Dashuria për artin ishte e pranishme qysh në fëmijërinë e tij, Kryeziu arrin të krijojë vepra arti me vetëm një vijë

27 Janar, 2022 - 4:30 pm

Uranik Emini

Krijimi i punimeve duke u përqëndruar në elegancë, është pikërisht ajo që artisti, Visar Kryeziu, tenton të shfaq çdo herë kur krijon diçka të re.

Butësia e lëvizjes, bukuria dhe thjeshtësia janë pikërisht “finesat” kryesore në punimet e artistit, i cili filloi qysh në moshë të hershme të merrej me art.

Në një intervistë për KultPlus, Kryeziu ndau rrëfime nga jeta e tij personale dhe gjithashtu pjesë të ndryshme nga puna e tij artistike.

“Arti figurativ gjithmonë më ka pëlqyer, qysh kur isha nxënës i shkollës fillore. Ngase vizatoja bukur si nxënës, më kujtohet kur mësuesja e vizatimit si për shaka i thonte shokëve e shoqeve të klasës se, po ua marrë unë Visarin tek klasa ime ku jam kujdestare e klases dhe po ua jap juve një tjetër. Ndoshta kjo fjalë ka qenë një shkëndijë dhe vullnet më tepër që t’i përkushtohem artit edhe më shumë”, ka thënë Kryeziu në një intervistë për KultPlus.

Ai gjithashtu tregon se është një person që nuk flet shumë në jetën reale, por këtë gjë e bën përmes artit.

“Nuk jam një person që flas shumë dhe pikërisht arti më plotëson, në njëfar mënyre je në ishullin tënd ku rregullat i bën ashtu si dëshiron ti”.

Së fundmi, ai ka punuar një figurë të mbretit shqiptar, Gjergj Kastriotit.

“Këtë punim e bëra sepse ai ishte frymëzim për secilin shqiptar dhe për secilin hero pasardhës të tij. E ruajti kombin tonë”.

Vizatimet e tij të fundit janë punuar me vetëm një vijë, një formë e artit minimalist, fans i së cilës është edhe vetë artisti.

“Pse me një vijë? Sepse jetojmë në një kohë moderne dhe në këtë kohë njeriu modern nuk i do më luftrat, ngarkesat e panevojshme, urrejtjen por, dashurinë, elegancen, abstrakten, thjeshtësinë, fantazinë etj. Vizatimi i Skënderbeut me një vijë mendoj se i ka të gjitha këto. Në këtë lloj arti e veçanta është se niset nga ajo që „më pak është më shumë“ që do të thotë ne veprën e artistit lihet vetëm e domosdoshmja, duke e zhveshur nga te gjitha ngarkesat tjera të panevojshme”.

Tutje, Visari tregon se si ka dëshirë që figurat e portretet ndërkombëtare t’i paraqes edhe te fëmijët e tij në banesën ku ai jeton.

Së sa shumë e dashuron artin dhe në veçanti krijimin e veprave me vetëm një vijë e dëshmojnë edhe njohuritë e tij në këtë fushë.

“Zvogëlimi dhe thjeshtëzimi i koncepteve, saktësia në linjat dhe që hapsira është një plotësim i veprës. „Vija është një pikë që shkon për tu shëtitur“ ka thëne artisti i famshëm zviceran Paul Klee”.

Ai thotë se vizatimet me një vijë janë pëlqyer nga shumë miq të tij, të cilët e kanë pasur mundësinë t’i blejnë në uebfaqen e tij në rrjetet sociale.

Profesioni i tij është fotograf i pavarur, përmes së cilës edhe punon dhe vepron në shtetin e Zvicrës, konkretisht në Cyrih.

“Fotografinë e kam profesion. Ka qenë një premtim i pathënë ndaj prindërve të mi që të punoj në profesionin tim kudo që të jem. Mundi dhe sakrifica e tyre për të më shkolluar nuk ishte aspak e lehte e që nuk mundem dot ta harroj. Më vjen mirë që kemi një portal si Kultplus, e bëni një punë të shkëlqyer për artin dhe shumë të nevojshme për ne”, thotë ai në fund.

Disa prej portereteve që ai i ka punuar gjatë muajve të fundit, mund t’i shihni më poshtë. /KultPlus.com

Të ngjajshme