Në prag të turit të koncerteve, Kreshnik Zhabjaku: Kam mall dhe emocion për Shqipërinë dhe për publikun shqiptar

7 Maj, 2021 - 1:25 pm

Kreshnik Zhabjaku, është bariton shqiptar që jeton dhe punon në Nju Jork(SHBA),  pasi u largua nga Shqipëria pas trazirave që ndodhën në vënd  në vitin 1997.

Sot, qytetar i botës dhe një artist me një karrierë të admirueshme, vijon karrierën e tij 20 vjecare,  me sukses në SHBA, Europë dhe më gjërë.

Kur e pyet për lidhjen e tij me këngën, thotë që e nuk mban mënd të mos ketë dashur ndonjëherë  të këndojë , ndërsa e qënura bariton në një nga metropolet e botës, e bën të ndihet mirë dhe i jep vitalitet .

Kreshnik Zhabjaku, studimet  e para i kreu në Liceun Artistik “Jordan Misja”, me  pedagoge, Ermelinda Papariston dhe më pas në Akademinë e Arteve me artisten e madhe Nina Mula,  pedagoge të  cilat sikundër thekson  ai në këtë intervistë, i dhanë  bazën e suksesit të tij muzikor .

Zhabjaku, ka kryer Masterin në Konservatorin Mannes College of Music 2003 NYC dhe është fitues, “Këngëtari më i mirë” i “Mbrëmjes së Romancës Shqiptare” 1996.

Fitues i “Arleen Auger Memorial Fund Scholarship” dhe “Motrat Qirjazi Scholarship” 2001 NYC, fitues i Çmimit “Franco Gentilesca”NY 2002,  Finalist i “Nico Castel International Master Singer Competition” 2011, NYC.

Ai është përshëndetur fuqishëm nga gazeta Washington Post: “…një recitalist në lule te karrierës së tij” dhe nga Gazeta Houston Chronicle që shkruan: “… Kreshnik Zhabjaku zoteron një zë të embel, te fuqishëm dhe prezencë në rolin kryesor…”

Karriera e tij operistike njeh role të ndryshme. Si solist në Operën Kombëtar Shqiptar ka kënduar rolin e Massetto-s, Mozart Don Giovanni, Gaudenzio në Signor Bruschino dhe Figaro në Il Barbiere di Seviglia të dyja të Rosinit. Me Opera in the Heights ka kënduar rolet Bel Core nëL’elisir D’amore, Donizetti, dhe Don Giovanni te Don Giovanni, Mozart. Për këtë rol Gazeta Huston Press shkruan: “Në rolin e shthurur të Don Giovanit Kreshnik Zhabjaku të bën ta shohësh me një qetësi të këndshme. Rolin e percjell me një seksualitet të natyrshëm. Kjo është arsyeja që zonjat e ndjekin me vëmendje. Zëri i tij ngjitet mbi muzikën e Moxartit me shkathtësi pa e shqetësuar…”

Kreshnik Zhabjaku,  ka kënduar rolin e Eneas në Dido &Eneas të H. Purcell me One World Symphony, NYC, Belcore në L’Elisir D’amore, Donizetti, Germont në La Traviata Verdi dhe Figaro në Le Nozze di Figaro me Rogue Opera, Oregon.

Ai ka kënduar në Festivalin Ndërkombëtar Bel Canto at Caramoor në Katonah, NY 2005 dhe 2007. Count Zetate “Vejusha Gazmore”, Franz Lehar me Manhattan Lyric  si dhe shumë role të tjera.

Kreshnik Zhabjaku, do të jetë në Shqipëri në muajin qershor, i ftuar nga Albanian Excellence, një qëndër që promovon nga viti 2012, suksesin shqiptar, e  cila në bashkëpunim me Bashkitë  Pogradec, Korcë, komunat Dibër e Strugë (Maqedonia e Veriut),  do të organizojë një tur koncertor më kuintetin Albanian Excellence dhe sopranon e mirënjohur me banim në Nju Jork, Deshira Ahmeti.

“Promovimi dhe prezantimi i këngës qytetare është mëse e nevojshme sot”, thotë baritoni i mirënjohur në këtë intervistë ndërsa shprehet  se,”ka mall dhe emocion për Shqipërinë dhe për publikun shqiptar”.

Publiku në Shqipëri më dha duartrokitjet e para dhe të ngrohta. Janë gjëra të paharrueshme” cilëson ai.

F.N : Kreshnik, çfarë ndjesie ju jep sot e qënësia juaj bariton në një nga metropolet e botës ?

K.ZH:  E qënura bariton në një nga metropolet e botës, më bën të ndihem mirë  dhe sigurisht që më jep vitalitet .

F.N: A është e vëshirë është të bëhesh bariton ?

K.ZH : Sigurisht ka vështirësitë e veta po rruga e këngëtarit klasik ka vështirësi të mëdha nga që trajnimi dhe mirëmbajtja e vokalit është jetike. Zëri baritonit ka veçantinë e tij sepse quhet si materiali kadif (i ngrohtë) i zërave.Pikërisht, këtu qëndron për mua, vështirësia e baritonit, për të arritur këtë perfeksion .

F.N: Kur e kuptuat ju këtë vështirësi ?

K.ZH : Kjo vështirësi për mua, ka qënë gjithmonë e pranishme,  pasi kur je i ri duhet gjithmonë balanca e gdhëndjes së timbrit tënd autentik me ngrohtësinë që i kërkohet tipit të zërit.

F.N: A e kujtoni kohën kur ju lindi dëshira të këndoni e të mendoni se:” po unë … do ja kushtoj jetën këngës “ ?

K.ZH : Unë nuk mbaj mënd asnjëherë të mos kem dashur të këndoj. Vij nga një familje artistësh, nëna ime ka qënë  pianiste/coach/komcertmaster për 36 vjet në TKOB , ndërsa babai Ismail Zhabjaku regjisor filmash në Kinostudio. Motra ime Azeta Kola Zhabjaku, ka studiuar për piano dhe flaut, ndërsa sot jeton në Amerikë ku  ka marrë titullin PhD në Historinë Botërore. Me pak fjalë që  i vogël kam qënë gjithmonë nën praninë e instrumentave muzikorë dhe këngëtarëve të mrekullueshëm të Operas Kombëtare.

F.N: A kujton ndonjë ndodhi nga fëmijëria juaj ?

K.ZH: E bukur ka qënë momenti rreth moshës 6 ose 7 vjeç kur mbasi kisha dëgjuar me muaj e vite provat e Operas Traviata e kisha memorizuar dhe mami kur po bënin prova skenike në një pushim më thotë Kreshnik : “hajde kendo”, dhe më vuri mbi piano për të kënduar pjesë nga opera. Si Alfredon ashtu dhe Violetën edhe babain Giorgio.

F.N: Ka patur ndonjë moment që jeni dorëzuar e keni thënë: “nuk mundem më …”

 Ne se jo… pse ?

K.ZH: Ka patur momente sidomos kur erdha në Amerikë, që lodhja e të qënurit artist është më e madhe se dëshira për të kënduar. Por vullneti nuk më ka munguar asnjëherë dhe ajo më ka shtyrë në momente të caktuara. Dashuria për artin klasik gjithmonë ka qënë jeta ime.

F.N Cfarë do të kujtonit nga studimet në Tiranë , sa të vlefshme kane qënë për karrierrën tuaj ?

K.ZH: Studimet në Tiranë kanë qënë baza e karrierës sime artistike. Kam pasur fatin të studioj në Liceun Artistik “Jordan Misja” me Ermelinda Papariston një edukator i përkushtuar. Dhe më pas kam pasur fatin të studioj me artisten e madhe Nina Mula. Këtu është edhe rritja ime si këngëtar. Do të kujtoja nga të gjitha nivelet e edukimit tim përkushtimin e mësuesve dhe pedagogëve atë asaj kohë. Nga që doja rezultate të larta pedagogët e vinin re dhe kërkonin më shumë nga unë. Ka qënë kjo, që kur fitova konkursin në Mannes College of Music mu ofrua bursë dhe mbaj mënd (më vjen për të qeshur) kur fillova orën e parë të solfezhit pedagogja Ms. Aaron më thotë: “nuk duhet të jesh në këtë nivel, është bërë gabim. Duhet të jeshë në klasën e pianistëve dhe violinistëve. Solfezh 3”

F.N: Si dhe pse shkuat të jetoni e të punoni në Nju Jork ?

K.ZH: Mbasi përjetova ngjarjet e vitit 1997, nuk kishte më kuptim qëndrimi im në Shqipëri. Unë u bëra pjesë e departamentit të solistëve në Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit,  por pasiguria më shtyu për t’u larguar.

F.N: A mund të përshkruani një ditë tuajën në metropolin e botës?

K.ZH: Ka vështirësitë e saj,  por kënaqësia është shumë më e madhe. Takimi me artistë nga e gjithë bota është një ndjesi e mrekullueshme. Muzikë ka kudo në të gjithë lagjet e NYC kështu që ndihesh si në shtëpi.

F.N:Cfarë ka përfituar Kreshniku në karrierën e tij profesionale në Nju Jork ?

K.ZH: E them gjithmonë NYC,  ka qënë i mrekullueshëm në jetën dhe karrierën time artistike si në Opera ashtu dhe në jetën koncertale.

F.N: Po në anën personale ?

K.ZH : Edhe nga ana personale jam i dashuruar se çfarë afron NYC.

F.N: Cilat janë rolet më pikante që keni interpretuar ?

K.ZH: Figaro te Berberi i Sevilies (Rosini), Oniegin te Evgeni Oniegin (Çajkovski) dhe Don Giovanni (Moxart) .

F.N: Roli i jetës tuaj dhe pse ?

K.ZH:  Oniegin mund të them. Muzikaliteti dhe fuqia emocionale e Çajkovskit ka qënë dhe është e magjishme për mua.

F.N: Cili është qëllimi i largët që keni ju në karrierën tuaj muzikore ?

K.ZH: Të vazhdojë gjithmonë rrugën që kam nisur dhe shpresoj që të jem mbartës i denjë i muzikës që përfaqësoj.

F.N :A keni  idhull në jetën tuaj artistike ?

K.ZH: Nëna dhe babai im.

F.N: Bashkëpunimi juaj i parë me Albanian Excellence ka qënë kënga Silent Night , në dhjetor të vitit të kaluar . Pse ju bashkuat kësaj iniciative të AE që në fakt ishte një mesazh mirësie ndaj viktimave e situatës së krijuar nga Covid19?

K.ZH: Bashkëpunimi me AE ka qënë një ndër projektet më me vlerë humanë të jetës time jo vetëm për mesazhin e mrekullueshëm që përcolli por ishte kënaqësi të jesh brënda një grupi të mrekulkueshëm artistësh.

F.N:  Po bashkëpunimin me sopranon e mirënjohur Dëshira Ahmeti si do ta konsideronit ?

K.ZH: Çfarë të them për Dëshirën…?,  jo vetëm që e njohim njëri tjetrin qysh në Akademinë e Arteve ku dolëm nga duart e zysh Ninës por, për mua, kënaqësia që ndjej kur jemi bashkë në projekte të ndryshme është e dyfishtë. Në nivelin human ajo dhe familja e saj janë miq të vyer në familjen tonë dhe si kolege është një artiste e rëndësishme për Maqedonin, Shqipërinë dhe më tej.

F.N: Së shpejti në muajin qershor, ju do të vini në Shqipëri … Si ndiheni ?

K.ZH: I mallëngjyer dhe plot dashuri.

F.N: Do të jeni protagonist i një turi koncertor në disa qytete ne Shqipëri dhe në Maqedoninw e Veriut … së bashku me kuartetin Albanian Excellence ?

K.ZH: Edhe një herë e theksoj që është kënaqësi të punosh me artistë të denjë.

F.N: A keni mall dhe emocion për Shqipërinë dhe për publikun shqiptar …?

K.ZH: Absolutisht. Publiku në Shqipëri më dha duartrokitjet e para dhe të ngrohta. Janë gjëra të paharrueshme.

F.N:  A mendoni që iniciativa e Albanian Excellence për të sjellë ne një interpretim të ri, muzikë mirëfilli shqiptare, do të ketë sukses ?

K.ZH: Patjetër promovimi dhe ekspozimi i këngës qytetare është mëse e nevojshme sot.

F.N: A keni një mesazh për artëdashësit shqiptarë që do ju ndjekin në këtë koncert ?

K.ZH: Hajdeni të kalojmë një mbrëmje të ëmbël me muzikën e krijuar nga vetë populli. Të zhvishemi nga hija e virusit dhe të kënaqemi me njëri tjetrin.

F.N: Po nje mesazh për popullin shqiptar kudo ku ai jeton ?

K.ZH:  Mesazhi im është të ruajmë vlerat e mira të të parëve dhe të kujtojmë gjithmonë si nga spektri politik por edhe ai krahinor që jemi një dhe të përbashkët në arritjen e objektivave të kombit.

F.N : Faleminderit./ KultPlus.com

Të ngjajshme