Arbnora Dushi: Çdo njeri e ka tregimin e tij dhe si i tillë secili është rrëfimtar në folkloristikë

6 Dhjetor, 2018 - 7:48 pm

Gili Hoxhaj

Jo rrallëherë folklori shqiptar është cilësuar si një prodhimtari ekskluzivisht gojore e shpirtërore e mjediseve të “pakontaminuara” nga moderniteti, duke e lokalizuar vetëm në zonat rurale, sikurse edhe folkloristikën, disiplinën e folklorit, si një disiplinë të tejkaluar dhe të izoluar brenda arealit kulturor shqiptar, thënë kushtimisht – albanologjik.

Por siç duket, folkloristika ka filluar t’i shkëpusë vargojtë e cilësimit të saj si e tillë, duke shpërthyer përtej kufijve konceptualë të definimit, por edhe përtej kufijve gjeografikë të prezantimit. Ajo sot po ndryshon pamje për të mirë, në përmbajtje e në formë. Viteve të fundit po vërehet një hapje e folkloristikës, e hulumtimeve dhe studimeve të folklorit shqiptar ndaj qasjeve dhe metodave të reja, por edhe e pranisë së saj, në rritje, nëpër konferenca e në botime ndërkombëtare, që po bën që edhe sot folklori të transformojë mënyrën e tij të depërtimit dhe të adaptohet në format e zhvillimit teknologjik e shoqëror.

Arbnora Dushi ka tash e 20 vite që është dedikuar në lëminë e shkencës e folklorit. Dushi e cila tash e disa vite punon në Degën e Folklorit të Institutit Albanologjik të Prishtinës, në një intervistë për KultPlus tregon se duke i hapur kufijtë e definicionit klasik, falë mundësive të reja teorike njohëse dhe kooperimit ndërdisiplinar, gjë që po arrihet nëpërmjet kontaktit me shkollat dhe literaturën në gjuhën e huaj, folkloristët po e çojnë disiplinën e tyre në hap me kohën. Dushi tha se kjo veçmas po arrihet edhe me pjesëmarrjen e folkloristëve shqiptarë në asociacione e organizma ndërkombëtarë të fushave të ngushta profesionale, por më së shumti edhe nëpërmjet prezantimeve të rezultateve të hulumtimeve nga folklori shqiptar në konferenca shkencore ndërkombëtare.
Pjesëmarrjet e rregullta të folkloristëve nga Kosova në konferencat e përvitshme ndërkombëtare të Baladës, në konferencat e çdo dy-vitshme të antropologëve të Evropës Juglindore, në konferencat e folklorit në Bullgari, të historisë gojore në Finlandë e në vendet baltike, por edhe si ligjërues të ftuar e pjesëmarrës në konferencat rajonale, kanë filluar ta bëjnë të dukshme Kosovën në hartën akademike të Evropës. Gjithashtu edhe aftësimet profesionale të etnomuzikologëve në Turqi e Bullgari, me ç’rast po specializohen në fusha të ngushta të problematikave nga trashëgimia muzikore, po tregojnë për potenciale të reja të studimeve të folklorit shqiptar.

Arbnora Dushi thekson se trajtimi rrëfimeve e prozave gojore nga perspektiva e studimeve të kujtesës, sociale e kolektive, por edhe nëpërmjet metodës së historisë gojore, po i jep një këndvështrim të ri folklorit shqiptar.
Trajtimi i riteve të kalimit dhe riteve familjare nga perspektiva antropologjike, po e pasuron mundësinë e zbërthimit dhe të kuptimit të këtyre proceseve jetësore, të evidentuara e të shtresuara në trashëgiminë kulturore në përgjithësi, e atë gojore në veçanti. Trajtimi i këngëve dhe i riteve të motmotit, jo vetëm si tekst a melodi muzikore, por edhe si kontekst e teksturë, duke i dhënë mundësinë e zbërthimit të performansës si e tërë, me të gjithë përbërësit e saj rrethanorë, po e hap folklorin edhe ndaj disiplinave të tjera. Pranimi i koncepteve të reja si ‘folklori i shkruar’, ‘folklori digjital’ apo ai në mas-media, po i japin rezultatet e para të hulumtimeve dhe studimeve edhe në folklorin shqiptar në Kosovë.

“Çdo njeri është një prodhues i folklorit”

Arbnora Dushi e cila ka qenë e pranishme në shumë konferenca ndërkombëtare, studimet post-doktorale i ka përfunduar në Universitetin e Turku-t në Finlandë, ku është specializuar në integrimin e metodës së historisë gojore në studimet e folklorit. Takimi i saj i parë në Institutin e Folklorit në Turku në vitin 2002 e kishte bërë që të kuptojë se atje zhvillohej një punë shumë kreative me folklorin. Duke e parë këtë, ajo ishte mbërthyer nga dëshira që atë përvojë ta integrojë edhe në kontekstin kosovar. Dushi thotë se çdo njeri e ka tregimin e tij dhe si i tillë secili është rrëfimtar për folkloristikën, sipas saj secili njeri është një prodhues i kësaj fushe.
“Folkloristët në Filandë punonin shumë me historinë gojore dhe kryesisht me trashëgiminë dhe kujtimet e të moshuarve për ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore. Me pjesëmarrjen e tyre pasive apo aktive në Luftën e Dytë Botërore, rrëfimet e tyre nuk kishin të bënin me data, dëshmi faktike të asaj kohe por me emocione që ata i kanë përjetuar. Për shembull njëri kujtonte atë kohë me atë që i kishte ndodhur atij – “unë e pata lindur vajzën kur hyri ky pushtues”, kishte qenë një nga përgjigjet”, tregon Dushi.

Dushi pasi ishte kthyer nga specializimi atje, menjëherë filloi të aplikonte metodat e përvojën që kishte hasur në Finlandë.
Gjyshja e saj kishte qenë personazhi i parë. Duke qenë se gjyshja e saj kishte jetuar në Shqipëri dhe ishte martuar në Kosovë, në pamundësi për të parë familjen e saj në Shqipëri, gjithnjë e kishte përndjekur malli për ta. Rrëfimin e saj Dushi e kishte dokumentuar në vitin 2002, ndërsa gjyshja kishte ndërruar jetë në vitin 2006. Rrëfimi i gjyshes e kishte orientuar studiuesen Arbnora Dushi që të kërkojë tek rrëfimet e të tjerëve kujtimet e tyre dhe lidhjet me historinë, duke i ikur datave dhe duke u përqendruar në shprehjen e botës së tyre emocionale.
“Gjyshja ka qenë shumë e pasur me historitë e jetës së saj. Posa u ktheva e regjistrova rrëfimin e gjyshes me kamerë, gjyshja ime nuk është më në jetë por konsideroj që e kam një trashëgimi shpirtërore dhe një pasuri shumë të madhe prej saj”, tha për KultPlus Dushi.

Pas kësaj, Dushi kishte nisur të grumbullonte materiale nga rrëfimtarët e zonës së brezit kufitar të Shqipërisë. Ajo kishte realizuar 40 intervista, me njerëz me kujtesë më të zhvilluar ndërsa lidhur me këtë thotë se gjetja e rrëfimtarëve është një histori në vete sepse jo gjithmonë janë të gatshëm të tregojnë dhe jo gjithnjë e krijojnë një raport miqësor me ty. Dushi beson fort se ngjarjet tragjike, ku njerëzit bashkohen me njëri-tjetrin dhurojnë shumë brum për folklor pasi komunikimi dhe shkëmbimi mes tyre është më i madh, bashkohen më shumë njerëz brenda një hapësire.
“Përmes një rrëfimi, nxjerr përbërjen e një grupi. Grupi më i ngushtë i folklorit përbëhet prej dy personave, ku njëri është rrëfimtari e tjetri dëgjuesi. Përderisa në letërsi mjafton të jetë vetëm shkrimtari i cili punon vetëm me tekstin dhe nuk i duhet domosdoshmërisht lexuesi që ta dijë atë që e thotë, tek folklori duhet patjetër dëgjuesi. Më pas grupi rritet në njerëz që kanë interesimin e njëjtë apo mentalitetin e njëjtë”, tha ndër të tjera Arbnora Dushi.

Dushi thekson se rrëfimi gojor luan një rol të rëndësishëm edhe në mjekësi, veçmas në psikiatri, pasi që kjo lidhet me nevojën e njerëzve për t’u shprehur. Lidhur me përvojën e saj të mbledhjes së rrëfimeve nga njerëz kryesisht të moshave më të shtyera, thotë se njerëzit shpesh në ketë moshë janë më të hapur për t’i shpalosur kujtimet e tyre. Dushi tutje shprehet se nga hulumtimet që ka pasur del që njerëzit kanë prirje t’i shpalosin më shumë përvojat më të mira që kanë pasur.

Në intervistën e dhënë për KultPlus, Dushi tutje thotë se burrat janë të prirur të tregojnë më shumë informata të përgjithshme që lidhen me jetën sociale dhe jashtë shtëpisë kurse gratë, me lëvizjet e tyre brenda shtëpisë.
“Kur një burrë tregonte për fillimin e Luftës së Dytë Botërore, tregonte lajmet që i ka dëgjuar dhe se çfarë ka ndodhur në qytet. Gratë kur tregonin për atë kohë, tregonin se a kanë pasur miell në shtëpi, a kanë pasur me çfarë t’i mbulojë fëmijët, pra emocionet që ato shprehnin janë të kufizuara më shumë brenda hapësirës së familjes”, tregon Arbnora Dushi, këshilltare shkencore në Degën e Folklorit të Institutit Albanologjik të Prishtinës
“Kur pat hy Italia, unë kam qenë e pambuluar”, i ishte përgjigjur Dushit njëra nga të intervistuarat.

Kjo i kishte lënë fort përshtypje, pasi e intervistuara e lidhte Luftën e Dytë Botërore me një ngjarje krejtësisht personale, me botën e saj të brendshme, me lirinë e lëvizjes së saj, e që tregon se ajo ishte diku 12-14 vjeçare, kur është mbuluar.
Dushi thotë se përkundër historisë, ideja e folkloristit nuk është insistimi në regjistrimin e datave por emocioni i tij me ngjarjen që ka ndodhur.

Dushi në studimet post-doktorale ishte fokusuar tek rrëfimi personal si lloj i krijimtarisë gojore të folkloristikës, zhanër ky i paprekur në folkloristikën shqiptare. Folklori zakonisht ishte kërkuar tek zhanret e konsoliduara si përrallat, këngët epike, lirike, anektodat të cilat rëndom janë konsideruar si elementet kyçe të folklorit. Ajo në një intervistë për KultPlus tutje shprehet se këtu folklori shpesh shihet si një veprimtari që e ka përfunduar fazën e vet krijuese, që lidhet me fshatin, me njerëzit e paarsimuar.

“Ekziston mendimi se momentin që ne lexojmë dhe analizojmë atëherë nuk kemi të bëjmë me folklorin sepse bëhemi letrarë e nuk prodhojmë me folklor. Kjo është një gjë shumë e gabuar, unë kam parë që në këtë fazë kanë kaluar shumë kultura e popuj në botë, të cilët kanë qenë në këtë fazë kur ardhur në dilemën “A ta mbyllim folkloristikën si disiplinë për studimin e foklorit”, duke e konsideruar se folklori e ka përmbyllë fazën hulumtuese në teren apo ta vazhdojmë duke e inkuadruar në forma të reja shprehëse të kulturës në folklor””, tregon Dushi duke e ilustruar këtë me shembullin e folkloristëve të Finlandës të cilët kanë marrur një iniciativë për të zgjeruar definicionin e “folklorit”, duke futur edhe kulturën e të rinjve dhe të masmedias, duke integruar edhe folklorin që prodhohet sot.
Arbnora Dushi e sheh praninë e folklorit në përditshmërinë dhe në të sotmen dhe kudo në media. Ajo thotë se folklori nuk është më një diciplinë, prodhimi i të cilës duhet të bazohet tek njerëzit e pashkolluar.

Duke qenë se edhe Instituti Albanologjik ka Departamentin e Folkloristikës dhe folkloristët, qëllimi i tyre është të hapen kufijtë e folklorit. Shtatë folkloristë sa ka ky departament synojnë që të zhvillojnë projekte që e integrojnë folklorin modern, atë që prodhohet sot e që mund të nxjerret në pah vetëm përmes hulumtimeve. Dushi beson në atë se folklori nuk duhet të shihet si një kapitull i cili duhet të izolohet në të kaluarën.
“Folklor sot ka edhe në parlament, pasi që shpesh përdoren anektoda, zhargone të cilat krijohen aty për aty dhe mund të analizohen. Folkloristika sot në botë vazhdon të shihet si një fushë e studiuar prej akademikëve por duke i parë kufijtë shumë më të zhvilluar se sa kanë qenë fillimisht. Folklori zhvillohet vazhdimisht por varet nga ajo se ku shkojmë ne që ta kërkojmë. Derisa të ketë njerëzim, botë shpirtërore, derisa të ketë kujtime ka nevojë që folklori të prodhohet”, u shpreh tutje Dushi.

Krejt në fund Dushi, e kujton një mendim avangard të profesorit Anton Çetta, të dhënë më 1979, gjatë një interviste në gazetën Bota e re, në lidhje me gjendjen dhe perspektivën e folkloristikës shqiptare në Kosovë, ku shprehet:
“Për një punë më kualitative, është gjë shumë e rëndësishme përpos të tjerash edhe njohja e gjuhëve të huaja që të mund të njihen punonjësit tanë shkencorë, sidomos ata të së nesërmes me rezultate e arritura në studimin e letërsive gojore të popujve të tjerë. Të pajisur me gjuhë të huaja, ata do të mund të shfrytëzojnë literaturën ekzistuese, të venë kontakte me shkencëtarë eminentë të letërsisë gojore, ndër tubime shkencore ndërkombëtare përpos atyre që mbahen këtu në Jugosllavi, dhe të paraqesin në ato tubime pasurinë e trashëgimisë sonë artistike popullore e kështu të zgjojnë interesimin e të tjerëve për integrimin e saj në studimet folklorike në përgjithësi, në përmasa më të gjera. Sot, ashtu sikurse dhe në disiplinat shkencore, edhe letërsia gojore kundrohet në mënyrë integruese nga aspekte të ndryshme në studimet e shumta krahasuese”. / KultPlus.com

Të ngjajshme