Kampioni Olimpik Gersi Troka: Aftësitë e personave me nevoja të veçanta s’do t’i kuptoni po nuk arritët t’i aktivoni në komunitet  

30 Dhjetor, 2023 - 10:00 am

Vjollca Duraku

Me një sy prej shqiponje, ishte e para nëna e kampionit Gersi Troka ajo që e spikati talentin e djalit të saj të artë, i cili krahas sukseseve të shumta ka renditur Shqipërinë të parën në listë, në Lojërat Olimpike Speciale, të mbajtura në qershor të këtij viti në Berlin.

Ky sukses i madh i parapriu edhe një suksesi tjetër i cili u konsiderua historik po ashtu. Gersi Troka është studenti i parë me Sindromën Down i cili përmes një programi të posaçëm u regjistrua në Fakultetin e Sporteve në Tiranë, arritje kjo që i realizoi atij një ëndërr të synuar prej kohësh.

Trofeu në Lojërat Olimpikes speciale në Berlin, dhe pranimi i tij në Universitetin e Tiranës, janë vetëm majë ajsbergu i një rrugëtimi shumë sfidues për kampionin olimpik, e cila vjen në përgjithësi nga mungesa e infrastrukturës për personat me aftësi të kufizuara intelektuale.

Mirëpo disiplina, vullneti i fortë, dëshira e madhe, si dhe mbështetja e vazhdueshme nga mamaja e tij, Merita Thoma, ishin komponentët kryesorë për suksesin e vazhdueshëm të sportistit Troka brenda dhe jashtë Shqipërisë, i cili mbi të gjitha është shembull frymëzues edhe për shumë bashkëmoshatarë të tij si dhe për persona të tjerë me nevoja të veçanta.

Realizimi i një reportazhi të shkurtër për sportin e notit dhe për medaljen e arit në Lojrat Speciale Olimpike Botërore- Berlin 2023, çmimi “Inspire Awards 2023” nga UNICEF Albania, shpallja si sportisti më i mirë i vitit 2023 në mbrëmjen gala “Yjet e Sportit 2022-2023” nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, si dhe vendosja e emrit të tij në disa sondazhe të organizuara nga rrjete sociale të ndryshme, për ta nxjerrë atë personazhin e vitit 2023, janë vetëm disa nga arritjet që sportisti në fjalë i ka arritur këtë vit.

Mirëpo ‘Çmimi i Kurajës’ për arritje në sport, i ndarë nga Ambasada e Amerikës në Tiranë, ishte ai që e kishte emocionuar pafundësisht kampionin olimpik, përderisa afirmimi i tij si një person shumë i dashur e ambicioz nga pedagogët dhe studentët në universitet e kishin bërë të ndihej i plotësuar.

Në një intervistë për KultPlus, Gersi Troka ka shpalosur gjerësisht rrugëtimin e tij sfidues dhe të suksesshëm të tij deri këtu si dhe planet të cilat pritet t’i realizojë në të ardhmen:

KultPlus: Gersi Troka i solli medaljen e parë të artë Shqipërisë nga Lojërat Olimpike Speciale në Berlin. Çfarë ndjesie ka qenë për ju të përfaqësoni Shqipërinë dhe të arrini këtë sukses? 

Gersi Troka: Në fakt nuk është hera e parë që unë përfaqësoj Shqipërinë në kampionate ndërkombëtare dhe që kam valëvitur flamurin tonë të bukur kuq e zi me shqiponjën dykrenore, por në Lojërat Olimpike Speciale Botërore- Berlin 2023 ku unë fitova medaljen e artë në garën ‘200 m- stil i lirë’, ka qenë një emocion dhe një krenari deri në përlotje, ishte një gëzim i madh sepse ishte një arsye më shumë për të menduar se puna ime me vullnet, kurajo dhe përkushtim ia kanë vlejtur me të cilin arrita të nderoj veten, familjen time, gjithë Shqipërinë e shqiptarët kudo që ndodhen nëpër botë. 

KultPlus: Si ka ndryshuar jeta juaj pas kësaj fitore të madhe dhe cili është reagimi i njerëzve që ju rrethojnë? 

Gersi Troka: Gjatë kësaj kohe në jetën time kanë ndodhur shumë ndryshime, të cilat janë pritur mjaft mirë në komunitet. Unë sivjet kam filluar studimet e larta pranë Universitetit të Sporteve Tiranë në Fakultetin e Shkencave të Lëvizjes, jam ftuar në shumë media për të ndarë emocionet, eksperiencat dhe punën e palodhur që bëj për të arritur rezultate sa më të mira dhe për të qenë sa më aktiv në jetën e përditshme, duke shpresuar për të qenë inspirim për shokët e mi dhe komunitetin që përfaqësoj. Kam qenë pjesëmarrës me një reportazh të shkurtër në sportin e notit dhe për medaljen e arit në Lojërat Speciale Olimpike Botërore- Berlin 2023 dhe i ftuar në “Art Without Limit Film Festival” në Prishtinë, si dhe shumë çmime të tjera.

KultPlus: Çka ju nxiti të filloni me sportin e notit dhe kur ishte momenti që ju e kuptuat që ky sport është për ju? 

Gersi Troka: Notin e kam filluar që kur kam qenë 9-10 vjeç ose para 13-14 viteve. Fillimisht e nisa si domosdoshmëri meqenëse ja rekomanduan mamit tim si një nga sportet që do të më ndihmonte në zhvillimin tim fizik, intelektual dhe shëndetësor.

Gjatë kësaj kohe mamaja dhe trajnerët e mi vunë re se unë po ecja mirë në sportin e notit dhe që mund të aktivizohesha nëpër kampionate ndërkombëtare që zhvilloheshin për personat me Sindromën Down në veçanti dhe për personat me aftësi të kufizuara në përgjithësi. Kështu që unë që në vitin 2016 marr pjesë në kampionatet ndërkombëtare botërore dhe evropiane të notit nëpër shtete të ndryshme të botës, me mbështetjen e fondacionit Down Syndrome Albania dhe organizatës sportive Special Olympics Albania, si dhe në kampionate individuale siç ishte rasti tani në Nëntor në Angli, ku fitova një medalje argjendi dhe një bronzi.

KultPlus: Cili ka qenë momenti më i vështirë gjatë karrierës tënde? Si arrite të përballesh me sfidat dhe ku gjete motivin të vazhdosh përpara? 

Gersi Troka: Në fakt nuk është se kam ndonjë moment specifik që mund ta përmend si një nga momentet e mia më të vështira, por do të thoja se i gjithë rrugëtimi im gjatë karrierës time si sportist ka qenë dhe mbetet një sfidë e madhe për vetë kushtet dhe mundësitë jo shumë të përshtatshme që janë në vendin tonë, për personat me aftësi të kufizuara intelektuale. Unë personalisht bashkë me familjen time dhe trajner Gentin, kemi pritshmëri të larta për rezultatet e mia në sportin e notit, sepse pasi fitova medaljen e arit, unë duhet të bëj një stërvitje akoma dhe më të fortë dhe intensive për ta ruajtur këtë nivel gjë e cila nuk është dhe shumë e lehtë, pa mbështetjen dhe të institucioneve lokale e vendore, por dhe nga bizneset e individë donatorë. 

KultPlus: Ambasada amerikane ju ndau ‘Çmimin e Kurajos’, për arritjet në sport, çfarë ndjenje është kur vlerësohesh, ju motivon kjo edhe më shumë? 

Gersi Troka: Ashtu siç e thashë edhe më sipër, përveç shumë vlerësimeve që mu bëmë pas marrjes së medaljes të artë, një nga çmimet që më bëri të ndjehem krenar dhe i vlerësuar ishte dhe “Çmimi Kurajos” që më dorëzoi Ambasada Amerikane. Por ky çmim në të njëjtën kohë më vuri përpara përgjegjësisë për të punuar edhe më shumë, në mënyrë që ta justifikoj këtë vlerësim dhe për t’ju treguar të tjerëve që mos tu shikojnë gunën, por tu shikojnë punën personave me aftësi të kufizuara intelektuale

KultPlus: Ju keni nisur edhe universitetin duke u bërë kështu studenti i parë me Sindromën Down në historinë e vendit e duke u kthyer në frymëzim për shumë të rinj. Si është mirëpritur Gersi? 

Gersi Troka: Në muajin tetor fillova studimet e larta në Fakultetin e Shkencave të Lëvizjes pranë Universitetit të Sporteve Tiranë, pasi Ministria e Arsimit dhe e Sporteve hapi një kuotë të veçantë si sportist elitar në emrin tim. Kështu u bë realitet ëndrra ime që e kisha kërkuar para tre vitesh kur unë mbarova shkollën e mesme, por që nuk u realizua, pasi nëpër universitetet e vendit tonë nuk ka kuota për personat me aftësi të kufizuara intelektuale. Natyrisht që jam shumë i gëzuar dhe i plotësuar, por në të njëjtën kohë ndjehem shumë i emocionuar kur shumë njerëz e sidomos prindër të personave me aftësi të kufizuara intelektuale shikojnë tek unë një shpresë dhe një inspirim për të vazhduar interesimin dhe përpjekjet qe dhe fëmijët e tyre do t’ia dalin dhe do të jenë të përfshirë në të gjitha fushat e jetës, domethënë të gjithë bashkë për gjithëpërfshirje.

Në universitet jam i mirëpritur si nga pedagogët po ashtu edhe nga studentët. Shikoj një aprovim dhe një mbështetje për prezencën time si student atje dhe janë të gatshëm për të më ndihmuar në të gjithë programin mësimor. Në këtë aspekt shumë më ka ndihmuar edhe programi individual që është aprovuar me shkresë të veçantë nga rektori i universitetit, program i cili mendoj se duhet të shoqërohet edhe me program mësimor specifik për të gjitha lëndët. 

KultPlus: Si do të inkurajonit të tjerë persona me aftësi ndryshe, që të mos dorëzohen në ndjekjen e ëndrrave dhe pasionit të tyre? 

Gersi Troka: Përpara së gjithash, do ju bëja thirrje prindërve që kanë fëmijë, qofshin të vegjël apo të rritur, me aftësi të kufizuara intelektuale që ta pranojnë problemin që mund të shikojnë tek fëmijët e tyre, qoftë sindroma down, spektri autik apo dhe prapambetje në zhvillim. Pastaj të interesohen e të marrin informacion se si duhet punuar për zhvillimin e tyre, ti nxjerrin, mos të kenë turp, apo të druhen nga shoqëria dhe reagimi i saj. Gjithmonë të mendojnë se fëmijët e tyre mund të ja dalin dhe mund ta bëjnë çdo gjë që ju duhet ta bëjnë. Ju them moshatarëve të mi dhe gjithë komunitetit që përfaqësoj, të kenë vullnet, të punojnë e të luftojnë që të jenë të aftë për ti bërë ballë jetës, të përpiqen që të jenë sa më të pa varur dhe të kenë më shumë besim në veten e tyre. 

KultPlus: A ka ndonjë person që ju ka frymëzuar në rrugën tuaj sportive? Çfarë këshillash keni marrë nga ky person? 

Gersi Troka: Në fakt kam një person që e kam si idhull dhe kam shumë dëshirë të bëhem si ai dhe t’i arrij rezultatet e tij. Ky është Michael Phelps, një notar amerikan që quhet dhe “Peshkaqeni”, i cili ka pasur rezultate shumë të mira në not pra është një kampion botëror, i cili aktualisht është një trajner noti për fëmijë. Ndërsa si person që më jep mbështetje shumë të madhe, që më tregon se sa i vlefshëm është sporti i notit, sa të rëndësishme janë rezultatet që kam arritur dhe që është shtysa kryesore në çdo gjë që bëj, e në çdo rezultat që kam arritur deri tani, është mami im. Kurse për stërvitjen e notit, stilet dhe teknikën që duhet të bëj gjatë stërvitjes dhe gjatë garave është trajneri im Gentian Lama. Prandaj të gjitha medaljet, diplomat dhe së fundi medaljen e arit që kam fituar, i ndaj me trajnerin sepse të dy kemi punuar dhe po punojmë fort për rezultate sa më të mira. 

KultPlus: Si mund të kontribuojë sporti në përmirësimin e jetës dhe vetëvlerësimin e një personi? 

Gersi Troka: Sporti është një nga faktorët kryesorë që ndikon në përmirësimin e jetës duke ndihmuar në zhvillimin fizik, intelektual dhe shëndetësor të njerëzve në përgjithësi dhe të personave me aftësi të kufizuara në veçanti. Sporti ndihmon të jesh i pavarur, ndihmon në mbajtjen e trupit në formë elegante e të shëndetshme, ndihmon që ta shikosh jetën më me pozitivitet dhe mbi të gjitha sporti të forcon sigurinë në vetvete. 

KultPlus: A ka ndonjë ritual ose rutinë që të ndihmon të përgatitesh dhe të jesh në formë optimale për garë? 

Gersi Troka: Unë pasditen e kam të zënë me stërvitje në pishinë edhe kur nuk kam ndonjë kampionat përpara për të garuar. Një sportist i mirë duhet të stërvitet gjithmonë për të qenë i gatshëm për kampionatin e radhës. Zakonisht unë stërvitem tre herë në javë, me nga dy orë stërvitje në ditë. Ndërsa kur kemi për të garuar në ndonjë kampionat, stërvitjen e bëjmë më intensive nga e hëna në të premte, meqë dhe konkurrenca është shumë më e madhe. Bashkë me trajnerin përgatitemi fort jo vetëm nga ana fizike (stërvitja në pishinë) dhe mënyra e të ushqyerit, por edhe nga ana shpirtërore dhe emocionale për të shtuar sa më shumë besimin tek vetja se do të arrijmë rezultate të mira. 

KultPlus: Cila është kritika juaj më e madhe për shoqërinë dhe institucionet për mënyrën se si trajtohen personat me aftësi ndryshe tek ne? 

Gersi Troka: Sa herë që më jepet mundësia, nëpër media, në aktivitete apo dhe nëpër takime të ndryshme, kam bërë thirrje dhe kam dërguar mesazhe për të gjithë shoqërinë në përgjithësi por edhe për institucionet lokale, vendore e qeveritare, që të tregojnë më shumë vëmendje dhe kujdes të veçantë për personat me aftësi të kufizuara në përgjithësi dhe për personat me aftësi të kufizuara intelektuale në veçanti. Të punojnë që ata të përfshihen në buxhetin shtetëror, të mbështeten me projekte, të krijohen mundësi, të përfshihen në të gjitha fushat e jetës, pra të ketë një gjithëpërfshirje në jetën e vendit, në arsim, art, sport, në politikë dhe në vendimmarrje. Po nuk u mbështetëm e po nuk u aktivizuam nuk do të jenë në gjendje të kuptojnë e të shikojnë aftësitë, e jo paaftësitë tona, pra nuk do të mundin të shikojnë se çfarë jemi ne në gjendje të bëjmë.

Në mbrëmjen gala që u organizua nga KOKSH- Yjet e sportit shqiptar 2022-2023, u tha se ne në vendin tonë kemi ligjin “Për Sportin” më të mirë në rajon, por unë do të thoja që do të ishte akoma dhe më i mirë nëse në këtë ligj do të përfshihet e njihet si organizatë sportive edhe Special Olympics Albania, në mënyrë që dhe ne atletët e saj të përfitojmë sa më shumë aktivitete,  ambiente për stërvitje, materiale sportive ndihmëse por edhe shpërblime monetare kur fitojmë medalje nëpër lojëra olimpike apo dhe kampionate botërore dhe evropiane bashkë me trajnerët tanë.

Mua që fitova medaljen e arit në not, Adi Sulës një atlet tjetër që fitoi dy medalje argjendi dhe dy bronzi në peshëngritje, po në lojrat olimpike speciale botërore Berlin 2023, si dhe trajnerëve tanë, nuk na dhanë shpërblimin që përfitojnë të gjithë sportistët elitarë medalistë në vendin tonë. 

KultPlus: Cilat janë garat e ardhshme në të cilat do të sfidohet Gersi? 

Gersi Troka: Garat e ardhshme do të jenë “Trisome Games” në Antalya në Mars 2024 për personat me sindromën down, për të cilën garë do doja që të bëja një thirrje për të na mbështetur financiarisht, sepse po nuk siguruam shumën e duhur që nevojitet për pjesëmarrje në këto lojra, rrezikojmë të mos shkojmë.  

KultPlus: Cila është ëndrra juaj e ardhshme në fushën e notit dhe jashtë saj? 

Gersi Troka: Në fakt ëndrra ime në sportin e notit është që të vazhdoj të fitoj sa më shumë medalje dhe të bëhem një Michael Phelps i Shqipërisë, që të bëj krenar veten, mamin tim që më mbështet aq shumë, trajnerin tim dhe gjithë Shqipërinë. Ndërsa në jetë ëndrra ime është që kur të mbaroj universitetin të bëhem një trajner ose asistent trajner që të stërvit persona me aftësi të kufizuara intelektuale në sportin e notit ashtu siç po bën trajneri im me mua. 

KultPlus: Cili është mesazhi juaj për të gjithë bashkëmoshatarët tuaj dhe  në përgjithësi për personat me aftësi të tjera ndryshe?

Gers Troka: Mesazhi im për moshatarët dhe shokët e mi, po ashtu dhe për gjithë komunitetin që unë përfaqësoj është motoja e Special Olympics Albania: bashkë është më mirë se të ndarë! Të gjithë së bashku të përpiqemi, të ngremë zërin për çdo gjë që na duket e padrejtë, të luftojmë që të zbatohen ligjet për aftësinë e kufizuar për gjithëpërfshirjen tonë, në arsim, në art, në sport, në politikë, në vendimmarrje e në të gjitha fushat e jetës, për kushte më të mira e më të përshtatshme. Të punojmë, me vullnet e kurajo dhe asnjëherë të mos dorëzohemi, për të kaluar barrierat që na pengojnë, për të jetuar dhe ne si qytetarë të denjë të këtij vendi!/KultPlus.com

Të ngjajshme