Blerta Surroi: Përpiqem të jem regjisore e mirë e familjes dhe punës time

5 Janar, 2018 - 4:41 pm

Arbër Selmani

KultPlus: Do ta nisim këtë intervistë me projektin që është kaq afër zemrës tënde, Galerinë MONET. Na trego pak për idenë se si erdhi deri te krijimi i një hapësire të tillë?
Blerta Surroi:
Duke pasur suksese të shumta personale si artiste, në mënyrë të natyrshme erdhi ideja të bëj diçka për vete dhe për komunitetin artistik. Në muajin maj 2017 bashkë me Vala Blakçorin ishim rreth të njëjtës ide, të hapnim një galeri, një hapësirë kulturore ku mund të bëhen aktivitete të ndryshme kulturore e artistike, promovime të librave, ndeja që kanë për qëllim takimin e artistëve, një pikë reference në Prishtinë për artdashësit – Galerinë ‘Monet art&books’. Fillimi nuk ishte i lehtë, por që nga koha kur e kemi hapur Galerinë kemi pasur disa ekspozita personale të emrave të njohur të artit figurativ, kemi pasur shumë promovime të librave. Ekspozita shitëse ka qenë në fund të vitit, ne si Galeri mblodhëm 22 artistë që ti ekspozojmë punimet e tyre, duke qenë se ishin festat e fundvitit, menduam ti bëjmë dhuratë artin, njerëzve, për të gjithë ata që dëshirojnë të blejnë piktura me një çmim të lirë, prej 99 euro e poshtë. Ajo çka unë e quaj të suksesshme, pos që e kam afruar distancën e krijuar prej kohësh mes blerësit dhe artit, është energjia pozitive që kam arritur me e shpërnda mes komunitetit artistik dhe mes qytetarëve. Çdo ekspozitë e kam përjetuar si të ishte e imja, me shumë emocion, kam pasë emocion aq sa artisti, cilido artist që e ka hapë ekspozitën këtu.

KultPlus: Do të kthehem dy dekada më pas, në vitet 90-të, kur Blerta u zgjodh Miss Kosova dhe kur ishte një kohë tjetër, ajo që ti e quan kohë pa kohë. Nga një vajzë 17-të vjeçare, e bukur, sa ishte problematike ose jo për ty më pas të zgjoheshe në këmbë dhe të krijosh një karrierë tënden artistike?
Blerta Surroi:
Kur kthehem të mendoj, më duket shumë larg ajo kohë. Kanë qenë vitet e 90-të, saktësisht viti 1995. S’kishim televizor, s’kishim radio, ishim komplet në një izolim. Rinia jonë ishte shumë fatkeqe asokohe, gjenerata ime i takon një periudhe shumë fatkeqe, adoleshencën e kemi pasë para dhe pas luftës, gjithmonë prej prindërve na është thënë – kjo kohë pa kohë. Si i ri ke nevojë me e shpërfaqë talentin tënd .. kam vizatuar që e vogël, kam qenë e dëshmuar në shkollë, por edhe në grupet recitatore të dramës në shkollë. Kohë e vështirë. Atëherë si 17-të vjeçare, periudhë e izolimit total, ajo që shihje përtej televizorit dukej sikur ishte prej një planeti tjetër, kaq e largët nga ti. Çdo i ri kishte shpresa, kishte ëndrra për të ardhmen e vet, ëndërronim edhe Hollivudin, unë edhe shoqet e mia, e kemi menduar, e kemi pasë ëndërr, qejf, dëshirë. Marrja pjesë në këto kompeticione ka qenë ndoshta një mundësi, shansë, për një dalje, për me prekë, me ja dhanë vetes shansin. Ishim gjeneratë e pafat, e izolimit, sot për gjeneratën e re, është gjithçka më e lehtë, bota është më e afërt. Kam qenë vajzë me shumë talente, të tjerët kanë besu në talentin tim, i kam studiuar paralelisht aktrimin dhe artin figurativ. Në artin dramatik jam dëshmuar, me role të ndryshme, tani jam më aktive ne artin figurativ. Jam në një moshë më të pjekur, dhe pjekuria është ajo që e bën një artist më të mirë, më të balancuar.

KultPlus: A do të thotë kjo se Blerta do të kthehet në artin dramatik, në shfaqje të teatrit apo në film, apo pati një pikë kur Blerta veç ndaloi të jetë një artiste e skenës?
Blerta Surroi:
Unë jam artiste e skenës dhe e artit pamor, dhe me këto dyja do të vazhdoj të merrem. Gjithmonë e kam ndjekur vlerën artistike. Unë kam çka të jap, dhe nuk jam rastësisht në art, e di që nuk më takon ta them por puna ime është vlerësuar edhe me çmime. Tani përpiqem ta ruaj dhe ta shtoj vlerën e punës sime. Në anën tjetër, jam e fokusuar në artin figurativ sepse ky art të jep lirinë e plotë që ti të bësh gjithçka, ti je aktor, je regjisor i punës tënde. Kur e hap një ekspozitë, është vetëm emri dhe puna ime. Është monodramë, ku pos aktrimit edhe tekstit, skenografia, dritat, të gjitha i bën vet. Në artin dramatik është një ekip i tërë, dhe suksesi ose dështimi është i përbashkët.


KultPlus: Në familjen tënde, në anën tjetër, arti ka qenë gjithmonë i pranishëm. Babai yt, Xhevat Syla, është një shkrimtar për fëmijë dhe shumë i pëlqyer. Je rritur në një frymë të tillë, me libra përreth vetes, dhe sa ka ndikuar kjo në formimin tënd të mëvonshëm, me këtë prapavijë prindërore?
Blerta Surroi:
U emocionova shumë, me këtë pyetje. Babi është shkrimtar për fëmijë ndërsa nëna profesoreshë e muzikës, jam rritur me një frymë të artit në shtëpi. Me tingullin e makinës së shkrimit. Gjithmonë rreth meje ka pasur libra. Drejtshkrimi, gjuha shqipe në përgjithësi, kanë qenë të mbjella thellë në fëmijët e familjes tonë. Kam qenë shumë e mirë në këtë fushë, gjithmonë duke marrë lëvdata për drejtshkrimin, dhe në një formë nuk pata kah t`ikë prej këtij ndikimi, sepse gjithmonë kam qenë e afërt me gjuhën. Në vitin ‘99 kam pasur ditar të luftës, i cili më pas edhe ishte botuar në një prej të përditshmeve tona. Edhe ditarin e studimeve që ka pasë ardhë si inspirim nga ditari i Stanisllavskit, e patën pëlqyer shumë artistë e dramaturgë të cilët e kanë lexuar. Kam shumë shkrime të ruajtura edhe sot, ndërsa kam botuar vjersha qysh në klasën e dytë në shkollë fillore, më vonë kam bërë edhe ilustrime për revistën ‘Pioneri’. Djali i madh më ka kushtuar një poezi, dhe po e shoh se po e trashëgon këtë talent, po vizaton, ka dëshirë të jetë piktor si mami dhe shkrimtar si babai. E shoh se e kam transmetuar tek ai një frymë artistike, për çka më vjen mirë dhe jam shumë e lumtur.

KultPlus: Nëse dashuria për letërsinë dhe gjuhën ka qenë kaq e madhe, dhe vazhdon të jetë, a mund të jetë Blerta në të ardhmen edhe një poete, shembull?
Blerta Surroi:
Po e kujtoj një moment. Profesor të gjuhës shqipe dikur e kam pasur të ndjerin Ahmet Kelmendi – një profesor veteran i gjuhës shqipe në Fakultetin Filologjik. Kur i lexonte esetë e mia, më luste që ta lija dramën dhe aktrimin dhe ti përkushtohesha komplet gjuhës shqipe. Shkrimet e mia i pëlqenin dhe kjo me kënaqte sepse as unë vet nuk e dija sa talente kisha brenda meje.

KultPlus: Para se ta mbyllim intervistën, po kthehemi pak te Veton Surroi, bashkëshorti juaj. Më përmendët se ndoshta ka qenë problematik ndonjëherë fakti që jeni burrë dhe grua, dhe ka mundur të ketë ndërhyrje mes njërit a tjetrit. Është ndihmesë për ty si artiste fakti që Vetoni dikur është marrë me politikë dhe sot është shkrimtar ?
Blerta Surroi:
Në një vend si Kosova, është njëfarë tendence mos me ti njoftë vlerat. Tendenca që suksesin në punën time e lidhin me faktin se jam gruaja e Vetonit nuk është fort e pëlqyeshme nga ana ime. Do të doja që për hir të së vërtetës meritat ti takojnë punës sime. Jam dëshmuar prej kohësh në fushën e artit, me kritika pozitive nga njerëz eminentë të fushave në të cilat punoj dhe veproj. Vetonin e kam burrë dhe shok të mirë, një partner të mirë, me të cilin e ndajmë jetën. Kur jemi takuar, kemi qenë të dytë të dëshmuar në fushat tona dhe kemi vendosur të mos i pengojmë njëri tjetrit, vetëm të kemi ndihmë e stimulim. Megjithatë, fakti që jemi të bashkuar më ka ndikuar prej punës në Fakultet e deri këtu në Galeri.

KultPlus: Meqë jemi në këtë territor, si është jeta me Vetonin, me një figurë sa të lexuar aq edhe kontroverse?
Blerta Surroi
: As me fjalët më të bukura të shkrimtarëve më të mëdhenj botërorë nuk mund të përshkruhet jeta me Vetonin. Ajo thjesht përjetohet. Jemi të pandashëm e të lidhur fort nga shikimi e takimi i parë e deri më sot.

KultPlus: Jemi gati në fund të intervistës, dhe për fund ndoshta do të ishte mirë të flisnim pak për planet artistike në vitin 2018?
Blerta Surroi:
Është viti i katërt që jam profesoreshë në Fakultetin e Arteve, dhe jap lëndën e Vizatimit Aplikativ. Jam e përkushtuar tej mase, sepse është sfidë për mua të jem profesoreshë. Megjithatë, jam pedagoge më ndryshe, jo klasike, për faktin se jam edhe aktore, dhe këtë ma kanë dëshmuar gjeneratat dhe kuadrot që kanë dalë këto katër vite sa jam aty. Kam një relacion shumë të afërt me studentët e mi, dhe kjo më bën të ndihem mire,e plotësuar. Nuk më mjafton puna vetëm brenda studios, është ndryshe kur kam interaktivitet me studentët e mi.
Përpiqem të jem regjisore e mirë e familjes time dhe punës time. Një regji e mirë në film, me aktorët e mirë e garanton suksesin. Vazhdimisht punoj në fushën e artit figurativ, kam në plan ekspozita personale vitin e ardhshëm, e kam një skenar filmi shumë të mirë në duar. Jam nënë e përkushtuar, grua e përkushtuar. Duke qenë e mbushur me dashuri reflektoj dashuri e gëzim në jetë dhe në punë . Po i rris dy fëmijë shumë të mirë. Vepra më e rëndësishme në jetë. / KultPlus.com

Të ngjajshme