займ на карту онлайн потребительский кредит

Gjeniu gjashtë vjeçar që fitoi garën në Dubai, për KultPlus flet nëna e tij: Fitorja e Lumit emocion i papërshkrueshëm

7 Shkurt, 2021 - 8:30 pm

Suada Qorraj

Ndonëse është vetëm gjashtë vjeçar, njohuritë dhe inteligjenca që posedon kalojnë normalen, duke bërë kështu Lum Rrahmanin, djalin e vogël me inteligjencë superiore. Fillimi i këtij viti ishte i mbarë dhe me shumë suksese për Lumin, ai arriti që të zërë vendin e parë në garën ndërkombëtare të organizuar nga Brainobrain të mbajtur virtualisht në Dubai, shkruan KultPlus.

Lumi është nga ata fëmijët që nuk flet shumë kur ti i bënë pyetje, madje edhe për fitoren e tij ai mjaftohet duke u përgjigjur ‘po jam ndjerë shumë i lumtur’ e më pas vazhdon duke të të thënë se ka qenë i bindur që do të fitonte.

Por për të na rrëfyer më shumë për Lumin, sukseset e tij të deritanishme, madje edhe gjërat qe i pëlqejnë të bëjë më së shumti ka folur nëna e tij Lindita Jashanica – Rrahmani.

Ajo në një intervistë për KultPlus tregon për emocionet që kanë ndjerë pas marrjes së lajmit se Lumi ka fituar në garën e mbajtur në Dubai. Sipas saj për dhjetë ditë rresht kishin pritur me padurim që të merrnin rezultatet.

“Lumi dhe Gjini ishin duke bërë detyra kur mësuesja e Lumit kishte shkruar për të na njoftuar se Lumi tashmë ishte renditur i pari në garën e mbajtur në Dubai. Fillimisht nuk ju tregova fëmijëve meqenëse nuk kisha pranuar asnjë email konfirmimi, por pak më vonë ju thash që ti lënë detyrat sepse është kohë feste. Madje festa për ne dhe Lumin ka vazhduar për ditë të tëra”, tregoi kështu nëna e Lumit.

Ajo vazhdon rrëfimin e saj duke treguar se edhe për të dhe burrin e saj ishte një emocion i papërshkrueshëm, pasi që sipas Linditës në garë merrnin pjesë mbi 25 mijë fëmijë dhe afër 52 shtete. ‘Po them gëzim, por më shumë janë ndjenja të përziera’, vazhdon ajo.

Lumi kishte filluar të përgatitej për garën një muaj më herët e për këtë Lindita thotë se ka qenë një punë që ka marrë përkushtimin e gjithë familjes, përfshirë edhe vëllaut të madh të Lumit, Gjinin.

“Koha për përgatitjen e garës nuk ka qenë bash e lehtë për shkak se ishim në punë me bashkëshortin dhe gjithmonë ktheheshim vonë pasdite në shtëpi. Por, Gjinin çdo herë e ka pasur krahë të djathtë, sepse gjatë ditës ata çdo herë kanë ushtruar bashkë. Madje gjatë tërë kohës sa ushtronin më dërgonin video për të më treguar rreth punës së tyre”, pohoi Jashanica – Rrahmani për KultPlus.

Madje për këtë foli edhe vëllau i Lumit, Gjini i cili tha se ushtrimet nuk ishin çdo herë të lehta, sepse ndonjëherë nuk ishim të dy dakord që të ushtronin.

“Nuk ka qenë e lehtë sepse ndonjëherë unë nuk isha i gatshëm që të ushtroja e ndonjëherë nuk ishte Lumi”, shtoi Gjini.

Por, për Lumin fitorja në këtë garë nuk ishte suksesi i tij i vetëm, ai qysh në klasë të parë ka marrë bursë të plotë studimi në shkollën ‘Akademia Ora’.

Nëna e Lumit vazhdon rrëfimin e saj duke treguar se si e kishin vërejtur që Lumi ishte ndryshe nga fëmijët e tjerë. Ajo thotë se që nga mosha tre vjeçare ata kanë filluar të vërejnë që Lumi kishte filluar t’i njoh numrat e shkronjat.

“Lumi i ka pasur vetëm katër vjet kur ka mësuar tabelën e shumëzimit, duke e dëgjuar vëllaun e tij Gjinin”, shton ajo.

Lindita me përplot krenari tregon se djali i saj tashmë është pjesë e institutit ‘Atomi’. Ajo madje pohoi se pas disa testeve që i janë bërë nga ky institut është rezultuar se Lumi ka një IQ prej 145, që e bënë atë të hyjë në kategorinë e gjenive.

“Tabelën e shumëzimit e ka mësuar kur i ka pas katër vjet, vetëm duke e dëgjuar Gjinin. Kurse ka filluar të lexoj kur ishte tre vjeç, lexonte disa libra me kafshë ku duhej të vendosej kafsha e duhur në numrin e duhur dhe Lumi i vendoste vet, madje edhe i lexonte numrat”, pohoi ajo.

Matematika nuk është gjëja e vetme që i pëlqen Lumit, ai interesohet edhe për planetet, madje i pëlqen edhe të shikojë e të luaj futboll. Nëna e tij tregon se Lumi qysh i vogël çdo herë i ka interesuar të dijë më shumë për planetet, lojtarët që luajnë në fushat sportive, madje edhe për të mësuar më tepër për qytetet ku ata vijnë.

Lum Rrahmani gëzon një përkrahje të madhe që nga familja e tij që e shoqëronte së bashku edhe në intervistën tonë, por edhe nga shokët dhe mësuesja e shkollës që tashmë punon me një plan individual me të./ KultPlus.com

Të ngjajshme