займ на карту онлайн потребительский кредит

Jo më vetëm Borëbardha e Kësulkuqja, Luan Rama sjellë figura të rëndësishme shqiptare nëpërmjet librave të ilustruar

17 Nëntor, 2017 - 5:30 pm

Cikli i parë kishte dalë me librat e ilustruar mbi figurat e Skenderbeut, Dora d’Istria, Ismail Qemailit dhe Aleksandër Moisiut, kurse sivjet autori i këtyre librave ka ardhë me një cikël të ri, duke sjellë librat e ilustruar me figuart e Mbretëreshës Teutë, Tefta Tashko dhe Ibrahim Kodra. Luan Rama ka thënë për KultPlus se janë këto personazhe që iu drejtohen fëmijëve dhe u tregojnë për fëmijërinë e tyre, jetën, çaste malli apo intime, për ngjarjet historike e gjer në prag të vdekjes. Një rrëfim si ato të gjyshërve…Ky projekt po vlerësohet shumë i arrirë, pasi që, për herë të parë figura të rëndësishme shqiptare po vijnë edhe nëpërmjet librave të ilustruar.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Sapo kanë dalë nga shtypi katër libra të ilustruar, të cilët janë realizuar nga ju, libra të cilët u dedikohen më të vegjëlve, si erdhët deri te kjo ide që të punoni për fëmijët?
Luan Rama:
Edhe unë pyes veten, si erdha, meqë ndërkohë kam në duar një roman, një libër historik dhe një liber të ri poetik? E habitshme të të shfaqet kështu letërsia për fëmijë. Ndoshta ngaqë shumë vite më parë në Kinsostudio, unë shkruaja skenarë filmash vizatimorë, adaptime përrallash të vjetra, tregime fëmijësh, tregime shkencore, etj, të cilat animoheshin në kuadrin e filmit. Atëherë vajzat e mia ishin të vogla dhe bota e fëmijëve në art më pëlqente, dhe ja, përsëri ajo rivjen me një aventurë të re. Në fakt ishte Rita Petro, botuesja e ALBA-s që më propozoi të shkruaja për fëmijët dhe unë iu përgjigja menjëherë duke shkruar në fillim për serinë “Më quajnë” mbi Skenderbeun, Dora d’Istria, Ismail Qemalin dhe Aleksandër Moisiun e duke vazhduar sivjet me figurat e tjera të përzgjedhura nga unë si: Mbretëresha Teuta, Tefta Tashko dhe Ibrahim Kodra. Janë këto personazhe që iu drejtohen fëmijëve dhe u tregojnë për fëmijërinë e tyre, jetën, çaste malli apo intime, për ngjarjet historike e gjer në prag të vdekjes. Një rrëfim si ato të gjyshërve…

KultPlus: Pastaj, keni përzgjedhë personazhe shumë të rëndësishme të historisë dhe kulturës shqiptare, që në formë të mësimit, duket të jenë të pakapshme për të vegjëlit, por ju zgjodhët edhe pjesën ilustrative që do ta bëjnë më të kapshme perceptimin e këtyre figurave, jeni i kënaqur me realizimin?
Luan Rama: Sigurisht ana grafike është tepër e rëndësishme, pasi veç tregimit, rrëfimit i duhet dhe ana ilustruese, fëmijët duan të shohin figura konkrete, dekore konkrete, pëlqejnë të futen në atmosferë kohrash që nuk i njohin, si p.sh. në kohën ilire, koha e Skënderbeut, koha e formimit të shtetit shqiptar në ditët e para të pavarësisë, etj. P.sh. në librin “Udhëtim në botën e pikturës shqiptare”, është gjyshi që e merr fëmijën nëpër galeri, shtëpi piktorësh, hapje ekspozitash, duke e futur në botën e pikturës, të ngjyrave, ç’janë në fakt ngjyrat, etj, dhe kështu përmes ilustimeve, fëmijët e përjetojnë plotësisht këtë botë ku alternohen dhe pikturat e vërteta, kryeveprat e këtyre artistëve nga Onufri e Shpataraku duke kaluar tek piktura e shekujve XIX dhe XX me piktorët e traditës si Spiro Xega, Kolë Idromeno, Vangjush Mio e deri tek moderni Ibrahim Kodra… Realizimi i këtyre ilustrime është tepër origjinal pasi janë tre piktorë: Semela Mero, Entela Kasmi dhe Sulid Kasmi, secili origjinal në përzgjedhjen dhe konceptimin e figurave, stilet e tyre dallohen dhe personazhet janë pikturuar me shumë dashuri e profesionalizëm. Eshtë një veshje e bukur për lëndën letrare duke e mishëruar tregimin. Kam parasysh gjithashtu dhe librin e mëparshëm “Legjenda shqiptare” me një përzgjedhje të veçantë të rishkruara nga unë, ku ilustrimet janë të jashtëzakonshme.

KultPlus: Pse përzgjodhët Mbretëreshën Teutë, Tefta Tashkon, Ibrahim Kodrën… për të prezantuar para fëmijëve?
Luan Rama:
Eshtë e rëndësishme që fëmijët të njihen më figurat tona historike. Sigurisht sot, librat për fëmijët, tregimet e huaja etj, janë të shumta, por këta janë libra konkretë ku njëkohësisht mësojnë historinë por dhe shtegtojnë në jetën e këtyre figurave: janë piketa që fëmijët do t’i ndeshin dhe më vonë si lëndë historike, letrare e artistike. Historia e një kombi krijohet e ndërtohet përmes figurave, personazheve, kontributeve historike, të cilat shpesh janë të dhimbshme por përkushtuese ndaj popullit dhe historisë.

KultPLus: Pastaj, fëmijët dinë të jenë shumë kërkues, mendoni se do të plotësojnë imagjinatën e fëmijëve karshi këtyre personazheve?
Luan Rama:
Tregimi për një figurë është një hap i parë në rrugën e fëmijëve drejt personazheve historike. Fillimisht ata mrekullohen, përjetojnë atë çka u thotë personazhi. Por pas mbarimit të librit fillon një udhëtim tjetër që ne nuk e shohim. Fëmija jeton shumë me ëndrrat. Atëherë, është ai që udhëton me personazhin. Madje fëmija është një krijues. Ai kalon në aventura të tjera me heroin, por fatlkeqësisht ne nuk i përjetojmë ato, atë e shikon vetëm fëmija. Do të ishte diçka e mrekullueshme të dinim se në ç’botra udhëton fëmija me heroin. Kjo është një fushë më vete studimi, por dhe krijimi.

KultPLus: Fëmijët shqiptarë janë mësuar që të lexojnë libra të ilustruar me përralla të njohura botërisht, ndërkaq ju keni përzgjedhë që të sillni figura shumë të rëndësishme shqiptare, sa do të ndikojë kjo metodë që fëmijët ti ofrojmë më shumë rreth historisë dhe kulturës shqiptare?
Luan Rama:
Ky është dhe qëllimi i kësaj serie: tu tregojmë fëmijëve historinë me një gjuhë të thjeshtë por dhe tërheqëse për ata. Kështu historia bëhet më e perceptueshme për një fëmijë se sa përmes një teksti historik. Dhe figurat historike janë të shumta. Edhe pse një popull i vogël, historia shqiptare është e përbërë nga ngjarje të mëdha, pasi dhe sfidat e rreziqet kanë qenë të mëdha. Një popull që është pushtuar vazhdimisht, që lakmohet për pozicionin e tij gjeografik dhe natyrën e pasur të tij, kalon përmes bëmash të mëdha, pasi perandoritë e mëdha siç e tregon historia, e kanë pushtuar me zjarr dhe me hekur, por kombi gjithnjë ka mbijetuar. Pra kjo lloj letërsie ka dhe karakter frymëzues, krenarie, etj.


KultPlus: Ky projekt është vazhdimësi e projektit të nisur një vit më parë, ku keni lansuar po ashtu libra ilustrativ me figurat e Skënderbeut, Ismail Qemajlit dhe Aleksandër Moisiut, kanë ndikuar që pikërisht këto libra të ju shtyjnë që të vazhdoni edhe me tituj të tjerë?
Luna Rama:
Po, sigurisht, kjo aventurë e bukur do të vazhdojë. Tani s’mund ta lësh në mes, duhet vazhduar, pasi e presin lexuesit e vegjël. Një libër të shtyn për një libër tjetër, një hero të çon tek tjetri, dhe kjo s’ka të bëjë vetëm me historinë por dhe me artin, do të ketë dhe figura që lidhen me shkencën, etj. Pra do të jetë gjithëpërfshirës. Dhe jam i gëzuar që ALBAS mundësoi për një seri të tillë. Eshtë një galeri e pafund personazhesh, protagonistësh historikë, krijuesish të mëdhenj, artistë e letrarë të mëdhenj, muzikantë,, etj, krijues që kanë kapërcyer kufijtë kombëtarë.

KultPlus: Librat tashmë mund të gjinden në Albas, keni menduar edhe ndonjë formë tjetër që këta libra të jenë më afër fëmijëve?
Luan Rama:
Besoj që ALBAS bën një punë shumë të mirë në përhapjen e librit, që libri të shkojë pranë fëmijëve. Ajo organizon gjithnjë takime letrare me shkollat. Kjo është një fushë, por ka dhe fusha të tjera të komunikimit si emisionet televizive, radiofonike, etj. Fëmijët janë të etur për librin. Ata nuk duhet të mbeten vetëm me sytë tek televizori, pasi kjo është e rrezikshme për zhvillimin e trurit, çka shkencëtarët e sotëm në Perëndim e kanë shtruar me forcë të madhe. Po kështu, filmi e ngushton kufirin e imagjinatës, ndryshe nga libri, ku fëmija i kapërcen kufijtë e librit, dekorit të propozuar, dhe del nga këto kufij në territore të tjera dhe në aventura të reja. Pikërisht kjo e zhvillon trurin e fëmijës.

KultPlus: Dhe për fund, sa ka hapësirë që duke u bazuar në historinë dhe kulturën shqiptare të nxjerrim edhe libra të tjerë, pikërisht duke iu referuar figurave të rëndësishme shqiptare?
Luan Rama:
Thashë, është një fushë e pafund. Pasi një njeri që është kthyer në një figurë historike ka kapërcyer shumë sfida të jetës. Heronjtë, njerëzit e shquar të artit e shkencës, nuk krijohen kollaj. Ata bëhen në rrethana të caktuara shoqërore dhe në këto rrethana ata spikasin. Dhe është ky emocion, ky përkushtim i tyre për progresin dhe vlerat e tjera humane që duhet përcjell tek lexuesi i vogël./KultPlus.com

Të ngjajshme