Gruaja dhe ndjekja e ëndrrave mes barrierave, subjekti i romanit të Vlera Kastratit

6 Korrik, 2019 - 2:00 pm

Bujar Meholli

Vlera Kastrati është duke u bërë emër i njohur në skenën e xhazit shqiptar. Në këtë intervistë për KultPlus, ajo tregon përvojat e saj dhe lindjen e idesë për t’i përmbledhur ato në një vepër letrare – më saktë, në romanin Anatomia e shpirtit të një kosovareje, që është autobiografik dhe i pari krijim letrar për të.

“Muzika më ka tërhequr qysh në fëmijëri”, nis bisedën ajo. “Por ishin kohëra shumë të vështira vitet 70’ e tutje, sepse situata socio-politike kishte rënduar jetët tona dhe arti, kultura, s’ishin as në plan të dytë. Të jesh vajzë atëkohë ishte dyfish më vështirë, sidomos të përpiqeshe të shkolloheshe më gjatë apo të vësh në pah talentin tënd. Ëndrrat e realizuara ishin të largëta, diku shumë larg nga Kosova e atëhershme”.

Megjithatë, Vlera me vendosmërinë e saj të paluhatur vazhdoi të kërkonte ëndrrën. Ajo nisi të shkruajë dhe kompozojë këngë, paralelisht dëgjonte artistët që kishin arritur t’i lënë gjurmët e tyre në skenën e madhe botërore. Ajo u inspirua nga ta. “Sidomos kur kam jetuar në New York, por aq sa u inspirova edhe u frikësova sepse mendoja që ëndrra për muzikën ishte vrarë tashmë në Kosovë”.

Më pas, Vlera, ndoqi orë të ndryshme në teknikë të vokalit në New York, Romë e Prishtinë, gjersa bënte karrierë në politika të arsimit, derisa arriti të ekspozohej me artistë të ndryshëm kur qëndronte jashtë Kosovës, sidomos kur qe në New York dhe Paris.

“Fillova, me gjithë vështirësitë e shumta, t’i jepja jetë ëndrrës sime. Gjatë jetës kam bërë ecejake të shpeshta, kam shëtitur e jetuar në metropole si New York-u, Roma, Budapesti, ku çdoherë gjeja inspirim dhe krahasoja jetën që zhvillohej në vendin tim me këto vende. Vërtet, dallim i madh!

Gjatë kohës sa ishte në Paris, në këtë qytet të artit dhe kulturës, asaj i lindi ideja për shkrimin e një romani. “Shihja se si jetohej e punohej, e mbi të gjitha si ëndërrohej e i jepej kuptim jetës”, thotë ajo.

“Në Montmartre duke ecur rrugëve me kalldrëm, e rrethuar nga piktorë e turistë të impresionuar, kafene, bare të muzikës, ndjeva dëshirën për ta shkruar një roman dhe për ta bërë një CD. Tek më vonë, në një moment dëshpërimi të thellë në Kosovë, fillova shkrimin e tij.   

Vlera Kastrati

Prej asaj kohe jam rritur me këtë libër. Unë dhe libri jemi shembur e ngritur, ndërtuar e rindërtuar, zhvilluar dhe pjekur, përmes rrëfimit dhe muzikës të cilat janë të ndërlidhura në pjesët e librit.

“Romani është autobiografik dhe rrëfimi e shpie lexuesin te fëmijëria jonë e vështirë mes zhurmës së helikopterëve serb, mes gazit lotsjellës e orëve mësimore të humbura nga regjimi i asaj kohe e në të gjitha kohët më pas, secila më e rëndë dhe më e pakuptimtë se tjetra. Emocionet e fshehta të shpirtit dalin në sipërfaqe, të sinqerta, lakuriq, ashtu siç janë, të mira e të këqija, me dhimbje e gëzim, me një fjalë njerëzore”. Ajo tregon se përmes këtyre emocioneve në shkrim dhe muzikë, arriti ta rikrijoi veten duke kaluar nëpër momente të vështira, të cilat i tejkaloi duke gjetur forcën e të qenurit grua dhe të bërit njeri.  

E pyetur se si e mendonte në fillim, krijimin e këtij romani, ajo përgjigjet:

“Lexoja autorët e mëdhenj që ta kuptoja jetën më mirë. Më inspiruan Ralph Waldo Emerson, Jean-Jacques Rousseau, Carl Jung, Erich Fromm, Herman Hesse e të tjerë, tek të cilët gjeja dritën e ndjekjes së ëndrrës që buronte nga çiltërsia e shpirtit. Nga romanet autobiografike që më frymëzoj më së shumti është The Man’s Search for Meaning, i autorit Viktor E. Frankl.

Dhe kështu fjalë mbas fjale, faqe mbas faqeje, libri mori formën e duhur, muzika u realizua dhe unë kalova në një fazë tjetër të rritjes, nga një jetë plot dhimbje e viktimizim në një jetë të mbushur me guxim, dashuri e ëndërr, që i dhanë jetës sime kuptimin që e kishte humbur”.

Për lexuesit e KultPlusit, ajo tregon përmbajtjen e romanit si dhe ndërlidhjen e tij me muzikën.

“Jam përpjekur të sjell diçka të sinqertë, me shumë emocion e çiltërsi, për të cilën kam punuar mjaft. Vendosa për romanin sepse mundëson shpalosjen e përvojave më gjerësisht përmes prozës. Nuk mendoja për zhanrin, vetëm se vura në letër një rrëfim timin e të Kosovës, kompleks, të çiltër, e njerëzor.

Vlera premton se do ta sjell këtë roman edhe në gjuhën shqipe në të ardhmen, derisa lidhjen e muzikës me romanin e sheh si të pashmangshme.

“Këngët i kam vendosur në mënyrë që t’i shpreh emocionet e thella e të fshehura nëpër kohët dhe përvojat e jetës sime. Me fjalë rrëfeja veten e realitetin, me këngë e shëroja dhe zbukuroja atë. Ato janë të shkruara dhe kompozuara nga unë, ndërsa janë realizuar në Romë me pianistin e njohur Amedeo Tommasi që njihet për muzikë xhaz dhe film. Libri fillimisht do të dalë në gjuhën angleze, por e kam në plan ta rishkruaj ose t’ia besoj këtë ndonjë përkthyesi të dëshmuar”.

Për fund, Vlera thekson mesazhin kryesor që mëton ta transmetojë te lexuesit e krijimit të saj.

“Romani mund t’i motivojë sidomos gratë për rëndësinë e realizimit të vetes dhe jetës së tyre. Ato shpesh jetojnë për të tjerët, e më së paku për veten. Neglizhohen nga të tjerët, e po aq edhe nga vetja e tyre. Vlerësohen më së shumti për sakrificën që bëjnë për të tjerët, jo për veten. Rrallë mendojnë për ëndrrat dhe lumturinë e tyre. Për mua, ashtu si për çdo grua që e do jetën, gruaja duhet ecur përpara pa u ndalur asnjëherë, as nga vështirësitë e jetës, as nga paragjykimet patriarkale, as nga rregullat e ngurta të shoqërisë, e as kur gjithçka duket e pamundur dhe errësira duket sikur ua ka mbyllur zemrën. S’duhet ndaluar asnjëherë për t’i dhënë jetës kuptim e lumturi përmes ëndrrave të realizuara. Prandaj kënga ime që e kam publikuar I’ve Sinned (Kam mëkatuar), tregon në mënyrë simbolike që nëse ka mëkat, ai është mosrealizimi i ëndrrës tënde që të bën njeri më të plotësuar dhe të lumtur”.

Romani Anatomia e shpirtit të një kosovareje, pritet që së shpejti të dalë në treg. /KultPlus.com

Të ngjajshme