займ на карту онлайн потребительский кредит

Mësimi i gjuhës shqipe dhe varianteve arbëreshe

3 Shkurt, 2020 - 8:12 pm

Bisedë me studiuesin dhe përkthyesin arbëresh, Giuseppe Antonio (Zef) Chiarmonte 

Mimoza Hasani Pllana: Z. Chiarmonte, keni mbaruar studimet për gjuhë, letërsi shqipe dhe filozofi, por edhe keni marrë pjesë në disa kurse lidhur me studimet ballkanike dhe religjionin. Sipas jush, si ndërlidhen këto fusha të ndryshme shoqërore? 

Bisedën e realizoi: Mimoza Hasani Pllana

Giuseppe Antonio (Zef) Chiarmonte: Tek arbëreshët e kulturuar, sidomos të moshës sime, vihet re se kjo ndërlidhje initeresash nuk është assesi një gjë e rrallë.Kultura jonë është ngushtësisht e lidhur me kishën, si një factor që vjen prej lidhjes në mes tyre, në shtjellat e kohës. Një kishë e veçantë, ngase i takon traditës bizantine dhe prandaj ndryshon nga tradita latine, e cila është e ndjekur nga shumica dërrmuese e popullatës italiane, në mes të cilës arbëreshët, aty-këtu, jetojnë, duke bërë shpesh një jetë ishullore. Për më shumë, gjuha arbëreshe, përveçse është përdorur në këngat fetare, në një periudhë u kultivua nëpër institucionet kishtare. Të vetmet institucione publike që deri vonë patën për qëllim ruajtjen, përdorimin dhe kultivimin e gjuhës arbëreshe. Le të kujtojmë këtu Lek Matrangën, De Radën, Skiroin. Kisha, së bashku me veshjet, me gjuhën e me zakonet identifikojnë arbëreshin e rëndomtë në mesin e krahinave italiane ku jetojnë. Unë i takoj pikërisht kësaj trashëgimie dhe mburrem me të.

 M.: Historia e letërsisë shqipe, njeh dhe respekton njërin prej prijatarëve të Rilindjes Kombëtare, poetin arbëresh Jeronim De Rada. De Rada, përveç kontributit të jashtëzakonshëm letrar la pas vetes edhe kontributin arsimor në katedrën për mësimin e gjuhës shqipe brenda kolegjit në qytetin e Shën Mitërit (Kozencë), rajonit të Kalabrisë. Si funksionon sot kjo katedër dhe katedrat e tjera të albanologjisë brenda shtetit italian?

G.A.C.: Katedrat e gjuhës shqipe, ku trajtohen edhe variantet arbëreshe, janë një risi e kohës moderne. Mësimi që dha De Rada në Kolegjin e Shën Adrianit në Shëmitër Korone në Kalabri, merrej vetëm me arbërishten, ngase aso kohe gjuha shqipe pak njihej ndër arbëreshë, përveçse ishte ende e pazhvilluar. Megjithatë, shkrimtarët tanë e njihnin patjetër veprën e Kristoforidhit. Shndërroi pastaj Kolegji në Lice Klasik shtetëror dhe ajo katedër njohu një numër bukur të madh studentësh nga Shqipëria. E njëjta gjë ndodhte edhe te qendra kulturore tjetër, në Seminarin Arbëresh në Palermo të Sicilise, ku edhe kishte mësim të arbërishtes dhe botohej FJALA E T’YN’ZOTI nga Pal Skiroi, zbuluesi i Mesharit, (ndonëse si zbulues i parë njihet Gjon Nikollë Kazazi, shënim imi-M. Hasani Pllana). Ky institucion u shua! Për fat të mirë, mësimi i shqipes, që në Itali jepej vetëm në Padova dhe Napoli, domethënë shumë larg vendbanimeve arbëreshe, u ripërtëri në Romë me Koliqin dhe në Palermo me Gaetano Petrottën, papas arberesh, dhe me At Valentinin. Më vonë, me krijimin e Universitetit në Kalabri, u shtua një tjetër katedër për gjuhën shqipe dhe kështu në shumë universitete të tjera, gjegjësisht në jugun e Italisë për hir të pranisë së banorëve arbëreshë. Katedrat që sot janë më në zë, ajo e Palermos dhe ajo e Kozencës, dhe po ashtu të tjerat, nuk mund t’i shmangen problematikës arbërisht/shqip. Nga njëra anë ato do të merren me gjuhë e letërsi shqipe, sipas programeve shtetërore, nga ana tjetër pothuajse nuk ndikojnë në drejtim të ruajtjes së arbërishtes.  Kjo dikotomi luan një rol negativ, sidomos në Kalabri, ku mësimin e shqipes e vështrojne si tradhti kundrejt arbërishtes …

M.: Në mesin e qendrave europiane ku studiohet gjuha dhe letërsia shqipe, Italia paraqitet në nivel të lartë edhe për organizimin e kurseve, seminareve, konferencave dhe tryezave me qëllim të prezantimit dhe shkëmbimit të njohurive, për letërsinë dhe gjuhën shqipe në kontekstin ballkanik dhe më gjerë. Duke qenë se ju keni bërë studime në këtë kontekst, si e vlerësoni pjesëmarrjen e studiuesve shqiptarë dhe sa janë aktiv për këto tema studiuesit e huaj?

G.A.C.: Studiuesit e huaj kanë qenë gjithnjë të mirëseardhur në katedrat e gjuhë shqipe në Itali, sidomos me rastin e konferencave shkencore, seminareve dhe shkëmbimeve në mes dijetarësh. Katedrat, ndonëse nuk ndikojnë drejtpërdrejtë në ruajtjen e gjuhës, megjithatë kanë një rol të pazëvëndësueshëm në rrahjen e temave lidhur me gjuhën, historinë, me demoetnoantropologjinë, me letërsinë, me religjionin, kështu që këto tema ushqejnë kulturën arbëreshe dhe ndikojnë mbi ruajtjen e identitetit etnik. Kohët e fundit, me hapjen e Shqipërisë, katedrat janë pasuruar me studiues shqiptarë, qoftë si lektorë, qoftë si docentë, gjë që ka mundësuar njohjen dhe aplikimin e rregullave drejtshkrimore edhe të gjuhës standarde.

M.: Në dhjetëra publikime tuaja shkencore keni trajtuar tema të ndryshme për gjuhën shqipe, në raport me fusha të tjera. Në disa nga publikimet, gjithashtu me kujdes të veçantë keni trajtuar origjinën dhe historinë e kolonisë arbëreshe në Itali, si mund të përkufizohet pozicionimi dhe mbijetesa e këtij komuniteti përgjatë shekujve?

G.A.C.: Pozita ekonomike shoqërore e Arbëreshëve, që nga fillimi i ardhjes së tyre në Itali, ishte tema që zhvillova në një nga Seminaret verore në Prishtinë.  Arbëreshet e kolonive, përkundrazi parisë që u strehua te oborret e homologëve italianë, vazhduan të kishin qefalitë e tyre dhe një numër adekuat priftërinjsh që përbënin ajkën kulturore. Kështu, atje ku ata u vendosën, arritën të nënshkruajnë kontrakte me pronarët feudalë ku ndaloheshin angaritë tipike të kohës, ruhej tradita kishtare ortodokse, e lidhur me Papatin, ushtrohej njëfarë vetëqeverisje që parashikonte zgjedhjen e zyrtarëve vetëm nga radhët e personave arbëreshë. Ky aset lindi me Aragonezët, vazhdoi me Spanjollët dhe mbaroi me Burbonët. Ç’është e vërteta, me shkarkimin e sistemit feudal, 1812, dhe lindjen e Komunave, 1817/18, situata ndryshoi rrënjësisht dhe arbëreshët humbën privilegjet e mëparshëm duke u barazuar me qytetarët e tjerë italianë.  Sa themi këtu, vlen sidomos për Arbëreshët e Sicilisë, të strehuar në çifligje kishtare, kurse në Kalabri e gjetkë  pozita në shumicën e rasteve ishte e mjerueshme ngase vareshin nga feudalë të egër. Këtu del ndryshimi midis dy komuniteteve ku, ata të Kalabrisë kërkojnë ta mbajnë të fshehur identitetin arbëresh, kurse ata të Sicilisë mburren me të qenit arbëresh dhe litinjtë përreth i vlerësojnë si njesira me dy gjuhë!

 M.: Është për t`u admiruar mbijetesa dhe ruajtja e shqipes brenda kufijve italian, madje edhe zyrtarizimi i saj si gjuhë administrative, shkollore, kulturore dhe shkencore. Sigurisht, që për këtë arritje është dashur sakrificë, mund e shumë punë. Si është arritur, sa janë tolerante ligjet italiane, karshi përdorimit të gjuhëve të huaja? 

G.A.C.: Situata, mjerisht, nuk është ashtu e volitshme si ju e përshkruani! Arbëreshët ishin dhe mbeten analfabetë në gjuhën e tyre.  Italia nuk ka asnjë faj lidhur me këtë gjendje.  Barazuar si nënshetas italianë, arbërshët, si edhe pakicat e tjera gjuhësore, gëzojnë me ligje shtetërore e krahinore të drejtën për ruajtjen e gjuhës dhe zhvillimin e zakoneve, por arbëreshi përton vetë, nuk di t’i shfrytëzojë mundësitë dhe hapësirat e krijuara, nuk ka lider që t’u japin një drejtim, një rrugë.  Me një fjalë, në shumë vendbanime ato ligje nuk aplikonen dhe faji nuk i bie assesi shtetit italian.

M.: Jeni i licensuar për përkthime nga gjuha italiane në gjuhën shqipe dhe anasjelltas, sa sfidues është për ju ky proces, në veçanti kur kemi të bëjmë me përkthimin e teksteve letrare?

G.A.C.: Për shkaqe shëndëtesore nuk kam mbaruar ende përkthimin e një autori nga Kosova.  Është një vepër e datuar, ku rregullat drejtshkrimore nuk janë ende stabile, por argumenti më intereson si roman historik që jep një pamje të mjerisë, ku ishte katandisur populli shqiptar gjatë sundimit otoman. Mu për këtë më vjen shumë keq, si arbëresh, të shoh ripërtëritjen e ndjenjave dumbabiste në Kosovë. Një krahinë dhe sot një shtet, të cilin e dua jashtë mase dhe këtë lidhje e dëshmoj me poezitë e mia te përmbledhja “Vule uji”.

M.: Nga aktivitetet tuaja të shumta kulturore, qysh herët keni qenë pjesë e organizimit “Ditët e Kulturës Kosovare në Siçili”, sa është e njohur kultura e shqiptarëve të Kosovës ndër arbëreshë, pse duhet të trajtohet si një ligjërim i veçantë nga kultura shqiptare në përgjithësi?

 G.A.C.: Për herë të parë, 1979, kultura shqiptare e Kosovës u paraqit në kryeqendrën e Sicilisë me Ekspozitën e librit “Shqiptarë në Jugosllavi”.  Ekspozita, me libër nga shtëpia botuese “Rilindja” dhe nga “Enti i librit shkollor”, u mbajt te Liceu, ku isha profesor dhe zgjati disa ditë, kështu që arbëreshët patën rastin të njiheshin me Kosovën dhe me prodhimet e botuara në gjuhën shqipe.  Por kulmi i njohjes së ndërsjellë Kosovë / Arbëreshë ishin Ditët e Kulturës Kosovare në Sicili, 1980, ku mbi njëqind intelektualë nga Kosova morën pjesë:  Profesorë nga universiteti, Ansambli “Shota”, poetë e shkrimtarë, teatri krahinor, ekspozita e piktorëve, filmi kosovar.  Hapja e Ditëve u bë zyrtarisht në Selinë e Krahinës Siciliane, kurse programi, përveçse në qytet, u zhvillua nëpër të pesë horet/vendbanimet arbëreshe.  Për t’u përgjegjur pyetjes suaj, duhet nënvizuar se kultura kosovare ka shumë gjasa me arbëreshen. Që të dyja janë kultura minoritare brenda shtetit ku kanë jetuar. Megjithatë për arbëreshët ka qenë një surprizë jo vetëm prania e një popullate shqiptare aq të madhe në një shtet tjetër, por trajtimi i saj i keq në një shtet që pretendonte të ishte federativ.

M.: Disa herë, keni qenë pjesë e Seminarit Ndërkombatar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, si e vlerësoni këtë përvojë tuajën në Kosovë?

G.A.C.: Seminari ka luajtur dhe lot një rol ndërkombëtar për gjuhën dhe kulturën shqiptare. Jo rastësisht, çështja e Kosovës u bë e njohur me anë të pjesëmarrjes në të nga ana e studiuesve prej shumë vendesh të rruzullit. Për arbëreshët dhe për mua personalisht, ky seminar i përvitshëm, ka qenë ujë për gojën e shkrumet.

M.: Sa është e njohur gjuha shqipe në pjesët e Italisë të pabanuara me arbëreshë?

G.A.C.: Mësimi i shqipes, meqë jepet në nivelin universitar, ndiqet më së shumti nga studentë italianë kundrejt arbëreshëve. Nga këtu na del se njohja e kulturës shqiptare nuk është e huaj në truallin italian.

M.: Sa është e njohur letërsia shqipe nga lexuesi Italian dhe cilët janë autorët e preferuar?

G.A.C.: Pa dyshim se autori me i përkthyer (nga frëngjishtja!) dhe me i njohur ishte Kadareja, por kohët e fundit janë bërë të përhapur autorë më të rinj. Shumë kanë lexuar “Vergine giurata”, mbi fenomenin shqiptar e burreneshës …

M.: A mund të na thoni çfarë jeni duke punuar momentalisht në fushën e albanologjisë dhe filologjisë?

 G.A.C.: Jashtë filologjisë me të cilën nuk merrem drejtpërsedrejti, kisha përgatitur një studim mbi kultin e shenjtorëve Flori dhe Lauri, të cilin do ta kisha paraqitur në Seminarin e sivjetshëm në Prishtinë. Përmbajtja e studimit rrjedh nga kureshtja sesi kulti i tyre mbërriti në Sicili dhe si dy portrete me mozaik u janë kushtuar atyre te kisha e Gjergjit nga Antiokia, sh. XII, kishë kjo që sot është bërë famulli për arbëreshët e Palermos.

M.: Kur ishit fëmijë, a flisnit shqip në familje dhe në lagje?

G.A.C.: S’kishim gjuhë tejtër në familje dhe në hore/qytezë. Asokohe italishtja ime dhe e shokëvet të mi ishte vetëm një perkthim nga arbërishtja, megjithë ngatërresat që kjo shpesh na sillte me joarbëreshët! /KultPlus.com

Të ngjajshme