займ на карту онлайн потребительский кредит

Arta Agani: Arti kosovar po promovohet krah për krah me artin e krijuar kudo në botë

28 Gusht, 2020 - 7:11 pm

Sapo ka përfunduar mandatin e drejtoreshës në Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe këtë periudhë katërvjeçare, Arta Agani e vlerëson një rrugëtim shumë cilësor, duke numëruar 50 projekte që janë realizuar brenda këtij institucioni përgjatë periudhës sa ka udhëheqë me Galerinë. Duke specifikuar edhe vështirësitë që shpesh kanë reflektuar që të stopojnë prezantimin e artistëve të mëdhenj, Arta Agani numëron edhe shumë projekte të tjera poashtu shumë të kushtueshme, por që është ndihmuar nga Organizata dhe Ambasada të ndryshme që shërbejnë në Kosovë, e që kanë mundësuar realizimin e ekspozitave në nivel shumë të lartë. Arta Agani ka thënë për KultPlus se ajo synon përsëri këtë post, nëse konkursi shpallet se shpejti, në mënyrë që të vazhdojë punën e këtij institucioni,  që ka frymuar bashkë me të për katër vite me radhë.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Një mandat në krye të Galerisë Kombëtare të Kosovës, ku përgjatë këtij mandati u prezantuan shume projekte kombëtare dhe ndërkombëtare, çfarë ndjesie të solli udhëheqja e këtij institucioni kulturor?

Arta Agani: Ende nuk më besohet se kaluan katër vite, kaluan aq shpejtë, i gjasuan një fluturimi të shpejtë. Them fluturim, meqë ishte ndjesi e mirë, jam ndier lart, e inspiruar nga arti që hyri nëpër galeri gjatë kësaj kohe dhe nga mundësia të jem pjesë e këtyre ngjarjeve. Por njëkohësisht isha aq shumë e preokupuar me punën që kisha marrë përsipër, e kjo është në natyrën time, të marr çdo gjë shumë për zemër, natyrisht që ky preokupim la pasoja në fusha tjera të jetës sime.

Mbi të gjitha ishte përvojë fenomenale për mua. Unë pa masë e dua Galerinë si institucion, e dua ekspozitën si formë komunikimi,  dhe për këtë arsye e kam adhuruar  çdo moment që e kam kaluar në GKK, të lehtë apo të vështirë. Jam edhe e nderuar dhe mirënjohëse për njerëzit që ma besuan këtë detyrë e që në fund besoj se e kam dëshmuar shumëfish me punë meritore. Tani, në retrospektivë kur erdh momenti për t’u ndalur, mburrem dhe më vjen mirë për të gjitha ato punë, shpesh edhe sakrifica të mëdha, që i kam bërë gjatë mandatit.

KultPlus: Si e sheh tashti këtë rrugëtim, ishte më shumë sfidues se sa e kishe menduar në fillim, apo thënë më ndryshe, GKK është më e bukur nga jashtë apo nga brenda?  

Arta Agani: Gjatë këtyre viteve ka pasur shumë ndryshime në administrim publik, të cilat fatkeqësisht  kanë limituar pavarësinë e institucioneve publike, ndërsa burokracia është bërë pjesë obstruktive e proceseve kreative, jo vetëm në GKK por në përgjithësi. Falë ekipit të GKK-së, të cilëve u jam pafundësisht mirënjohëse, por edhe bashkëpunëtorëve brenda MKRS-së, ne mbijetuam probleme të shumta që na dolën përpara, përgjatë kësaj aventure katërvjeçare. Pastaj, secila ekspozitë, secili event, është sfidë në vete, ndërsa puna më e madhe në Galeri bëhet para hapjes së ekspozitës, për të cilën askush që është jashtë nuk mund t’a dijë se sa e rëndësishme është, por të gjitha sfidat harrohen në momentin kur dyert e sallës ekspozuese hapen për vizitorë dhe çdo gjë është në rregull, ai moment ia vlen, ndërsa të nesërmen fillojnë përgatitjet për ekspozitën tjetër, vjen sfida e radhës, probleme të vogla teknike, zgjidhje problemesh, katalogu, promocioni, transporti, kornizimi, hapja, dhe kështu vazhdon. Definitivisht s’është punë e mërzitshme. Është punë tepër interesante e që të tillë e bën më së shumti mundësia të takosh dhe të bashkëpunosh me njerëz të talentuar, me karrierë ndërkombëtare por edhe modestë, njerëz skajshmërisht intelektualë dhe kreativë të cilët të bëjnë ta shohësh botën në një perspektivë më të gjerë. 

Kurse sa i përket pyetjes se nëse është më bukur nga brenda apo nga jashtë këtij institucioni, definitivisht për mua është më bukur nga brenda, por atë çka jemi munduar ne gjatë këtyre katër viteve të bëjmë, e besoj se e kemi arritur, ishte që së pari artistët e sidomos publiku, të ndjehen pjesë e Galerisë, që të mos ekzistojë muri ndarës, dhe që GKK të mos jetë një tempull i izoluar për të privilegjuarit. Projekte që kemi realizuar e që kanë pasur theks te bashkëpunimi dhe inklusioni, kanë pasur mu atë qëllim.

KultPlus: Cili projekt të solli më shume lodhje, por në fund që e shijove shumë?

Arta Agani: Si ta them këtë e të mos tingëllojë klishe: në asnjë moment nuk kam ndier aspak lodhje, sepse e kam shijuar çdo moment. Një lodhje egzaltuese, kam ndier në dy rastet kur kam qenë pjesë e ekipit të Pavijonit të Kosovës në Bienalet e Venedikut: në vitin 2017 si kuratore dhe në vitin 2019 si komisionere. Është mjaft e lodhshme të marrësh pjesë në një ekspozitë përmasash kaq të mëdha dhe të bartësh një përgjegjësi aq të madhe, njëkohësisht duhet të sigurohesh që përfaqësimi dhe realizimi të jenë në nivelin e duhur artistik, por edhe në anën tjetër duhet të kesh parasysh në çdo moment se je duke e bartur një përgjegjësi enorme që njëkohësisht është privilegj, duke e përfaqësuar shtetin tënd në një ekspozitë botërore. Poashtu duhet të bësh shumë punë angazhimi, ndërmjetësimi, të cilat nuk janë të pakta në numër. Por, prapë, secila prej pjesëmarrjeve ka qenë përjetim unik i cili më le vetëm përshtypje të mira, kontakte të reja dhe mundësi të pakufishme bashkëpunimi në vazhdim. 

KultPlus: Po projektin që do të mburresh gjithmonë, që është realizuar përgjatë mandatit tuaj?

Arta Agani: Mburrem me të gjitha projektet, së fundi mburrem me ekspozitën e fundit që u hap në GKK , të artistit Jakup Ferri të cilin e ftova qysh para dy vitesh dhe arritëm ta hapim përkundër vështirësive me pandeminë.

Por më së shumti mburrem me projektin Perceptime: Burrneshat, meqë vetë ekspozitën e kurova vetë. Kurimin gjatë mandatit nuk e kam praktikuar asnjëherë tjetër, për arsye etike. Por meqë Perceptions ishte projekt i British Council, ku ata patën një qasje të re ndaj ekspozimit duke rekrutuar kuratorë nga disa vende të Evropës Juglindore dhe unë isha përzgjedhur, andaj bashkë vendosëm që këtë projekt ta sjellim në GKK. Ishte projekt me shumë benefite, sidomos për gjithëpërfshirjen e madhe të publikut. Ishte projekt shumëdimensional me shumë aktivitete. Ajo që ishte më e rëndësishme për mendimin tim ishte që ekspozita, edhe pse me koncept mjaft sfidues, doli për mrekulli. Me sukses u përfaqësuan së bashku artistet me renome botërore nga Britania e Madhe bashkë me artistet e Kosovës, poashtu të suksesshme, dhe së bashku komunikuan një mesazh shumë të rëndësishëm, që ka të bëjë me përfaqësimin e grave artiste në botën e artit e që është diskriminues jo vetëm në Kosovë, por çdo kund në botë. Këtu u hapën shumë debate të reja të cilat do të shtjellohen më tutje. Në këtë kontekst, tani jam duke punuar në konceptin kuratorial të ekspozitës që do të bëhet në kuadër të Festivalit FEMART të cilën më ftoi për ta kuruar drejtoresha Zana Hoxha. Pra do të vazhdoj me shtjellimin e çështjeve që u hapën në debatet rreth Burrneshave.

Patjetër duhet përmendur projekti Strehimorja të cilin si ide e kam inicuar para dy vitesh dhe ai ka hasur në mirëkuptim tek Drejtoria për Kulturë në Komunën e Prishtinës, ku me një bashkëpunim të mirëfilltë dhe besim të ndërsjellë, me Yll Rugovën,  dhe pastaj me Blerta Bashollin kemi zhvilluar projektin, e që tani është në fazën e parë që përbëhet nga renovimi i objektit dhe konceptimi i ekspozitës. Ideja është që në strehimoren e Kodrës së Diellit do të ekspozohen diku rreth 30-40 vepra të koleksionit të GKK. Pos këtyre veprave aty do të ekspozohen edhe pjesë të arkivit të GKK-së, sipas konceptit të kuratores së angazhuar nga GKK, Era Krasniqi. Ideja është që të krijohet një hapësirë shumëfunksionale, që do të jetë fillimisht ekspozitë e vlerave më të larta kombëtare të artit Kosovar, pastaj do të jetë edhe pikë interesi për qytetin e Prishtinës, në një lagje që po rritet çdo ditë e më shumë, por do të jetë edhe një hapësirë për organizimin e debateve dhe ligjëratave të ndryshme. Është një projekt që e kam shumë për zemër, meqë paraqet një decentralizim të artit, një qasje të hapur dhe shpërndarje të kulturës në lokacione jashtë mureve të galerive, përafrim me publikun.

E sa i përket publikut, më duhet të përmend edhe se gjatë mandatit tim kam insistuar që programi i edukimit të intensifikohet dhe ajo u arrit duke zhvilluar edukimin e publikut të ardhshëm të cilët do ta kenë Galerinë pjesë të jetës dhe ngritjes individuale, e që besoj se është njëra nga pikat më të ndjeshme për një galeri. Me programin e edukimit kemi zhvilluar edhe punëtori të ndryshme në kuadër të Laboratirit Kreativ ArtTeen, e që rezultuan me dy ekspozita të mahnitshme të tinejxherëve artistë të ardhshëm.

KultPlus: Ka ndonjë peng përgjatë këtij mandati, që ke synuar të prezantosh ndonjë artist po që nuk është realizuar?

Arta Agani: Synimet gjithmonë janë të mëdha, por duhet t’u përshtaten fillimisht rrethanave buxhetore pastaj edhe realitetit tonë si dhe potencialit kulturor dhe infrastrukturor. Prandaj natyrisht ka pasur pengesa, për shembull objekti i GKK-së e ka pamundësuar që të sjellim ekspozitën e artistit kontradiktor Damien Hirst, që vizitoi disa vende në rajon, meqë njëra nga veprat e Hirst (Kryqi) kërkonte lartësi prej 5 metrash në sallë ekspozuese, të cilën GKK nuk e ka as përafërt.

Pastaj, të sjellësh një artist të madh të nivelit të Thomas Hirschhorn kërkon buxhet shumë të madh, e që e arritëm falë ndihmës së Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim. Realisht honoraret që kërkohen nga kuratorët dhe artistët me famë botërore janë përtej mundësive tona. Duke e konsideruar edhe se megalomania në këtë fushë do të ishte një lloj hipokrizie, jam munduar që të mbaj një balans dhe që projektet të jenë të arsyeshme, por edhe gjithmonë të sjellin diçka të re për audiencën tonë. Besoj se kemi bërë projekte të mrekullueshme pa buxhete marramendëse, thjeshtë e kemi bërë të pamundurën.

Sfida e madhe për njerëzimin, pandemia nëpër të cilën po kalojmë, poashtu ishte dhe ende është vështirësi e madhe për kulturën në përgjithësi. Ne u munduam që edhe nga kjo të përfitojë publiku sadopak,  dhe dolëm me platformat online të cilat publiku i pranoi shumë mirë.

Projekti për të cilin më vjen keq që nuk kam arritur ta realizoj gjatë këtij mandati është ekspozita e Anri Salës, të cilën e kemi diskutuar si mundësi dhe ai ka shprehur vullnetin, por meqenëse ai është një artist i kategorisë botërore dhe gjatë kësaj periudhe ka pasur angazhime të shumta, nuk kemi arrit ta realizojmë. Besoj se në një të ardhme të afërt, ai patjetër duhet të vijë në GKK.

KultPlus: Zhurma më e madhe gjatë mandatit tuaj si udhëheqëse e Galerisë Kombëtare të Kosovës, ishte ekspozita e Sislej Xhafes, sa do ta dëshiroje një zhurmë të dytë të atij niveli?

Arta Agani: Sislej Xhafa ka qenë i ftuar nga unë, që të prezantojë punën e tij në Galeri, dhe së bashku kemi punuar drejt përfaqësimit sa më dinjitoz të disa veprave më të njohura të tij, plus një projekti të ri, e që ishte projekti i zhurmshëm “Dheu i thurrur”, ku ne praktikisht mbajtëm 8 lopë në një ahur të ndërtuar në oborr të Galerisë.

Mendoj se funksioni i artit sot ka ndryshuar, në sensin se arti duhet të provokojë reagime të shoqërisë, të cilat eventualisht çojnë tek një ndryshim pozitiv. “Zhurma” që u shkaktua është reagim i provokuar nga Sislej, i cili nuk është hera e parë që provokon çështjet më të ndjeshme të një shoqërie. Në këtë projekt ai ka provokuar debat në shoqërinë tonë rreth të drejtave të kafshëve dhe rreth qëndrimeve tejet diskutabile të shoqërisë kosovare ndaj krijesave tjera. Dhe me këtë e ka arritur qëllimin, por që diskutimet e tilla nuk vazhduan të jenë aq të zëshme për shumë kohë pas ekspozitës, përkundër faktit që kafshët vazhdojnë të keqtrajtohen në Kosovë. Ka pasur reagime, që sinqerisht më befasuan, sidomos nga disa pjesëtarë të elitës intelektuale dhe artistike të cilët, për mendimin tim nuk arritën që ta kuptojnë thellësisht poetikën e momentit të kësaj ekspozite, duke tentuar ta bastardojnë kontekstin e saj. Por kushdo që e njeh sadopak punën e Sislejt si dhe metodologjinë e artit bashkëkohor, konsideron se kjo ekspozitë ka qenë shume e suksesshme dhe ka vendosur një prag të ri të arritjeve në skenën e artit në Kosovë. Mburrem shumë dhe konsideroj se unë, Këshilli Drejtues si dhe stafi i GKK kemi dëshmuar pjekuri dhe guxim profesional, vizion dhe qëndrueshmëri institucionale me të realizuar këtë projekt.

KultPlus: Flasim për problemet e brendshme, sa është e vështirë të menaxhohet një institucion kulturor në Kosovë, duke pas parasysh edhe buxhetin e vogël që ndahet nëpër institucione?

Arta Agani: Krahasuar me galeritë simotra në regjion, ne kemi pasur fatin që kemi pasur një liri të konsiderueshme dhe një pavarësi profesionale, por edhe buxhet deri diku të arsyeshëm. Po e përsëris, se qasja ime si drejtoreshë në këtë institucion nuk ka qenë megalomane e as për të shërbyer interesave të mia por gjithmonë atyre të Galerisë. Nuk kam pasur aspirata për projekte shumë të kushtueshme, gjithmonë duke pasur parasysh se kultura në Kosovë ende nuk gjendet në listën e prioriteteve qeveritare, gjë që është edhe e kuptueshme në rrethanat që jemi si shtet i ri me shumë punë para vetes. Besoj se gradualisht kjo do të ndryshojë dhe po ndryshon, me vetë faktin që Kosova po përfaqësohet ndërkombëtarisht nëpër bienale dhe ngjarje të tjera. Do të vijë koha kur, me njerëz që punojnë palodhshëm në pozita të duhura, diplomacia intensive kulturore dhe qasja pragmatike ndaj zhvillimit të publikut të ri, do të sjellin një realitet me qarqe të zhvilluara dhe të pavarura kulturore.  

Sa i përket udhëheqjes me kufizime buxhetore, konsideroj se kam pasur shume fat me bashkëpunëtorët, e sidomos me organizatat ndërkombëtare dhe ambasadat në Prishtinë të cilët na kanë ndihmuar që të realizojmë projekte të cilat përndryshe do të tejkalonin mundësitë tona buxhetore. Ato projekte ishin ekspozitat e artistëve të “kalibrit të rëndë”, superstarët si:  Rosemarie Trockel, Grayson Perry, Thomas Hirschhorn, Bauhaus Imaginista, “Burrneshat” si Tracey Emin, Sarah Lucas, Rachel Whiteread, etj.

Poashtu duke vlerësuar sot se gjatë mandatit katërvjeçar janë realizuar hiç më pak se 50 projekte të nivelit të lartë artistik, gjithmonë duke pasur parasysh se niveli është i rëndësishëm dhe kualiteti është më i rëndësishëm se kuantiteti. Prapë se prapë, duhet thënë se ky numër është mjaft impresiv e sidomos kur e konsiderojmë se ka pasur projekte të formave shumë të ndryshme e që kanë ofruar përjetime të ndryshme për publikun tonë.

Është për t’u vlerësuar bashkëpunimi shembullor me Këshillin Drejtues me të cilët kemi pasur gjuhë të përbashkët dhe kemi arritur ta pasurojmë programin në mënyrë perfekte.

U jam tejet falënderuese artistëve, pa të cilët nuk do të ishte programi aq i pasur. Suksesin tim dhe të Galerisë pwr katwr vite, e kurorëzon edhe fakti që gjatë kësaj periudhe patëm 10 vepra të dhuruara për koleksionin tonë që e pasuruan atë efektivisht. Artistët që donuan veprat janë: Rexhep Ferri (2 vizatime), Shyqri Gjurkaj (2 vizatime); Maksut Vezgishi  (1 pjesë instalacioni); Driant Zeneli  (një fotografi); Sislej Xhafa ( një vepër); Mina Krasniqi  (një pikturë); ndërsa New Collectivism, grupi i asocuar me IRWIN, gjatë pandemisë i dhuroi Galerisë  posterin  New World Order i cili qëndron i ekspozuar në eksterierin e ndërtesës.

KultPlus: Po në aspektin artistik, ke pas një përvojë me artistë të shumtë të huaj, çfarë përshtypje ke, si e kanë vlerësuar artin tonë?

Arta Agani: Gjatë kësaj periudhe kemi pasur mysafirë artistë dhe kuratorë, e prej tyre pos tjerash edhe udhëheqës të muzeve të suksesshëm si: Dirk Snauwaert nga qendra Wiels në Bruksel, Alfredo Cramerroti nga Mostyn; Jerome Sans- njëri nga themeluesit e Palais de Tokyo në Paris, pastaj Joao Ribas, tash drejtor i muzeut REDCAT në Los Angeles, SHBA dhe të tjerë.

Të gjithë ata janë ndarë të impresionuar nga Kosova, nga fenomeni i mikpritjes dhe dashamirësisë sonë tradicionale e cila ndikon edhe botën e artit. Në bashkëpunim me GKK-në ata kanë mbetur të fascinuar më së shumti me efikasitetin e stafit tonë si dhe me realizimin e projekteve të “vështira” në kohë shumë të shkurtër dhe me buxhet të limituar. Për ta ka qenë e pabesueshme se si një ekip aq i vogël arrin të realizojë një ekspozitë me instalacione, transport dhe katalog të botuar me një agjilitet të tillë. Sa i përket perceptimit të artistëve dhe kuratorëve të huaj për artin në Kosovë, konsiderohet se edhe në Kosovë, si kudo në botë, ka art tradicional dhe bashkëkohor, ka art dekorativ dhe art konceptual. Është me rëndësi se e kemi kaluar një periudhë kur artisti nga Kosova ka qenë “egzotik” në kuptimin e prejardhjes nga një regjion pak i njohur për tregun botëror të artit. Periudha nëpër të cilën po kalon arti kosovar është më e vështirë, por më e drejtë, ai po promovohet krah për krah me artin e krijuar kudo në botë, ku gjithpërfshirja është mundësuar falë internetit, mediave sociale. Mundësitë janë të mëdha, dhe shpresat janë te artistët e rinj të cilët vërtet kanë shumë potencial.

KultPlus: Në fund të një mandati gjithmonë është edhe një reflektim, sa humbe nga kreativiteti i juaj dhe sa fitove nga kjo përvojë?

Arta Agani: Të gjitha përvojat e mia në punë, si në Galeri ashtu edhe gjetiu, më kanë sjellë satisfakcion dhe për atë e konsideroj pozitive secilën nga to. Natyrisht kreativiteti në pozita të tilla si kjo e udhëheqjes, ndryshon formë dhe ndoshta nuk është kreativitet i drejtpërdrejtë, por gjithmonë ka qenë aty. Lënë anash detyrat administrative që janë pjesë e paevitueshme e punës, pjesa tjetër kërkon kreativitet, duke filluar nga ideimi i konceptit të programit dhe koordinimi i tij me çështjet shoqërore që duhen trajtuar, e deri te vetë realizimi i ekspozitës që është vepër arti në vete, secila nga to. Kam pasur mundësi që të përdor kreativitetin sidomos në ekspozitat që i kam kuruar, si dhe në tekstet që i kam shkruar për disa katalogje e që më ofrojnë kënaqësi të veçantë. Mund të them se kam fituar shumë me këtë përvojë, poashtu duke marrë pjesë për së afërmi në procesin kreativ të artistëve dhe kuratorëve.

KultPlus: Do të dëshiroje që ta udhëhiqje edhe për një mandat Galerinë Kombëtare të Arteve të Kosovës, apo ke ndonjë synim tjetër?

Arta Agani: Momentalisht jam e angazhuar në dy projekte, një kurim dhe një projekt me dizajn, të cilat janë afatshkurtëra por që po më ndihmojnë për t’i shqyrtuar opsionet që më janë vënë në dispozicion. Padyshim varet prej kohës së shpalljes së konkursit, sepse nëse konkursi shpallet së shpejti për pozitën e drejtorit të GKK-së, besoj se do të konkurroj që të mund të ketë kontinuitet në program. Përndryshe, nëse kjo merr kohë të gjatë, atëhere mendoj se nuk ka sens të konkurroj, meqë me kalimin e kohës shkëputen rrjetet e bashkëpunimit e që janë të vlefshme për institucionin. Sidoqoftë, jam e hapur për mundësitë që më ofrohen dhe e gatshme që përvojën time që e kam fituar gjatë mandatit të parë, ta përdor për të mirën e artit dhe kulturës.

KultPlus: Dhe për fund, arti, sidomos ai pamor ende konsiderohet një luks i madh për shoqërinë kosovare, a do të duhej një strategji institucionale që qytetarët të jenë më afër këtij arti?

Arta Agani: Po, konsiderohet luks dhe varet plotësisht nga punëtorët kulturorë brenda institucioneve, se a do të ndryshojë ky perceptim në të ardhmen, duhet të gjithë ne të punojmë në këtë drejtim, duke zhvilluar projekte sa më gjithëpërfshirëse, me theks te edukimi në shumë nivele të publikut të tashëm dhe atij të ardhshëm- fëmijëve. Vetë Galeria Kombëtare por edhe institucionet tjera, mendoj se duhen të jenë më të pavarur institucionalisht dhe të punojnë në kuadër të kornizave të përshtatura ndaj specifikave të punës së institucioneve kulturore. Deri tani, GKK nuk ka ligj të vetin, që është i domosdoshëm për funksionimin e mirëfillte, meqë ajo, si dhe institucionet tjera kulturore, ka aspekte shume specifike të punës e të cilat kane nevojë të konsiderohen dhe të parashihen në kornizat ligjore.

Strategjia institucionale të cilën kemi filluar ta praktikojmë, e që po praktikohet në botë- është ajo e ndryshimit të perceptimit të muzeut/galerisë dhe identifikimit të tij me ndërtesë dhe mure ndarëse. Kjo u diskutua edhe në konferencën ndërkombëtare të ICOM (International Council of Museums) në Kyoto, ku morëm pjesë në shtator të vitit 2019, ku u shpalos ideja se vetë definicioni i muzeut duhet ndryshuar, sepse muzetë (dhe galeritë) sot nuk janë thjesht ndërtesa. Janë institucione të gjalla, që lëvizin drejt publikut, që involvojnë forma të ndryshme të artit me metodologji inovative dhe që i zhdukin kufijtë mes arteve dhe mes njerëzve. / KultPlus.com  

Të ngjajshme