Luljeta Bozo- gruaja minierë mbi tokën shqiptare

30 Dhjetor, 2023 - 4:00 pm

Vjollca Duraku

U desh një lëkundje dhe shpërthim i fuqishëm si ai i tërmetit të 26 nëntorit, që përkundër të gjitha dëmeve të shkaktuara, toka të nxirrte në sipërfaqe një margaritar që si duket e kish mbajtur brenda dhe e kish farkëtuar për 77 vite me radhë, për ta nxjerr më pas në sipërfaqe, në një kohë shumë delikate dhe të brishtë për të gjithë popullin e saj. Fjala është për profesoreshën Luljeta Bozo, e cila jetën e saj i kishte kushtuar dherërave, tokës dhe ndërtimit, me të cilën lëmi kish marr edhe titullin Professor Emeritus.

‘Zonja që vrau Tërmetin’ ishte një epitetet i cili iu dha profesoreshës Bozo, pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019, e cila me profesionalizëm, përvojë, qetësi dhe çiltërsi, arriti t’i qetësonte mendjet dhe zemrat e shqiptarëve nga tronditja e cila i zuri në befasi të gjithë të tjerët, përveç saj.

Një tërmet të tillë e kishte përjetuar në rininë e saj, Bozo, përderisa një tjetër i përmasave të njëjta, sipas matjeve sizmologjike, ishte parashikuar të ndodhte pas 45 vitesh. Fiks ashtu siç ndodhi. Tërmetin me shumë qetësi ajo e quante fenomen natyror, duke e shmangur fjalën fatkeqësi, ndërsa tmerrin dhe panikun e qytetarëve, e quante mungesë informacioni për atë se çfarë është tërmeti dhe si do të mund të mbroheshin prej tij. Dhe nga e tërë kjo, natyrshëm lind pyetja, pse dhe nga e gjithë kjo urtësi? Pa dyshim, përveç tjerash, këtë do ta mundësonte vetë përvoja e saj e gjatë 81 vjeçare.

E lindur në Tiranë më 2 tetor 1942, me rrënjë nga Palasa e Vlorës, profesoresha Bozo u rrit në një familje në përbërje me dy prindërit, tre vëllezër dhe një motër. Një shtëpi e vogël, me një oborr ku të vendosura kishin mjete dhe objekte sportive në të cilat bashkë me babain e tyre dhe fëmijët e tjerë të lagjes ushtronin sport, me gjasë ishte ajo streha e sigurtë dhe e ngrohtë, me plot elemente dhe shprehi të shëndetshme, që shërbeu si parapërgatitje për atë që do të krijohej më pas.

Edhe detyra tjera të ndara sipas moshës, por jo sipas gjinisë, duke filluar nga kultivimi i kopshtit, sharrimi i druve, dhe pastaj përfundimi i punëve të shtëpisë e cila rrallëherë ishte pa mysafirë, duket sikur  personazhin në fjalë e kishin pajisur me përgjegjësi dhe disiplinë për tërë jetën, me të cilat çau pastaj në pothuajse të gjitha fushat, me një dashuri të madhe për punën dhe njerëzit në përgjithësi.

Më 1 mars të vitit 1964, jeta e saj mori tjetër kahje, por të bukur gjithashtu. Martesën me regjisorin Todi Bozo ajo e përshkruan nga ato më të rrallat, me një dashuri dhe përkujdesje të jashtëzakonshme deri në detaje, ku për plot 53 vite me radhë, përveç dashurisë së madhe që ai ia shfaqte çdo ditë, në çdo përvjetor të martesës ai përkujdesej që në tavolinë t’i sillte lulet Narciss të cilat ajo i kishte mbajtur në dorë në ditën e martesës. Jetën e tyre e kishin begatuar edhe ardhja në jetë e dy fëmijëve të tyre, të cilët shumë natyrshëm morën nga disiplina e së ëmës, e cila krejt të vegjël i kishte mësuar të zgjoheshin në 5 të mëngjesit për të shkuar në kopsht, e cila në atë kohë në njërën dorë mbante biçikletën e saj, dhe në tjetrën karrocën e fëmijëve.

Sa i përket Fakultetit të Inxhinierisë, profesoresha Bozo kishte arritur ta përfundonte me kohë, një vit pas martesës, për tu punësuar më pastaj në Universitetin e Tiranës, punë nga e cila praktikisht nuk u pensionua kurrë. Në këtë lëmi ajo e dha tërë kapacitetin e saj energjik dhe shpirtëror, dhe nga pasioni për hulumtimin shkencor i cili iu injektua vetëm pasi ajo filloi punën në Universitet, bëri që ajo të nxjerrë qindra inxhinier shumë të zotë ndër breza.

“Që në shkollë të mesme, kur fillojnë e shfaqen dëshirat e tua për të ardhmen, e kam patur shumë pasion fizikën, gjeologjinë dhe shkencat teknike. Kur mbarova Universitetin Shtetëror të Tiranës në vitin 1965, më emëruan si bashkëpunëtore shkencore e më pas asistente pedagoge pranë profesoreshës time të nderuar, Efigjeni Floqi. Që nga ajo kohë unë u dashurova me kërkimin shkencor, me kërkimet dhe eksperimentet në laborator dhe sidomos në fushën e Mekanikës së Dherave që ishte pa fund me ( pse-ra ) dhe të panjohura , si edhe baza e gjithë shkencave të shumta të Gjeoteknikës”, ka thënë profesoresha Bozo.

Pasioni i saj për punë, përgatitja e mirë profesionale kishin bërë që ajo gjatë gjithë jetës së saj të punonte në një drejtim të dominuar nga burrat, në pozita të barabarta, pa u ndier asnjëherë inferiore, ndryshe siç ndodh tani kur në gjithë botën kërkohet trajtim i barabartë i grave në shoqëri.

“Në kohën kur studiova unë në Fakultetin e Inxhinierisë (1960-1965) në auditor ishin rreth 250 djem dhe 4 vajza. Pra, në atë periudhë inxhinieria dominohej prej burrave. Por jo vetëm në universitet por edhe gjatë gjithë jetës time unë kam punuar më shumë me burrat sesa me gratë, në pozita të barabarta, duke diskutuar e bashkëpunuar me ta për çdo lloj problemi teknik e shkencor, dhe asnjëherë nuk jam ndjerë keq në këtë mjedis profesionistësh. Përkundrazi më kanë vlerësuar dhe i kam vlerësuar kolegët e mi për çdo arritje në fushën tonë të inxhinierisë. Ndërmjet profesionistësh të vërtetë nuk gjejnë vend ndjenja të tilla si smira, xhelozia, egoja e sëmurë, por kjo varet nga karakteri dhe formimi i personit”, ka thënë zysh Luli (ashtu siç i referohen të gjithë studentët e saj), e cila rrezaton një energji solare, që të jep ngrohtësi vetëm nga pamja e saj krejtësisht natyrale.

Ajo pastaj tha se në Universitetin e Tiranës ka shumë kohë që ky sektor nuk dominohet më nga burrat, pasi në vitet 1970/80 gjysma e studentëve në Fakultetin e Inxhinierisë dhe në atë të Inxhinierisë së Ndërtimit ishin vajza, përderisa sot në projektim, zbatim dhe eksperimentim ndonjëherë ka më shumë vajza e gra, sesa burra.

Gjatë 58 viteve punë në Universitete, prej të cilave 45 në Universitetin e Tiranës, ndërsa 13 të tjera pas pensionimit në Universitete private ku vazhdon edhe sot të jetë aktive, punën me studentët ajo e ka çmuar gjithmonë nga ku ka dhënë dhe ka marrë shumë. Përkundër titujve dhe të gjitha vlerësimeve të tjera, mirënjohjet e studentëve janë ato të cilat ajo i vlerëson më së shumti.

“Gjatë 58 viteve punë të pandërprerë në Universitet, 1965-2023, kam marrë pafund vlerësime nga institucionet dhe kolegët. Por mirënjohjet e studentëve janë më të sinqertat, më të përzemërtat e më të bukurat, sepse energjia dhe dashuria e tyre më kanë bërë të ndihem gjithmonë e re”, shtoi më tej ajo, duke thënë që suksesi i studentëve të saj edhe me disa përparësi të cilat në kohën e saj nuk ekzistonin, ia mbushin shpirtin plotë.


“Ish studentët e mi më bëjnë gjithnjë krenare dhe ma mbushin shpirtin plot, kur shoh se sa mirë punojnë (brenda e jashtë vendit), se ku kanë arritur në institucionet ku punojnë, se si shkëlqejnë kudo si njerëz e profesionistë. Ata sot kanë shumë përparësi për të treguar aftësitë e talentin e tyre, të cilat në kohën tonë nuk i kishim. Kanë kompjuterë, kanë programe të ndryshme llogaritjesh, kanë teknika laboratorike shumë të avancuara, kanë në dispozicion teknologji shumë të përparuara dhe materiale të reja. Megjithatë asnjë nga këto përparësi nuk do të kishim mundësi t’i shfrytëzonin aq mirë, nëse nuk do të kishin bazamentin e fortë që është Universiteti që i ka formuar”, ka thënë profesoresha Bozo e cila gjithashtu kishte punuar edhe në laborator, e më vonë edhe në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Në këtë stad të jetës, Bozo ndihet e plotësuar. Gjatë jetës së saj të gjatë profesionale, ajo ka botuar 3 monografi, 35 libra, mbi 80 artikuj e referime në kongrese dhe revista të ndryshme, 15 udhëheqje doktoratash (PHD), ka qenë anëtare e Komiteteve Shkencore në mbi 15 Konferenca Ndërkombëtare në fushën e Gjeoteknikës, dhe udhëheqëse pa fund në diploma studentësh. Por, ajo më tutje shton se ende ka disa plane në fushën e kërkimit dhe të botimit, që nëse do ta lejojë mosha, shëndeti dhe aktiviteti shumë i madh e me përgjegjësi edhe si deputete në Parlamentin e Shqipërisë, ka ndër mend t’i realizojë në të ardhmen.

Si një grua shumë e pasur në karrierë dhe në jetën familjare, ajo thotë që njeriu për të arritur qëllimet e tij duhet të vendos një ekuilibër mes tre komponentëve të rëndësishëm të jetës së tij siç janë: Shkollimi dhe edukimi i vazhdueshëm gjatë gjithë jetës; Zhvillimi i një karriere të suksesshme mbi bazën e faktorit të mësipërm, si dhe krijimi i një mjedisi familjar ku ka dashuri, mirëkuptim, kujdes për njëri-tjetrin, sakrificë nga të gjithë, pasi është i vetmi vend që jep ngrohtësi, diell dhe dritë që të frymëzojnë e të japin fuqi për të punuar më tej. Pra, sipas saj karriera pa mjedisin familjar nuk mund të të plotësojë dhe të të jap kënaqësinë që një individ mund të pret nga jeta.

“Një nga faktorët e suksesit tim ka qenë familja ku jam lindur e rritur si dhe familja ime që unë krijova me bashkëshortin tim Todin. Familja është qeliza bazë e shoqërisë. Aty formohen gjithë tiparet e karakterit të njeriut, aty përgatitet fëmija për të përballuar vështirësitë e jetës e të punojë pa u lodhur për të arritur qëllimet e tij. Pa një familje të tillë ku ajo që vlerësohet është ndershmëria, puna, vullneti, shëndeti fizik, dashuria dhe respekti, këmbëngulja, guximi dhe trimëria, është e sigurt që nuk do të kisha arritur gjithçka që u përmendën më lart”, ka thënë gruaja e cila u përkujdes që të mos lejonte pa celebruar asnjë festë familjare, këtu duke përfshirë edhe ditëlindjet e katër stërnipërve të saj në ditët e sotme.

Më tej, profesoresha nga përvoja e saj e gjatë shtoi se njeriu varësisht nga zgjedhjet që bën, në përgjithësi fatin e tij e përcakton vetë, këtu duke përjashtuar vetëm bashkimin dhe përshtatjen me bashkëshortin e saj, me të cilin pati një lidhje të thellë emocionale mendore dhe shpirtërore, dhe një jetë të cilën çdo kush do ta ëndërronte. Kjo përshtatje aq e madhe me bashkëshortin e saj, e shtyu atë të mendoj që përveç gjërave që njeriu mund ti’ zgjedhë dhe t’i realizojë vetë, që këtu të ketë edhe diçka të rezervuar nga inteligjenca e jetës.

“Njeriu në jetë vjen gjithnjë me një mision të caktuar. Po s`pati një mision, një objektiv, një qëllim, jeta është e pakuptimtë. Për arritjen e tij, secili prej nesh shfrytëzon genin e trashëguar nga familja, por sa do i zgjuar dhe inteligjent të jesh, asgjë nuk arrihet  pa punë, vullnet, këmbëngulje e vendosmëri. Pra fatin e tij njeriu në përgjithësi e përcakton vetë”, tha profesoresha e realizuar në çdo aspekt të jetës së saj, duke përmendur edhe sfidat me të cilat ishte përballur për 8 decenie, ku natyra e saj optimiste nuk e kishte lënë të ndihej asnjëherë e pashpresë.

“Sigurisht në jetën time të gjatë 81-vjecare jam ndjerë ndonjëherë e sfiduar, por asnjëherë e pa shpresë. Në çdo sfidë të kaluar (sepse jeta nuk është fushë me lule) nuk e kam humbur shpresën. Nga natyra jam optimiste dhe pranoj të jap e të marr vetëm energji pozitive. Energjinë negative e shumëzoj me zero”, tha më tej Bozo duke treguar që sekreti i saj për tu bërë ballë sfidave të jetës është besimi që ajo ka brenda vetes për të arritur më të mirën, me bazë në edukimin e dhënë nga familja e saj, por gjithashtu edhe me përpjekjet pa fund, në uljet e ngritjet e jetës për të dalë gjithnjë në sipërfaqe, duke përjashtuar mundësinë e fundosjes. 

E pyetur se përse një personazh i tillë, me kaq vlera kishte ndenjur nën hije për një kohë të gjatë, ajo tha se sfidat e madha me të cilat po përballet shoqëria shqiptare, e kanë orientuar vëmendjen tek tejkalimi i tyre, porse sprovat e tilla siç janë tërmeti dhe pandemia e kanë bërë popullin më të ndërgjegjshëm sa i përket zgjerimit të njohurive në fusha kyçe me rëndësi për mirëqenien e jetës së tyre.

“Shoqëria e sotme bën një jetë shumë dinamike me shumë probleme e sfida. Kështu që vëmendjen kryesore e ka të përqendruar tek puna, tek hallet e përditshme, tek problemet familjare dhe ato të mbijetesës. Por ngjarjet e fundit (tërmeti e pandemia) i treguan asaj se duhet shtuar vëmendja në drejtim të zgjerimit të njohurive, si për të njohur këto dukuri të rrezikshme, ashtu edhe për të ditur sesi mund të mbrohemi prej tyre. Pra është gjithnjë ai momenti që e ndërgjegjëson sot shoqërinë që të mos mendojë vetëm sot për nesër, të mos jetë e pavëmendshme, por t`i interesojnë edhe profile kaq të veçanta e të ndjeshme”.

Kurse sa i përket sfidave në sistemet e arsimit në Kosovë dhe në Shqipëri ajo tha se mund të rregullohen vetëm kur pedagogu të jetë më shumë shkencëtar se sa mësimdhënës, dhe kur veprimtaria e tyre shkencore orientohet nga problemet e ekonomisë dhe shoqërisë.

“Sfidat kryesore në fushën e arsimit të lartë sot në Shqipëri, besoj edhe në Kosovë, lidhen me përmirësimin e cilësisë së këtyre institucioneve dhe kontributin që duhet të japin ato në zhvillimin ekonomiko e social të dy vendeve tona. Kjo do të arrihet kur pedagogu të jetë më shumë shkencëtar sesa mësimdhënës, kur universitetet të ndërtojnë veprimtaritë e tyre shkencore të lidhur ngushtë me problemet e ekonomisë dhe shoqërisë dhe mbi të gjitha kur pedagogët të kuptojnë (por për këtë duhet një shpërblim më i mirë i tyre) që ky profesion është në radhë të parë human e pastaj fitimprurës, pasi ata formojnë inteligjencën e kombeve dhe sigurojnë të ardhmen e tyre”, tha gjithashtu profesoresha.

Ndërsa, e pyetur se kë konsideron hero në ditët e sotme ajo tha se një term i tillë është mjaft kompleks, i cili varet nga periudha së cilës i referohemi dhe nga shumë faktorë të tjerë. Për ditët e sotme me një emër të tillë, ajo i quan gratë shqiptare të cilat luftojnë për familjen, për dinjitetin dhe personalitetin e tyre kundër çdo dhune dhe abuzimi dhe që me kontributin e tyre çojnë përpara ekonominë, artin, kulturën, shkencën. 

Dhe krejt në fund, profesoresha me një bagazh të madh jetësor ka një mesazh për gratë dhe vajzat shqiptare që dëshirojnë të ndjekin karrierë në një fushë të caktuar.

“Mesazhi im për gjithë gratë dhe vajzat shqiptare kudo që ndodhen është: Ruani shëndetin mendor dhe fizik se pa këto nuk mund të bëni dot asgjë, ruani dhe luftoni për dinjitetin tuaj dhe mos lejoni askënd t`jua cënojë atë, ruani optimizmin dhe balancat në jetë, thelbi i suksesit është puna, por puna mendore e kombinuar me aktivitet sportive të përditshëm jep rezultate maksimale, ruani dhe mbroni familjen tuaj, vatrën që ju ngroh dhe ju frymëzon, pasioni dhe dashuria për punën që do bëni do t’ju sjelli suksesin e kërkuar”, ka sugjeruar kështu personazhi më popullor në Shqipëri.

Kjo ishte Luljeta Bozo, e cila me përvojën dhe suksesin e saj të realizuar në një karrierë prej 80 vitesh, arrin të hedhë poshtë disa nga teoritë mbi të cilat sot ndërtohet suksesi i njeriut, duke filluar me atë se martesa dhe të bërit nënë në moshë të re pamundëson zhvillimin në karrierë.

Në moshën 21 vjeç u martua, 22 vjeç u bë nënë, 47 vjet gjyshe dhe në moshën 69 vjeçare stërgjyshe, kështu duke shijuar dhe përmbyllur me sukses të gjitha ciklet dhe kënaqësitë që mund t’i dhurojë jeta, duke qenë rol model nga martesa  e saj e shkëlqyer me bashkëshortin, me të cilin pati dy fëmijë, edhe për familjet e ditëve të sodit, ku numri i divorceve është në një shkallë shumë të lartë.

Me 58 vite punë pa ndërprerje në mësimdhënie, ajo po ashtu sfidon edhe teorinë e përmendur ndër vite,  atë se punëtorët në sektorin e arsimit do të duhej të pensionoheshin më herët se punonjësit në sektorë të tjerë, pasi nga puna e madhe me nxënës dhe studentë, pedagogu konsumohet energjetikisht.

Me fuqinë e karakterit të saj, ajo gjatë tërë jetës punoi në një profesion të dominuar nga burrat, në pozita të barabarta, me një respekt dhe vlerësim makismal ndaj njëri-tjetrit, e cila vjen si kontrast i realitetit të sotëm, ku pozicioni i gruas në raport me burrat është ende i diskutueshëm.

Një jetë me balancë mes shkollimit, karrierës dhe familjes, i mundësoi Luleta Bozos të ngjitet aty ku është sot mes shumë nderimeve, titujve dhe pozitave, të cilat përpos studentëve, dhe stafit akademik, në fund ia dha edhe populli duke e bërë deputete nga radhët e njërës prej partive më të mëdha të Shqipërisë.

Krijimi i planit vjetor, duke e ndarë më pastaj në atë mujor, javor dhe ditor, realizmi i tyre nga një punë sistematike e me dashuri dhe përkushtim të madh, të mundësuar vetëm përmes një ushqimi të mirë, ecjeve dhe pushimeve të realizuara në natyrë, male dhe dete, e kombinuar  edhe nga dashuria e madhe që ajo kishte dhënë dhe marrë në familje, sollën deri te kjo fuqi të cilën e gjeneron ky personazh kaq i nderuar dhe i dashur nga të gjithë.

Pa përfshirë një pjesë të madhe nga shembulli dhe pasuria e saj jetësore të arrirë, në pothuaj çdo fushë, kjo intervistë këtë herë përmbyllet këtu. Mbase fjala margaritar e përdorur në fillim të tekstit për të përshkruar personalitetin aq të pasur të Luljeta Bozos do të duhej të zëvendësohej me fjalën minierë për të përthekuar në plotni pasurinë të cilën shqiptarët e kanë mbi sipërfaqen e tokës së tyre./KultPlus.com

Të ngjajshme