I ri në moshë, por ka lënë gjurmë në film dhe teatër, Bytyçi: Viti 2021 ishte mjaft i suksesshëm

4 Janar, 2022 - 1:29 pm

Uranik Emini

Aktori i ri, Labeat Bytyçi, ndanë me lexuesit e KultPlus vitin e tij shumë të suksesshëm 2021, duke filluar nga shfaqjet teatrore e deri te pjesëmarrja në një film me përmasa enorme.

Bytyçi tregon se në filmin ““ILLYRICVM”, mori pjesë në audicionet që janë mbajtur në Prishtinë, dhe aty fitoi rolin e “Curtius”.

Në filmin ku janë të përfshirë më shumë se 30 aktorë dhe 150 punëtorët të filmit, Bytyçi është përzgjedhur që të luajë njërin ndër rolet kryesor në këtë film.

“Kjo ka qenë një eksperiencë shumë më ndryshe prej çka jemi mësuar deri më tani, duke filluar nga tema që trajton filmi dhe periudha në të cilën zhvillohet”, thotë Bytyçi për KultPlus.

Filmi ILLYRICVM është filmi i parë në të cilin personifikohen paraardhësit e shqiptarëve, ilirët, dhe është produkt i bashkë-producentëve nga katër shtete, ndër të cilat Kroacia, Italia, Sllovenia, Bosnja dhe Kosova.

Edhe pse nuk ka ndonjë datë zyrtare se kur do të shfaqet ky film, Bytyçi njofton se filmi është në pjesën e montazhës.

“Deri më tani sa kam informacion, filmi është në pjesën e montazhës ku është menduar që të dalë në vjeshtën e këtij viti, por kuptohet që asgjë nuk është definitive”, shprehet ai.

Përpos angazhimit në film, Bytyçi ka qenë vazhdimisht duke punuar edhe në teatër.

“Kam luajtur në disa shfaqje gjatë vitit 2021, ku e fundit ka qenë shfaqja “Andorra” nga Teatri i Prizrenit, e kjo do të vazhdojë edhe për këtë vit me repriza, mund të them se viti 2021 ka qenë mjaft i suksesshëm”.

Sa i përket vitit të ri dhe planeve të reja, aktori nga Suhareka shpreson që së pari të ketë shëndet dhe planet e tij fokusohen në film e teatër. /KultPlus.com

Të ngjajshme