25 Korrik, 2025 - 5:34 pm
Diellza Gashi
Arben Llapashtica është një nga emrat më të njohur dhe më të respektuar në fushën e fotografisë dhe videos dokumentare në Kosovë. Me një karrierë që shtrihet për më shumë se dy dekada, ai ka qenë jo vetëm një profesionist i palodhur pas kamerës, por edhe një dëshmitar i historisë së vendit. Përmes objektivit të tij, Llapashtica ka fiksuar momente vendimtare politike, sociale dhe kulturore, duke krijuar një arkiv vizual që sot përbën një pjesë të rëndësishme të memories kolektive të Kosovës.
Në këtë intervistë për KultPlus, ai ndan me lexuesit një rrëfim mbi rrugëtimin e tij profesional, që nga hapat e parë në televizion, e deri te realizimi i projekteve dokumentare që synojnë të ruajnë identitetin dhe trashëgiminë kulturore të vendit.
Rrugëtimi i tij nisi në vitin 2001, kur nisi punën si kameraman në televizionin nacional Koha Vision – KTV. Më vonë, do të udhëhiqte edhe ekipin e kameramanëve dhe do të shërbente si drejtor i fotografisë deri në vitin 2024.
Gjatë kësaj periudhe të gjatë, ai ka dokumentuar me kujdes shumë zhvillime jetike për Kosovën, nga trazirat e pasluftës, te negociatat politike e diplomatike që kulmuan me shpalljen e pavarësisë.
“Për së afërmi, me video dhe foto kam ndjekur periudhën tranzitore të pasluftës, trazirat, proceset e negociatave, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë dhe procesin e lobimit për njohjen e pavarësisë nëpër vende të botës.” – kujton ai.
Prejardhja e tij është nga një zonë që shpesh është lënë në harresë institucionale, Novobërda. “Kam ardhur në Prishtinë në vitin 1994, sepse shqiptarët nuk kishin shkollë të mesme në atë kohë në Novobërdë,” – rrëfen ai. Studimet i përfundoi në gazetari dhe komunikim, por kamera do të bëhej zëri i tij më i fuqishëm.
Për Llapashticën, që karrierën e nisi si kameraman, e fotografinë e ktheu në qendër të formimit dhe e përvetësoi qysh nga viti 2008, puna me kamerën kishte edhe sfida pasi nuk ishte një zanat i mësuar në bankat shkollore, por një mjeshtëri e përvetësuar në praktikë, në një kohë kur ky profesion nuk kishte një drejtim të qartë në sistemin arsimor të vendit.
“Na u ofruan disa trajnime nga producentë e kameramanë me përvojë, të përkrahur nga amerikanët atëherë”, – thotë ai, duke kujtuar vitet e para të pas luftës, kur të rinjtë si ai ndiheshin inferiorë përballë kolegëve më të vjetër që ktheheshin në televizione me përvojë nga koha e Radio Televizionit të Prishtinës.
Që nga fillimi i karrierës, Arben Llapashtica ka fituar mbi 20 çmime për foto dhe video, ndërsa imazhet e tij janë ekspozuar brenda dhe jashtë vendit. Ekspozita e tij e parë u realizua në vitin 2009, në bashkëpunim me një fotograf gjerman dhe një norvegjez. Projekti quhej “People, Places, Perspectives” dhe u prezantua në Prishtinë, Oslo dhe Berlin.
Ndër fotografitë që i dhanë jehonë publike ishte ajo që i siguroi çmimin e parë nga Departamenti i Integrimeve Evropiane. Në një konkurs me temë “Vlerat Evropiane në Kosovë”, Llapashtica konkurroi me një foto të një lope të martikuluar me numër në vesh.
“Kjo për mua ishte vlerë evropiane, sepse në atë periudhë ende nuk ishte bërë regjistrimi i popullsisë, por i kafshëve po. Juria vendosi që kjo foto të marrë çmimin e parë.” – tregon ai me një dozë ironie domethënëse.
Përveç ngjarjeve politike dhe zhvillimeve shoqërore, një vend të veçantë në arkivin dhe zemrën e tij zë arti dhe muzika. Që nga viti 2009, është pjesë e Filharmonisë së Kosovës, ku ka dokumentuar pothuajse çdo koncert të korit dhe orkestrës. Ky bashkëpunim ka kulmuar edhe me ekspozitën “Simfonia e ndritur”, një homazh vizual për botën klasike të tingujve.
Në të njëjtën frymë, ai ka ndjekur me kamerën e tij festivalet më të mëdha të muzikës klasike në vend: nga ReMusica dhe Chopin Piano Fest, te Opera e Kosovës, Baleti Kombëtar dhe festivali i Rame Lahaj. Ai përmend me entuziazëm edhe kore të të rinjve, si Kori Siparantum apo Orkestra e të Rinjve Amadeus, që kanë triumfuar në skena ndërkombëtare.
Por puna e Llapashticës nuk është ndalur vetëm në botën e artit. Përmes fotografisë, ai ka trajtuar edhe tema sociale delikate. Një nga projektet më të veçanta ishte ekspozita e realizuar në bashkëpunim me UNICEF për të promovuar gjidhënien.
“Nënat tona gjithmonë i kanë ushqyer fëmijët me gji, por zakonisht janë mbuluar, janë fshehur nga turpi,” thotë Llapashtica. Me këtë projekt, ai vendosi t’i japë një përfaqësim ndryshe nënës shqiptare, asaj që nuk fshihet.
Trashëgimia kulturore është një tjetër pasion i tij. Ka dokumentuar objekte arkeologjike e zeje në zhdukje, duke synuar ruajtjen e një memorieje që po zbehet me kohën. Projekti për zejtarët është veçanërisht i rëndësishëm për të, sepse, siç thotë, “qëllimi ishte t’i promovoj përmes fotografive, për t’i shpëtuar nga harresa.”
Puna e tij me fotografitë e vjetra ka krijuar edhe një fushë më ndryshe të punës së tij unike. Ai ka hulumtuar nëpër familje, arkiva e koleksione private për të rindërtuar vizualisht Prishtinën e para shumë dekadave. “Kam fotografuar Prishtinën nga e njëjta perspektivë siç kishin fotografuar kolegët shqiptarë dhe jugosllavë pas Luftës së Dytë Botërore. Duke i kombinuar këto foto, jam munduar të shoh se si ka ndryshuar qyteti, në disa pjesë, për fat të keq, Prishtina dukej më bukur 30-40 vjet më parë” – shprehet me keqardhje.
Një tjetër ekspozitë me ndikim ishte “Gratë udhëheqëse në fokus”, ku portretizoi gra që udhëheqin në fusha të ndryshme në Kosovë, me qëllimin për të frymëzuar gjeneratat e reja. Në të njëjtën frymë, ai realizoi edhe projektin “Testament”, i cili trajtonte jetët dhe historitë e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në vend.
“Kam kapur 20 portrete, 20 histori, 20 zëra që sfidojnë paragjykimet. Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian për dekada janë përballur me një narrativë të njëanshme. Përmes këtij projekti, synova t’i jap zë realiteteve të tyre.” – kujton ai.
Së fundmi, Arben Llapashtica është pjesë e përfaqësimit të Kosovës në Pavilionin e Kosovës në Osaka, Japoni, ndërsa më parë ka qenë edhe në Expo Dubai, ku fotografitë e tij janë ekspozuar për të përfaqësuar identitetin dhe kulturën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Me një arkiv të pasur, një sy të mprehtë dhe një ndjeshmëri të rrallë për historinë, kultura dhe njeriun, Arben Llapashtica vazhdon të jetë një prej figurave më autentike të vizualitetit kosovar./KultPlus.com