Ëndrra e Agim Sulaj: ‘Valixhen e refugjatëve’ ta derdh në bronz te Porti i Vlorës! (FOTO)

13 Dhjetor, 2017 - 1:15 pm

Artisti i njohur ekspozon “Rrënjët 2” në Tiranë. Në 27 tablo trajton një mozaik tematikash, që në thelb janë sa shqiptare, aq dhe globale. Dëshira e tij është që njërën nga tablotë, “Artisti me valixhe” ose “Valixhja e refugjatëve” të derdhet në bronz te moli i Portit të Vlorës, në vendin ku ka ndodhur hemorragjia më e madhe drejt ikjes për shqiptarët!

Piktori dhe karikaturisti i njohur Agim Sulaj çel në Tiranë ekspozitën personale “Rrënjët 2”. “Ëndërrimtari”, “Luftëtari”, “Emigrantë”, “Plaku”, “Labi”, “Malësori”, “Fëmija” etj., janë vetëm disa nga 27 tablotë, që artisti i njohur prezanton në këtë ekspozitë të çelur në Tiranë. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Agim Sulaj rrëfen arsyen se përse ka vendosur që çdo vit të ekspozojë krijimtarinë e tij artistike në Shqipëri, duke ndalur edhe te problematikat aktuale me të cilat është njohur gjatë qëndrimit të tij gjatë këtyre ditëve në Tiranë, jo vetëm në art. Vizatimi origjinal i “Valixhja e refugjatëve” organizuar nga “The Derwent Art Prize” dhe vlerësuar me çmim të parë në Londër prezantohet për herë të parë në Shqipëri. Ëndrra e Sulajt është që këtë tablo, ose tablonë “Artisti me valixhe” ta derdhë në bronz për ta ekspozuar në vendlindjen e tij, në shëtitoren e Vlorës, në “Lungomare”.

Zoti Sulaj, riktheheni pas një viti me ekspozitën personale “Rrënjët 2” në Tiranë. Kësaj here ekspozoni 27 tablo, në të cilat trajtoni tema të ndryshme?


Ekspozita “Rrënjët 2” është tentativa ime për të prezantuar sërish në vendin tim tek dashamirësit e artit zhvillimet e mia artistike gjatë këtij viti. Besoj se do të jetë një praktikë, të cilën unë e ndiej të nevojshme ta bëj çdo vit. Në këtë ekspozitë sjell një mozaik temash; kam ndalur te portreti i shqiptarit, që ndoshta nuk e shikojmë më në ditët tona, një malësor dhe një jugor; kam ndalur te fustanellat dhe te xhamadanët e kohës, duke kërkuar portrete pa makijazhe, por që janë ekspresivë. Sa herë që kam shfletuar fotografi, kam vënë re se si kemi qenë dhe se si kemi ndryshuar në ditët tona për shkak të pudrosjes moderne, aq sa kemi filluar që t’i humbim këto tipare. Janë tablotë “Ëndërrimtari”, “Malet”, “Portreti i Skënderbeut”, “Emigrantë”, “Refugjatë” etj.

Nga tematika e fëmijërisë dhe valixhes nuk hiqni dorë asnjëherë…

Tematika e fëmijërisë vjen përherë në ekspozitat e mia, sepse kërkoj t’u rikthehem kujtimeve të brishta, ashtu siç i kam lënë në qytetin tim. Ndërsa, valixhja ka të bëjë gjithmonë me emigrimin. E brenda asaj valixheje është dhe fëmijëria ime, që në këtë ekspozitë e sjell të konkretizuar në gurë, në trung peme, por dhe në detaje të tjera.

Si ndryshon nga viti në vit koncepti i kësaj valixheje tek ju si individ?

Valixhja tek unë nga viti në vit? Unë kam blerë shtëpi në Itali këtë vit (qesh). Madje një ditë pyeta veten: “A do të vazhdoj të merrem më me valixhen tani, që kam shtëpinë time? Derisa isha me qira, deri diku isha gjithmonë në ecje. Po tani që bleva shtëpinë time ç’do të ndodh?” Por, mendoj se kjo nuk ka të bëjë fare me blerjen e shtëpisë apo me stabilizimin në vendim ku jetoj, por ka të bëjë me krijimtarinë e Agimit artist. Prandaj kësaj teme i rikthehem gjithmonë.

Një vëmendje të veçantë përpos portreteve të malësorit dhe labit i keni kushtuar dhe veshjeve folklorike shqiptare. A ndodh kjo për shkak të nostalgjisë që keni për vendlindjen?

Natyrisht pasuria koloristike në folklorin shqiptar është e madhe; pantallonat me riga të zeza dhe fustanellat të ngacmojnë që t’i nxjerrësh nga pluhurat, duke krijuar fizionomi të qartë për këta personazhe. Kur vjen në vendin tënd dhe prezanton këto personazhe sheh se publiku bashkërisht me ty mëson për këto vlera që ne kemi. Por edhe unë mendoj se kjo ndodh, sepse duke qenë jashtë nostalgjia për atdheun edhe vendin tënd rritet nga viti në vit. Italia mbahet një nga vendet më të bukura për dritë-hijet që ka, por unë i rikthehem vendit tim. Nëse do të jetoja këtu mund të ndodhte e kundërta. Largësia më bën t’u rikthehem këtyre temave.

Për çfarë keni më tepër mall?

Një ditë përtej godinave arrita të shikoj Dajtin. Pas kësaj thashë: Kam ardhur në vendin tim, sepse kështu e ndjeva. Çdo shqiptar që jeton jashtë ka nevojë të ndiejë këtë lidhje me vendin, po ashtu dhe fëmijët e mi kërkojnë të rikthehen këtu, sepse ndihen mirë. Djali im i madh ka dëshirë t’i referohet Shqipërisë, sepse do të kthehet dhe të ndërtojë diçka në vendin e tij. Është arkitekt dhe bëri diçka edhe për në Bienalen e Venecias, për mënyrën se si e sheh Shqipërinë, se si betoni këtu po prish bukuritë natyrore./Shekulli

Të ngjajshme