Ka shijuar sukseset e Kanës e Toronto International Film Festival, Liridon Rashiti tash e dëshiron edhe një film me Kosovën

14 Shtator, 2018 - 8:23 pm

Gili Hoxhaj

Ani pse suksesi i tij në Kanada është i pakontekstueshëm, synimet e tij janë përtej kësaj. Prezantimi i suksesshëm në shumë projekte filmike, veçse ja ka shtruar rrugën për të kaluar kufijtë e Kanadasë. Ambiciet mund t’i mbështet tashmë në talentin e përvojën në dhjetëra projekte filimike dhe seriale telvizive atje, në disa prej tyre ku është prezantuar edhe me rol kryesor, ndërsa pas shumë vitesh në këtë fushë, ai është dëshmuar edhe në rolin e skenaristit dhe regjisorit.

I lindur në Gjilan në vitin 1991, luftën e përjetoi në moshën 7 vjeçare, ku familja e tij, si shumë të tjera në atë kohë, morën rrugën e largimit nga Kosova, për t’u zhvendosur në Montreal të Kanadasë. Në vitin 2009, ka shkruar dhe bashkëprodhuar një film “Refuge” që lidhet me historinë e Kosovës, ndërsa thotë se edhe më tutje planet e tij lidhen me mundësinë për ta prezantuar Kosovën sa më shumë me anë të projekteve të tij filmike. Liridon Rashiti, aktori i shumë roleve kryesore në Kanada dhe që ka luajtur përkrahë aktorëve më të njohur atje, thotë se me shumë kënaqësi do të luante edhe në ndonjë film shqiptarë.

Filmat ku ai ka luajtur kanë ecur në shumë festivale të ndryshme, ndërsa filmi “AvecJeff à moto” është përzgjedhur në 15 filmat më të mirë të kategorisë, në të cilën edhe është prezantuar në Kanë.
Kurse filmi “Nous avions”, ku Reshitaj ka pasur rol kryeosr, ka arritur në top dhjetëshen e TIFF (Toronto International Film Festival) ku është shperblyer me cmimin “Best canadian drama”
Pasionin e tij për aktrimin e kuptoi pak vite pas zhvendosjes në Kanada. Qysh në moshën dymbëdhjetëvjeçare kishte hetuar shkëndijat e para të këtij profesioni, që do ta përcillte gjatë viteve në vijim. Duke mos e njohur dikë që merret me këtë profesion, interneti ishte bërë shtylla ku kishte mbështetur fillimisht njohuritë për të depërtuar në skenën e aktrimit.

“I kam pasur shtatë vite kur jemi vendosur në Kanadë me familjen, pastaj jemi adaptuar atje dhe e kemi mësuar gjuhën frënge dhe atë angleze. Qysh në moshën 12 vjeçare, më është shfaqur interesimi për aktrim por s’kam ditur si t’ia filloj, ndërsa pas kthimit nga një vizitë e shkurtër në Kosovë, në moshën 15 vjeçare kam filluar të merrem më seriozisht dhe kam filluar kërkimet me anë të internetit. Në fillim kam bërë projekte falas, pasi që kam dashur të bëjë eksperiencë dhe pastaj e kam krijuar një demo të skenave ku kam luajtur dhe ua kam dërguar agjentëve për t’u prezantuar dhe pastaj më ka thirrur një agjent, dhe qysh atëherë kam filluar të shkojë në audicione në mënyrë profesionale, duke u përfshirë në role në seriale televizive, e pastaj dhe në filma”, ka thënë ai.

Sipas tij, të ushtruarit e profesionit të aktorit, ia mundëson atij që t’i ushtrojë shumë profesione. Ai tha se qëllimi i aktorit është që ta bëjë publikun të përjetojë një eksperiencë të mirë gjatë kohës sa e shikon një film.
“Gjithmonë kur më kanë pyetur se çfarë dëshiron të bëhesh, u kam thënë aktor, pasi që aty mund të bëhem qoftë doktor, avokat apo çfarëdo profesioni, mund të bëhem njeri i mirë apo njeri i keq. Qëllimi ynë është që spektatori të mësojë diçka përmes filmit apo të dalë më i qeshur prej tij, pra ta tejkalojë një moment jo shumë të mirë të jetës së tij”, tregoi Rashiti.

“Refuge” titullohet filmi i parë me skenar dhe bashkëprodhim të Rashitit, në të cilin edhe aktron. Në këtë film të realizuar në vitin 2009, ai ka dashur të fus edhe realitetin kosovarë.
“Filmi i parë që e kam bërë është “Refuge”, në këtë film kam dashur ta fus edhe historinë e Kosovës, pasi që njerëzit nga atje as që e dinë se çfarë ka ndodhur në Kosovë dhe ende e ndij nevojën për t’i treguar njerëzve se çfarë ka ndodhur në Kosovë dhe dua ta prek historinë time. Kosovën e kam në zemër dhe dua që njerëzit të dinë më shumë, pasi që njerëzit nuk e njohin shumë këtë vend”, tregon ai për KultPlus.

Ai së fundmi është i përfshirë edhe në serialin televiziv “Bluemoon”, i cili ka një shikueshmëri shumë të lartë në Kanada dhe tani do të fillojë sezonin e dytë. “Ky serial televiziv ka një shikueshmëri të lartë në Kanada pasi që janë të përfshirë shumë aktorë të njohur atje. I ka tre sezone dhe tani fillon sezoni i dytë, i cili i ka dhjetë episode dhe jam i përfshirë në të gjitha episodet të cilët zgjasin nga një orë”, tregon Rashiti.

Ai thotë që kinematografia në Kosovë po shkon duke u përmirësuar në krahasim me vitet e kaluara dhe për këtë thotë se mund të kenë ndikuar edhe bashkëpunimet me vendet e huaja. Rashiti thotë se me shumë kënaqësi do të luante në një film shqiptarë.

“Kam shumë dëshirë të punoja këtu në Kosovë, pasi që dua të punojë edhe në gjuhën shqipe. Nëse me ofrohet një rol, pavarësisht a është i vogël apo i madh do të punoja, pasi që dua të kem edhe një rol në gjuhën shqipe, pasi që është gjuha ime e parë”, tregon Rashiti.

Serialet telvizive ku ka luajtur aktori Liridon Rashiti janë “Bluemoon”, “L’honnerquitue”, “Destinees VI”, “LesBobos”, “Lessiou- bacon”, “Toute la verte II”, “Un teour si proche” dhe “Vrak la vie”. Projektet filmike ku është preznnatuar Reshitaj janë: “Nousavions”, “Diegostar”, “Lesmafiozoo”, “A moto avecJeff”, “Hate”, “Fatal bazooka”, “Refuge”, “Sëimminpoolcabaret”, “Cinq”, “La loi de ma rue” ./ KultPlus.com

Të ngjajshme