit në stendën e librave. Në një kohë kur leximi është në krizë, letërsia e tij bashkon tre breza. Kongoli rrëfen autorët që ndikuan tek ai, letërsinë e socrealizmit dhe dy fjalë për politikanët e palexuar.

Janë të shumtë ata që janë shprehur se ethet e Panairit të Librit nuk janë ato të dikurshmet… Si vjen ky edicioni i 21-të në sytë e një prej emrave më të mirë të letërsisë shqipe, por edhe një lexuesi të kualifikuar?

Unë nuk e ndiej diçka të tillë. Sa herë që vij në Panair qëndroj me shumë kënaqësi në stendë. Kam vazhdimisht kontakt me lexuesit. Kjo është diçka tepër e bukur për mua. Librat e mi po kërkohen dhe tërhiqen, kështu që në këtë drejtim jam shumë i kënaqur. Pastaj ecurinë e Panairit në tërësi e dinë më mirë organizatorët, të cilët mbajnë statistika. Mendimi i përgjithshëm është që leximi ka rënë dhe kjo duhet të jetë e vërtetë, mirëpo nuk është thjesht një fenomen shqiptar, është një dukuri botërore.

Lexuesit juve ua shprehën kërshërinë dhe dëshirën e tyre për libra të rinj… (Ishin të shumtë ata që i rrëfenin se po prisnin me padurim librin e ri prej shkrimtarit).

Unë këtë e konsideroj si një kompliment të madh që më bëhet. Sigurisht që kënaqem shumë! Në fund të fundit një shkrimtar ka shumë pak çaste kënaqësie të vërtetë në jetë, sepse të krijosh është një mundim. Por, kur lexuesi të vlerëson dhe njerëz, të cilët nuk i njeh të thonë : “Më pëlqejnë librat e tu”, sigurisht që është një përkëdhelje në sedër.

Po diskutohet më gjerësisht për distancimin e lexuesit nga libri. Sipas jush, çfarë ka bërë që të ndodhë një dukuri e tillë?

Ka shumë arsye. Një ndër to është, se ka fusha të tjera informacioni ku njerëzit komunikojnë. Sepse, libri çfarë është?! Një lloj komunikimi, kulturë… Sot janë rrjetet sociale, interneti, që mesa duket ndikojnë në rënien e leximit. Por siç jua thashë është një dukuri botërore, jo thjesht shqiptare.

Një lexuesi të ri që do të shfletojë librat tuaj, cili do të ishte titulli që do t’i sugjeronit?

Kjo varet se çfarë lexuesi është, cila është mosha e tij… Do të sugjeroja çdo libër timin!

A keni një, që e keni më shumë për zemër?

Të gjithë librat e mi janë shitur, janë tërhequr, botohen e ribotohen. Por unë mund të them se dy librat e mi më të suksesshëm janë romanet “I humburi” dhe “Lëkura e qenit”. Janë dy romane që kanë njohur botime të shumta dhe në gjuhë të huaj. Sigurisht që ka pasur edhe libra të tjerë të botuar jashtë, por këta dy libra, sipas meje mbajnë rekord.

Lexoni autorë të rinj?

Kam pas lexuar, por ka nga dy vjet që për arsye shëndetësore nuk shkruaj as vetë, kështu që lexoj pak.

Me aq sa keni mundur të shfletoni, sipas jush, a po “prodhon” Shqipëria autorë të mirë?

Mesa shikoj ka… Është e pamundur të mos ketë!

Cilët janë autorët e huaj që kanë ndikuar tek ju në fillimet tuaja?

Janë dy autorët e letërsisë botërore, prej të cilëve jam ndikuar dhe që i dua shumë. Bëhet fjalë për dy klasikët e mëdhenj, Fjodor Dostojevskin dhe Albert Kamy.

Kohët e fundit ka pasur diskutime edhe rreth letërsisë që është shkruar në periudhën e komunizmit. Është propozuar, që librat e realizmit socialist, të cilët i kanë shërbyer atij sistemi, të shoqërohen me një shënim. Ç’mendoni ju rreth kësaj iniciative?

Unë mendoj se lexuesi i çdo kohe është mjaft inteligjent për të zgjedhur çfarë duhet lexuar dhe çfarë jo. Pra për të mos krijuar keqkuptime unë them t’ja lëmë lexuesit, që ai vetë të zgjedhë atë që ç’ka dëshiron.

E megjithatë gjatë sistemit totalitar edhe pse ka pasur kufizime, është prodhuar letërsi cilësore. Përpos kësaj ka pasur edhe lexues më të përkushtuar…

Unë mund të them se disa nga shkrimtarët tanë në atë kohë kanë krijuar kryeveprat e tyre. Leximi ishte shumë i përhapur, sepse e tillë ishte jeta. Në një mjedis të mbyllur lexohej shumë, veçanërisht në qendrat e mëdha, ku ndërtoheshin vepra industriale etj. Lexohej mjaft.

Ju asokohe keni lexuar libra “të ndaluar”?

Sigurisht! Ka qenë një periudhë, në të cilën leximi ishte një mënyrë ekzistence, kurse tani, sipas meje, leximi është kthyer në luks për shumë arsye. Mirëpo dua të theksoj se të lexuarit është gjëja më e mrekullueshme dhe më e vlefshme për çdo individ.

Leximi dhe politikanët tanë duket gjithashtu se qëndrojnë të distancuar… Ç’mendoni rreth kësaj?

Politikanët jetojnë në një galaktikë më vete…

E megjithatë Shqipëria ka nevojë për politikanë të lexuar…

Patjetër. Letërsia i shërben edhe përkorjes, rafinimit të ndjenjave e të mendimeve, përpunon njeriun. Unë në fakt jam i distancua nga politika, por mendoj se një njeri që nuk lexon ka një defekt shumë të madh. Kjo vlen sidomos për njerëzit që merren me fatet e njerëzve, të vendeve, të cilët jetojnë në një botë të mbyllur dhe kjo është një gjë shumë e keqe.

Po ju vizitojnë në stendë edhe autorë të rinj, të cilët përpos talentit kanë nevojë edhe për një sugjerim, që do t’i ndihmonte për t’u bërë një shkrimtar i mirë. Çfarë do tu këshillonit?

Punë, punë dhe vetëm punë! Pa talent nuk bëhet, por talenti është baras me punën. Ai që punon do të thotë se ka talent. /Shekulli/ KultPlus.com

Të ngjajshme