займ на карту онлайн потребительский кредит

Ornela Kapetani: Çmimi në Festivalin e Sarajevës nuk ishte një fitore personale, por një mundim kolektiv

25 Gusht, 2017 - 4:09 pm

Aktorja shqiptare Ornela Kapetani, e cila me rolin e saj në filmin “Dita zë fill” nga Gentian Koçi fitoi çmimin e aktores më të mirë në edicionin e 23-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë, një sukses ky goxha i madh për aktoren shqiptare, tregon se të marrësh një çmim të tillë në një festival me kaq garë brenda tij, është sukses i madh dhe arritje e një grupi njerëzish që synuan perfeksionin kinematografik.

Ornela, aktorja e dëshmuar tanimë me role në “Hostage”, “Correction” dhe me rolin e Letës në filmin me të cilin fitoi çmim në Sarajevë, në një intervistë për KultPlus ka shpalosur emocionet e saj nga kjo natë ku ajo doli fituese, si dhe ka zbuluar më shumë rreth projekteve që po e presin në vazhdimësi.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: “Dita zë fill”, po del të jetë filmi që përmbushi një ëndërr tuajën, pasi që pikërisht për rolin e këtij filmi u shpërblyet me “Zemra e Sarajevës”, në Festivalin e Filmit në Sarajevë, për aktoren më të mirë. Të kanë lëshuar emocionet tashti, apo akoma je me këtë ndjenjë të bukur?
Ornela Kapetani:
Ndihem shumë mirë, jam ende e emocionuar por puna nuk më ka lënë shumë kohë të mendoj për Sarajevën. I jam kthyer normalitetit ditor.

SARAJEVO, Bosna i Hercegovina – 17. avgust 2017: Nagradu za najbolju glumicu 23. SFF-a dobila Ornela Kapetani iz filma “Buđenje dana”. ( Mustafa Öztürk – Anadolu Agency )

KultPlus: Lotët dhe emocionet që të solli ky çmim u panë edhe me rastin e pranimit të këtij çmimi, pse ishte kaq i rëndësishëm për ju ky çmim?
Ornela Kapetani:
Kjo nuk ishte një fitore personale por një mundim kolektiv. Vështirësitë për tu bërë ky film kanë qenë shumë të mëdha. Ky çmim ishte i rëndësishëm për të gjithë ne që punuam me përkushtim për këtë projekt. E kam të nevojshme të falënderoj të gjithë stafin grek e shqiptar për dedikimin e tyre. Sidomos drejtorin e fotografisë Ilias Adamis.

KultPlus: Festivali i Sarajevës tashmë ka krijuar një traditë dhe po konsiderohet si një ndër festivalet më të rëndësishme evropiane, dhe pikërisht suksesi i këtij filmi nisi me këtë festival. Po pret një rrugëtim edhe më të suksesshëm me këtë film?
Ornela Kapetani:
Sigurisht që ‘Dita Zë Fill’ tashmë duket se do të ketë një rrugëtim të gjatë dhe interesant në festivalet evropiane dhe më tej. Sarajeva i dha shtyrjen e duhur. I uroj rrugëtime të mbara e të gjata Gentit dhe filmit!

KultPlus: Në anën tjetër, Gentian Koci ka debutuar me këtë film të metrazhit të gjatë, sa patët besuar atëherë në punën e këtij regjisori kur ta ka ofruar këtë rol?
Ornela Kapetani:
Skenari më tërhoqi që në fillim dhe e besova. Më intrigoi shumë Genti sepse nuk njeh shpesh meshkuj që shkruajnë për femra në këtë mënyrë intime. Nga punët e tij të mëhershme, kuptova që kisha të bëja me një njeri shumë të ndjeshëm por dhe me një vend qëndrim interesant. Na është dashur të punojmë shumë afër me Gentin për të krijuar të gjitha nuancat psikologjike të Letes. Gjithashtu ndikim pozitivë kishte dhe trupi Grek, me të cilët kisha punuar në projekte të tjera në Athinë.

KultPlus: Në bazë të trailerit, është dashur një përkushtim i madh të sillni atë karakter të përvuajtur, sa dhe si jetuat me këtë rol?
Ornela Kapetani:
Leten e njoha në muajin e shtatë të shtatzënisë dhe kam jetuar me të pothuajse 12 muaj. Më është dashur të jetoj me të dhe mbasi xhirimet kishin mbaruar. E kishim të vështirë të ndaheshim nga njëra-tjetra. Në mënyrë figurative mund të themi që i dhashë jetë, ashtu siç linda dhe tim bir. Të afroja sa më afër personazhin dhe të gjeja vërtetësinë e saj, si aktore mu desh të kërkoja në thellësi të vetvetes materiale dhe ndjenja të cilat do t’i jepnin një frymë Letes. Sa më thellë zhytesha aq më shumë konfrontoja dhe po aq më shumë kërkonte personazhi. Personazhi vetë gjeti një rrugë dhe arsye të jetojë. Shpresoj mos ta kem zhgënjyer Leten.

KultPlus: Ju jetoni jashtë Shqipërisë, dhe pikërisht ky film ju riktheu aty prej ku edhe keni dalë. Sakrificë që ka vlejtë, besoj?
Ornela Kapetani:
Të gjitha sakrificat kanë vlerë. Aq më tepër ato që të sjellin më pranë njohurisë se vetvetes. Leta për mua ishte një zbulim i vërtetë. Qëndrimi im në Tiranë ishte shumë domethënës. Erdha përsëri në kontakt në pjesë të vetvetes të harruara dhe shpesh të përçmuara. Të cilat kishin nevojë, kushtrim, vëmendje dhe vlerësim.

KultPlus: Dhe për fund, keni ndonjë ofertë tjetër në Shqipëri, apo në ndonjë projekt filmik ndërkombëtar?
Ornela Kapetani:
Punoj për një film në Greqi dhe një seri komike për TV-n britanike. Oferta shqiptare nuk kam pasur. / KultPlus.com

Të ngjajshme