Matoshi: Do të luaj në një film gjigant (FOTO)

22 Shtator, 2017 - 3:25 pm

Adriana Matoshi është një prej aktoreve që është duke u piketuar më së shumti prej regjisorëve kosovarë, dhe gjithnjë duke ia besuar rolet kryesore. Filmat “T’padashtun”, me regji të Edon Rizvanollit dhe “Martesa”, me regji të Blerta Zeqirit janë dy filmat e fundit që do të rrugëtojnë nëpër botë, që imazhi kryesor i këtyre filmave është vetë Matoshi. Në një intervistë për KultPlus, vetë Adriana Matoshi ka treguar për ndjesinë e lajmeve të fundit, ku “T’padashtun”, tashmë është propozuar nga Kosova për çmimin prestigjioz Oscar, sikurse “Martesa”, që do të ketë premierën botërore në festivalin e kategorisë A, në Estoni. Ajo ka treguar se për realizim të roleve jep shpirtin, sikurse që është shprehur të jetë e kënaqur pasi që, deri më tashti ka punuar më regjisorët më të njohur të vendit. Poashtu, Adriana Matoshi ka folur edhe për filmin e radhës që do të xhirohet në pranverë, sipas të cilës, do të jetë një film gjigant.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: “T’padashtun”, është filmi që po synon Oscarin për këtë vit, dhe pikërisht në këtë film luani rolin kryesor, si e pritët lajmin?
Adriana Matoshi:
Si proces i punës nuk ka qenë i gjatë, as një muaj xhirim. Ka qenë një proces mjaftë i vështirë, por që kemi dhënë maksimumin. Po është e çuditshme që gjatë procesit të punës nuk mendoj gjëra të mëdha, ajo çfarë mendoj përgjatë xhirimeve është si të realizohen skenat, si të jenë të besueshme, por asnjëherë për suksesin. Në realizim të rolit të “T’padashtun”, sfidë ka qenë si me i dhënë shpirtë karakterit tim, dhe mendoj që ia kam dalë. Kur e mora lajmin që Kosova e ka selektuar po këtë film për Oscar, natyrisht është një ndjenjë që të bën të ndihesh krenare, por që jep edhe motiv për punën e së ardhmes. Unë mendoj që është shumë e rëndësishme që filmi ka me u pa prej shumë profesionistëve, dhe me prezantimin e këtij filmi, producentë, regjisorë, njerëz të filmit do të njoftohen për së afërmi edhe me vuajtjet e popullit shqiptar, me dhunimet që kanë bërë serbët në gratë e Kosovës dhe me shumë ndjesi të tjera. Po uroj që ky film të kthej vëmendjen ka Kosova, e sa i përket asaj se a do të nominohemi apo jo, është herët të paragjykojmë.

KultPlus: Përpos filmit “T’padashtun”, që po synon Oscarin, këto ditë sa është bërë e ditur se edhe filmi “Martesa”, do të ketë premierën botërore në një prej festivaleve të rëndësishme në botë, poashtu keni rol kryesor në këtë film, e pritje edhe këtë lajm kaq të rëndësishëm për karrierën tuja?
Adriana Matoshi:
E sa i përket filmit “Martesa”, është një proces shumë i gjatë, ndoshta pesë vjet. Bëhet fjalë për një trekëndësh dashurie, por që prekë edhe temën e luftës. Kemi bërë një punë shumë të mirë. Është temë pak tabu sa i përket asaj që e kemi trajtuar në film, por e di që është një film jashtëzakonisht i mirë. Premierën botërore e kemi në një festival të kategorisë A, pikërisht më 28 nëntor, në festën e flamurit ne do të jemi në Estoni, do të shohim më pas se çfarë po na pret. E më pas, ky film do të jepet edhe Cineplexx në Prishtinë, përgjatë muajit dhjetor.

KultPlus: Filmat mund të jenë edhe të suksesshëm, por ndodhë që aktori të mos jetë i kënaqur me rolet, me temën, personalisht sa je e plotësuar me këto dy role?
Adriana Matoshi:
Jam shumë e kënaqur, në të dy filmat rolet e mia flasin shumë, kam pas hapësirë të mjaftueshme që të tregoj veten në anën dramatike, dhe mendoj se dallojnë goxha prej filmave të tjerë. Jam e kënaqur me punën që e bëj, falë talentit por edhe punës, sepse nuk e kursej veten në asnjë moment. Kam pas fatin të bashkëpunoj me regjisorët më të mirë të vendit edhe ata më ngritën në nivelin më të lartë.

KultPlus: Pasi jemi te këta dy filmat e fundit, do të veçoje ndonjërin rol pak më shumë?
Adriana Matoshi:
Kur kemi xhiruar filmin “Martesa”, kjo ka ndodhë para dy viteve, pas tre dite menjëherë kanë filluar xhirimet te “T’padashtun”, më është dashur që nga një rol të kaloj në rolin tjetër dhe kjo ka qenë shumë sfiduese për mua. Prej një karakteri shumë të dashur që e kam pas te filmi “Martesa”, me një temë të dashurisë, më është dashtë të kaloj në një dramë të thellë psikologjike, në një grua që e rritë një djalë që e ka lindë si pasojë e dhunimit nga ana e serbëve. Por të dy rolet kanë specifikat e veta, dhe për të dy rolet kam dhënë shpirtin tim, kështu është e vështirë ti ndaj.

KultPlus: Të dy filmat kanë temë të ndjeshme, sa hezitoni për role të tilla?
Adriana Matoshi:
Fillimisht kur unë e lexoj skenarin e shoh nëse mundem të jap apo prej vetës. Ka pas rast kur një regjisor më ka ofruar një rol për një film, pasi regjisori më ka parë për atë rol, por pasi kam lexuar skenarin unë e kam parë vetën që nuk jam për atë rol dhe e kam refuzuar. Sepse, kam parë që nuk më ka shkuar ai rol, nuk kam qejf të realizoj një rol që nuk ma do shpirti.

KultPlus: Ju jeni një ndër aktoret që keni marrë shumë role kryesore në filmat e fundit që janë realizuar në Kosovë, qoftë këta që tashmë po prezantohen, por edhe filma që janë në proces e sipër, si po arrin ti bindësh regjisorët se ju jeni e duhura?
Adriana Matoshi:
Fillimisht unë kam luajtur në një film të shkurtë te Blerta Zeqiri, dhe ai film ka qenë një vulë që kam arritë të japë më të mirën në atë film. Pastaj edhe më thonë që jam tepër e natyrshme, nuk aktroj, që kjo është shumë e rëndësishme për një aktor të filmit. Nuk rrej për atë çfarë bëj. Nëse ndalemi në jetën tonë, ne si njerëz çdo ditë e bëjmë nga një film, si persona që jetojmë përditshmërinë, dhe pikërisht ky film i duhet vetë filmit. Mua më kanë thënë shumë se më do kamera dhe nuk rrej në kamerë. Por unë jam edhe prej atyre aktoreve që nuk hezitoj të shkoj në audicione.
Kam dëgjuar shumë shpesh që disa aktorë që e vlerësojnë vetën nuk dëshirojnë të jenë pjesë e audicioneve, me idenë e tyre se janë të famshëm, unë nuk mendoj ashtu, audicionet bëhen për aktorë dhe duhet të respektohen nga aktorët.
Pastaj, unë mendoj që kam të gjitha predispozitat që janë favor për një aktore, unë jam nënë, i di ndjenjat e një fëmiu, dhe përvoja e të qenit nënë natyrisht është edhe një pasuri që mund të gërshetohet për mrekulli me profesionin e një aktoreje, por është edhe tjetra se mua jeta më ka sprovuar shumë, dhe krejt këto përvoja natyrisht që mund të ndikojnë edhe në pjesën emotive, kjo përvojë jetësore më ka shërbyer që karakteret e mia të ndërtohen natyrshëm, si në lot, por edhe në gëzime. Dhe pikërisht si rezultat i punës sime, unë në pranverën e vitit të ardhshëm do të jem pjesë e një filmi gjigant, lirisht mund ta quaj ashtu.

KultPlus: Në anën tjetër, gjithë ky sukses nëpër filma të ndryshëm ju i shtuat angazhimeve tuaja edhe me rolin tuaj në serialin “O sa mirë”, pse tu desht seriali?
Adriana Matoshi:
Isha në një periudhë kur kisha nevojë të bëj dicka tjetër, të dalë pak prej roleve të rënda. Seriali më ka ndihmuar që të më njeh edhe një pjesë tjetër e popullit që nuk kanë mundësi me i pa filmat e mi, sepse ata filma jepen kryesisht nëpër festivale. Shfaqjet që i kam pas për dhjetë vjet nëpër teatro, është një pjesë shumë e vogël që i përcjellë, dhe pikërisht ky serial më ka bërë që të prekë një pjesë tjetër të audiencës. Në serial jam tepër e kënaqur, sepse audienca po ma kthen punën time me dashuri, e për me të dashtë sot dikush është goxha problem, dhe jam shumë e lumtur kur shoh reagimin e tyre kur më takojnë.

KultPlus: Dhe për fund, duke pasë parasysh se filmat në të cilët keni luajtur do të prezantohen në shumë shtete, sa beson që po këto role mund të sjellin ndonjë rol të madh në ndonjë projekt të huaj?
Adriana Matoshi:
Jetës kurrë nuk i dihet, pas filmit Babai kam pasë raste që të huajt veç më kanë piketuar, kurse në filmat e ardhshëm jam fytyrë kyçe dhe kam pas hapësirë që të tregoj vetën.
Unë nuk e parashoh të ardhmen time, por unë besoj në punën time, por nëse ndodhë ndonjë mrekulli me qenë pjesë e një filmit huaj, unë e di sigurt që nuk kam me i zhgënjyer. Unë kur jam në rol, harroj që jam edhe nënë, definitivisht harroj, falë mamit tim që është kujdes për fëmijët e mi. Nëse luaj në një film të huaj nuk kam me zhgënjyer as vetën, as familjen e as popullin e Kosovës./KultPlus.com

Të ngjajshme