Metodologjia antropologjike në funksion të njohjes së fenomeneve shoqërore ndërkulturore

20 Maj, 2019 - 2:30 pm

Bisedë me antropologen sllovene Prof.ass.Natasha Gregoriç Bon, e nderuar me çmimin ‘Excellent in Science’ nga Agjensioni për Hulumtim Shkencor i Sllovenisë

….. Nëse i mënjanojmë kufijtë nacional dhe etnik, konfliktet e paragjykimet dhe përqëndrohemi në dimensionet e veçanta sociale dhe historike……..atëherë mund të vërejmë se vendbanimet, mjediset dhe njerëzit në secilën pjesë të Europës juglindore janë më të lidhur dhe të bashkuar sesa në mospërputhje dhe të shkëputur

Bisedoi: Mimoza Hasani Pllana

Mimoza Hasani Pllana: A mund të na thoni mënyrat nëpërmjet të cilave antropologët i pasqyrojnë rezultatet e punës së tyre në funksion të njohjes më të mirë të traditave kulturore sociale dhe gjuhësore të popujve?

Natasha Gregoriç Bon: Metoda themelore dhe më e rëndësishme e disiplinës antropologjike është puna afatgjate (më shumë se një vit) në terren në një fushë të caktuar. Rrjedhimisht, antropologu duhet të jetojë me komunitetin të cilin ajo/ai e studion për së paku 12 muaj. Përgjatë kësaj periudhe ajo/ai duhet të përfshihet në zakonet e njerëzve lokal, gjuhën e tyre dhe përditshmërinë. Antropologët, për dallim nga sociologët, janë të interesuar për fenomenet shoqërore dhe kulturore të cilat reflektohen në përditshmërinë e njerëzve të cilët janë subjekt i studimit të tyre. Qasja apo metodologjia themelore antropologjike mbështetet në vëzhgimin e pjesëmarrësit në studim, bisedat e përditshme (formale dhe joformale), mbledhjen e historive gojore, tregimeve jetësore, përcjelljen e mediave, diskursit politik, mediave sociale, njohuri mbi kulturën dhe historinë e vendit, zonën, rajonin, shtetin i cili studiohet, hulumtimi i burimeve arkivore etj. Të gjitha këto mund të ndryshojnë varësisht nga tema e cila hulumtohet. Puna në terren është thelbësore dhe burimi kryesor për të nxjerrë material etnografik i cili përbën materialin kryesor hulumtues për analizat dhe sintezat teorike vijuese.

Rrjedhimisht, hulumtimi im në Shqipëri filloi në vitin 2004 në fshatrat bilinguale (të folmet lokale shqiptare dhe greke) të Himarës, në jug të Shqipërisë. Kam jetuar për 12 muaj në njërin prej këtyre fshatrave, Dhërmi/Drimades, dhe përgjatë kësaj kohe i kam mësuar dy dialekte lokale, shqipen dhe greqishten, dhe ia kam dalur që të përfshihem në përditshmërinë e komunitetit lokal. Si një antropologe hapësinore më interesonte të shohë sesi njerëzit e përceptojnë, jetojnë dhe materializojnë vendbanimin dhe mjedisin e tyre, çfarë kuptimi u japin atyre dhe çfarë nënkupton kjo nga perspektiva e të kuptuarit social të vendbanimit dhe mjedisit të tyre në përgjithësi. Analiza e këtij studimi është pjesë e studimeve të mia PHD me temë “Hapësira mospërputhjesh”. Në vitin 2008 u botua si monografi në gjuhën sllovene ndërsa më 2015 u publikua në gjuhën shqipe me titull: “Hapësira mospërputhjesh: etnografi hapësire dhe vendi në fshatin Dhërmi/Drimades, Shqipëria e Jugut”. Deri tani rezultatet e hulumtimit janë pranuar shumë mirë nga komuniteti lokal si dhe shoqëria shqiptare në përgjithësi. Në veçanti vendasit e Dhërmiut/Drimades kanë qenë të lumtur të shohin se tema ime e doktoraturës është e qasshme online. Në origjinal ajo është shkruar në gjuhën angleze dhe është e qasshme për migrantët e Dhërmiut/Drimades dhe banorët e rajonit të Himarës të cilët jetojnë jashtë vendit. P.sh. kam pranuar komente pozitive prej shumë emigrantëve të rinj që jetojnë në Greqi apo SHBA. Shumë prej tyre ishin të lumtur me përshkrimin e traditës dhe dokeve të tyre si dhe dialektit lokal grek në detaje. Në vitin 2017 jam ftuar nga diaspora himariote që jeton në Maryland, SHBA ku kam prezantuar librin tim i cili është përkthyer në gjuhën shqipe dhe hulumtimin tim në atë rajon.

Mimoza H.P.: Si e shpjegoni konceptin e letërsisë nga pikëpamja antropologjike?

Natasha G. B.: Në fakt, antropologjia edhe ndryshon në shumë fusha nga letërsia meqë është një diciplinë e cila e ka metodologjinë, sfondin teorik dhe veglat analitike të saja. Sikur është përmendur më lartë, antropologjia mbështetet në etnografi dhe vëzhgimin e pjesëmarrësit dhe – sipas temës së hulumtuar – ajo mishërohet me përditshmërinë e jetës së njerëzve. Edhepse kjo nuk ndodh gjithmonë domosdoshmërisht meqë temat antropologjike mund të ndryshojnë – viteve të fundit kemi shtim të vëllimit të hulumtimeve mbi multispeciet, kulturën materiale etj. Antropologu duhet të ketë qasje gjithpërfshirëse dhe holistike meqë studion dimensionin njerëzor dhe jonjerëzor. Rrjedhimisht, analiza antropologjike mund të përfshijë ndër tjerash edhe letërsinë e një rajoni të caktuar të cilin jemi duke e studiuar. Përmes letërsisë antropologu mund të mësojë shumë mbi kulturën, traditën dhe gjuhën e vendit të caktuar dhe që ndërlidhet me ndonjë periudhë të caktuar. Gjuha është pjesë shumë e rëndësishme e studimit meqë mund të zbulojë mendësinë kulturore të komunitetit/grupit të caktuar të cilin jemi duke e studiuar, kuptimin dhe rolin e saj në të kaluarën, tashmen dhe të ardhmen.

Mimoza H.P.: Brenda materies së studimeve tuaja gjenden shoqëritë dhe kulturat njerëzore. Bazuar në rezultatet e dala nga gjurmimet antropologjike a mund ti listoni elementet e veçanta dhe të përbashkëta të kulturave ballkanike?

Natasha G. B.: Meqë në shumë prej publikimeve të mia shkruaj për mobilitetin dhe migrimin, Europa juglindore apo i ashtuquajturi Ballkani, është rajoni në të cilin njerëzit kanë migruar përgjatë historisë. Unë mendoj se bashkë me farefisin, shtëpinë, familjen, migrimet ende mbesin institucione të rëndësishme në këtë rajon dhe të cilat duhet të rishikohen atëherë kur flitet për nacionalizmin, autoktonizmin, traditën, kulturat e ndryshme etj., në këtë pjesë të Evropës. Në periudhën parahistorike njerëzit dhe vendet janë drejtuar përmes të ashtuquajturave ligje zakonore që dallonin varësisht nga grupet apo klanet e caktuara farefisnore (kryesisht por në veçanti jo grupet trashëgimtare të drejtpërdrejta) dhe sipas përkatësisë religjioze – krishterë, pagan, musliman. Këto dallime erdhën në shprehje në periudhën e perandorisë otomane, e cila po shtrihej shpejtë përgjatë Europës juglindore. Përkatësia fetare u shndërrua në një prej proceseve kryesore të definimit të identitetit e që më vonë në shekullin e 19-të iu bashkëngjit edhe nacionalizmi. Për shkak të migrimeve, ka ekzistuar, dhe ende gjerësisht ekziston huazimi kulturor i zakoneve të ndryshme (ushqimi, këngët, veshjet, traditat etj.), dhe ky shkëmbim në literaturën antropologjike quhet difuzionizëm. Për këtë arsye ende është shumë e vështirë të përcaktohet se kujt i përket një veshje e caktuar tradicionale (p.sh.fustanela), ushqimi (p.sh.pitja, byreku), këngët tradicionale (polifonia) etj. Të kuptuarit e familjes apo farefisit (në terme të ngushta apo të zgjeruara) është dicka që bashkë me migrimet është tipike për këtë rajon. Saktësisht për shkak të ndjesive të fuqishme që t’i përkasin ‘dikuj diku në veçanti” (citim i Sarah Green, 2016), ende ekzistojnë shumë konteste dhe mospërputhje për disa cështje në Europën juglindore.

Mimoza H.P.: Nga vepra juaj, në gjuhën shqipe kemi librin “Hapësira mospërputhjesh”, përmbajtja e të cilit është e bazuar në gjurmimet e bëra në fshatin jugor të Shqipërisë, Dhërmiut. Çfarë konsiderohet e papërputhshme në këtë zonë shqiptare?

Natasha G. B.: Sikurse e kam përmendur në librin tim, Dhërmiu/Drimades bashkë me emrin që ka, në shumë mënyra – kulturore, shoqërore, historike – konsiderohet me dykuptimësi. Sidoqoftë, nëse e shikojmë nga pozicioni pozitivist, nacionalizmi etj., atëherë problematika e dykuptimësisë (të cilën nuk e definoj si negative por si pozitive dhe esenciale) gjithëherë do të jetë prezente si një prej çështjeve thelbësore që në shumë mënyra do të gjenerojë mospërputhje dhe konteste. Argumenti kryesor i librit tim është që ne duhet t’i shmangemi kësaj perspektive pozitiviste apo nacionaliste dhe të përpiqemi që t’i kuptojmë këto zona në kontekstet e tyre shoqërore, kulturore, historike dhe politike. Në ndërlidhje me këtë, kjo zonë bashkë me rajonet tjera të Europës juglindore, gjithmonë ka qenë e prekur nga rrymat migruese. Rrjedhimisht, nëse i mënjanojmë kufijtë nacional dhe etnik, konfliktet, paragjykimet dhe përqëndrohemi në dimensionet e veçanta sociale dhe historike të zonës të cilën e studiojmë, atëherë mund të vërejmë se vendbanimet, mjediset dhe njerëzit në secilën pjesë të Europës juglindore janë më të lidhur dhe të bashkuar sesa në mospërputhje dhe të shkëputur.

Mimoza H.P.:Përveç në gjuhën shqipe, libri është përkthyer dhe promovuar edhe në gjuhën angleze, gjë që e bën të qasshëm edhe për lexuesin ndërkombëtar. A mund të na tregoni si u prit libri fillimisht në Shqipëri dhe më gjerë?

Natasha G. B.: Libri është pranuar shumë mirë dhe deri më tani kam pranuar vetëm komente pozitive.

Mimoza H.P.: Nga përvoja juaj e punës, si e kujtoni Shqipërinë sot?

Natasha G. B.: Ende vazhdoj të bëjë hulumtime në Shqipëri dhe për shkak të rrjetit të gjerë social dhe lidhjes personale e konsideroj atë si ‘shtëpinë time’ të dytëJ.

Mimoza H.P.: Si qëndrojnë bashkëpunimet për studime antropologjike por edhe ndërdisiplinare ndërmjet Sllovenisë, Shqipërisë dhe Kosovës, sa realizohen projekte të përbashkëta?

Natasha G. B.: Si nga aspekti profesional po ashtu edhe ai personal, unë bashkëpunoj me etnolog, historian, biolog, gjeograf nga Shqipëria. Në shtator 2018 kolegët e mi nga CNRS France, të cilët po ashtu kryejnë hulumtime mbi Shqipërinë, në bashkëpunim me institucionin ku jam e angazhuar (ZRC SAZU) kemi organizuar një konferencë mbi studimet shqipëtare. Me këtë rast ne kemi arritur ta krijojmë një rrjet të studiuesve të shkencave sociale dhe humane të cilët kryejnë hulumtime në Shqipëri.

Mimoza H.P.: Si u njohët me gjuhën shqipe dhe si vendosët ta mësoni?

Natasha G. B.: Meqë gjuha është parahyrje për t’i kuptuar doket dhe kulturën e tjetrit, është e nevojshme për një antropolog që para punës në terren ta mësoj gjuhën. Më 2004 para se të shkoj në Shqipëri unë pata filluar t’a mësoj dialektin e gjuhës shqipe dhe greke të cilat fliten në Dhërmi/Drimades. Meqë njerëzit lokal flasin me dialektin të cilin e kisha mësuar më parë, unë fillova edhe të përmirësohem gjatë kohës atje. Mëpastaj angazhova disa mësues lokal të cilët më mësuan shqip dhe greqisht. Rrjedhimisht, e folmja ime e shqipes dhe greqishtes shpesh tingëllon si shumë lokale dhe e veçantë dhe ende vazhdoj të bëjë shumë gabime gramatikore.

Mimoza H.P.:A mund të na thoni çfarë jeni duke punuar aktualisht dhe a do të përfshihen Kosova dhe Shqipëria në projektet tuaja të ardhshme?

Natasha G. B.: Unë do të vazhdoj të mirrem me hulumtime mbi Shqipërinë. Momentalisht jam e interesuar për dimensionin e përkohshëm (kalimtar), në veçanti për të ardhmen – se si njerëz të caktuar të cilët i quaj si individë me përgjegjësi shoqërore e planifikojnë dhe e parashikojnë të ardhmen më të mirë për një pjesë të ngushtë apo të gjerë të shoqërisë në Shqipëri. Temë tjetër me interes për hulumtim është edhe dimensioni shoqëror i ujit dhe mjediseve ujore në Shqipëri.

Prof.ass. Natasha Gregoriç Bon është një antropologe sociale me shumë vite përvojë hulumtimi në Shqipëri. Fushat e interesit të hulumtimeve përfshijnë: antropologjinë hapësinore, lëvizjet dhe mobiliteti, dinamikat e kufijve, evropianizimi, antropologjia e së ardhmes, antropologjia e ujit, etj. Ajo është autore e monografisë „“Hapësira mospërputhjesh: etnografi hapësire dhe vendi në fshatin Dhërmi/Drimades, Shqipëria e Jugut” e cila është përkthyer në gjuhën shqipe nga shtëpia botuese ‘Morava’, Tiranë, Shqipëri më 2015. Ajo është bashkëautore e monografisë ‘ Lëvizja dhe krijimi i hapësirave’ (shtëpia botuese ZRC) dhe bashkë-redaktore e vëllimit “Vendet në lëvizje” (Berghahn Books). Për këtë të fundit, ajo dhe kolegu i saj/bashkë-redaktor Jaka Repiç janë shpërblyer me çmimin ‘Excellent in Science’ nga Agjensioni për hulumtim shkencor i Sllovenisë. Që nga viti 2008 ajo është recensuese redaktoriale e librit në revistën shkencore ‘Anthropologican Notebooks’, dhe që nga 2013-a ajo është bashkë-redaktore e serive “Space, Place, Time” pranë shtëpisë botuese ZRC. Ka qenë në shkëmbim edukativ pranë departamentit në Universitetin Canbera (Australi), studiuese/hulumtuese vizituese në SSEES, UCL (MB) dhe qendrën për studime të Europës Juglindore dhe Europiane (CSEES), Universitetin e Gracit (Austri) dhe ligjëruese vizituese në Aleksanteri Institute, Universiteti i Helsinkit (Finlandë), Universitetin Nagoya (Japoni). /KultPlus.com

Të ngjajshme