Poezia shqipe në finlandisht

21 Shkurt, 2020 - 4:15 pm

Bisedë me Silvana Berki (Begotaraj), poete dhe përkthyese e gjuhës dhe letërsisë shqipe në gjuhën finlandeze

Bisedoi: Mimoza Hasani Pllana

Mimoza Hasani Pllana.: Silvana, keni ndjekur studimet në gjuhën finlandeze duke u fokusuar në fushën e përkthimit, gjë që ju ka ndihmuar të bëheni përkthyese profesioniste. Këtë përparësi që ju jep profesioni, e keni vënë në funksion të promovimit të kulturës dhe letërsisë shqipe në një shtet të Europës veriore, siç është Finlanda. Çfarë ju lidh aq shumë me gjuhën dhe letërsinë shqipe (përveç të qenit shqiptare) dhe dëshirën për ta bërë atë të njohur në këtë vend, ku madje pak njerëz kanë dëgjuar për këtë gjuhë?

Silvana Berki: Pikërisht ngaqë në këtë vend ku jeta më hodhi krejt rastësisht, kuptova se vendi nga vija unë ishte jo vetëm i panjohur gjeografikisht, por sidomos nga ana kulturore. Përballë shtetasve dhe zyrtarëve finlandezë, isha si një “ambasadore” e gjuhës dhe kulturës që përfaqësoja. Këtu e ka fillesën edhe misioni im për të promovuar gjuhën tonë të artë, në një vend kaq të largët si Finlanda. Pra, gjesti im është jo vetëm professional, por edhe human, një lloj detyrimi karshi vendit dhe gjuhës sonë, për ta bërë atë pjesë të botës perëndimore, duke nxjerrë më të bukurën e saj.

M.: Në vitin 2019 përfunduat një punë të vështirë duke përkthyer një pjesë të poezisë bashkëkohore shqipe në gjuhën finlandeze. Përkthimi letrar, nga teoritë dhe praktikat e përkthimit, konsiderohet si një nga përkthimet më të vështira, në veçanti poezia. Si e vlerësoni ju këtë proces, a mund të ndani me lexuesit përvojën tuaj?

S.B.: Është e vërtetë, që ka qenë një ndër punët e mia më të vështira. Kjo për disa arsye. E para gjetja e shtigjeve, që kërkon pjesëmarrës finlandezë profesionalë dhe jo thjesht një antologji, nuk ishte e lehtë. Edhe pse kam emigruar 30 vite më parë, pozicioni im si emigrante ishte i dobët. Gjithsesi, me vendosmëri dhe përkushtim munda të thyej tabutë ndaj nesh dhe të tërheq përgjatë këtij misioni kritikët letrarë të poezisë më të mire, si akademiku Kari Aaronpuro apo Erkki Kiviniemi, prej të cilit pata mbështetjen që me prurjen e antologjisë së parë finlandeze në gjuhën shqipe, në Tiranë, 2016, me librin “Gjuha më e vështirë në botë”. Antologjia e poetëve shqiptarë në finlandisht është vazhdim i projektit të parë, kështu që kisha fituar njëlloj eksperience, por që nuk ma lehtësoi përkthimin, sepse gjuha finlandeze ashtu si ajo shqipe, janë sa të vecanta, aq edhe të vështira. Ndaj, përkthimi në finlandisht nuk ka qenë gjë e lehtë, të mos lë pa përmendur pastaj përkthimin gjuhësor, që pata nga shqip-shqipja.

M.: Poezitë e përmbledhura në antologjinë “Na ishte njëherë shpresa”, përfshijnë poetë nga qendrat e mëdha të shqipes: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe pjesën e arbëresheve të Italisë. Kjo gjithëpërfshirje i krijon mundësi lexuesit finandez të njohë në tërësi hartën kulturore shqiptare, a ishte ky qëllimi juaj që brenda një antologjie të bëni bashkë poetët e të gjitha vendeve?

S.B.: Një ndër kriteriet e formimit të listës për antologjinë shqip-finlandisht ishte përfshirja e të gjitha trevave ku kishte shqiptarë. Qëllimi ishte t`i jepja lexuesit finlandez, jo vetëm një hartë kulturore letrare, por edhe një informacion më të 100

gjerë për atë, kush jemi dhe ku jetojmë ne shqiptaret, pa marrë parasysh se ndikimet politike të periudhave të ndryshme na kanë copëtuar si komb. Finlandezët vet kanë në historinë e tyre eksperienca të tilla. Ata vet kanë humbur Karjalan dhe disa pjesë të tjera të cilat ua ka marrë Rusia. Pra, problemet tona si komb nuk janë fenomene të panjohura në arenën ndërkombëtare dhe as të finlandezëve.

M.: “Na ishtë një herë shpresa”, ç’do të thotë ky titull për ju?

S.B.: Në një artikull, ku pershkruaja formimin e idesë së titullit të librit, shkruaja: ”Asgjë nuk është koecidencë. Më duhej të publikoja librin antologjik “Na ishte njëherë shpresa” mbas 28 vitesh që të rikthehesha në kujtimet e fillimit tim si emigrante, azilante, në 1991, kur isha në kërkim të shpresës. Prej atëherë ka kaluar shumë kohë dhe forma e shpresës ka ndryshuar. Djali im, që ishte foshnjë kur mbërritëm në Finlandë, sot është 29 vjec dhe në përfundim të studimeve të larta universitare për master në inxhinieri. Qendra e refugjatëve në Nastola ishte shtëpia jonë e parë në Finlandë, ku edhe më lindi vajza në 1993, e cila po ashtu studion për terapi-muzike. Po ashtu, familja jonë u shkatërrua dhe një gjendje e tillë kërkonte në një shoqëri të huaj degë të reja shprese. Shpresa më ka dhënë gjithmonë forcë të përballoj çdo sfidë në dhe të huaj. Por ky nuk ishte i vetmi burim për përzgjedhjen e titullit. Ideja për të vënë titullin u kërkua nga poezitë e poetëve, nga brendia e antologjisë dhe aty ndër të tjera, në mirëkuptim me poetët që u bënë pjesë e antologjisë, vendosëm për këtë titull, marrë nga poezia e poetit shqiptar të Kosovës “Një ditë vjeshte si kjo”. Ne si komb, më shumë se kurrë kemi nevojë për SHPRESË. Titulli duhet të ishte sa tërheqës për lexuesin finlandez, aq edhe provokues.

M.: Procesi i përkthimit, por edhe promovimi i antologjisë u mbështet nga njerëz të njohur të letërsisë finlandeze, a do të thotë kjo se shqipja ka miqtë e vet atje?

S.B.: Po, falë këmbënguljes sime për t`u ndier pjesë e institucioneve të krijuesve vendas, tashmë kemi miq dhe dashamirës të poezisë dhe letërsisë shqiptare. Kjo antologji ka ndjellë interes më të gjerë, sesa vetëm qyteti i Tamperes, mbasi shtëpia botuese AVIADOR bëri një punë të madhe për informimin e saj më gjerë, në të gjithë Finlandën. P. sh. ajo na gjeti vend të marrim pjesë në dy aktivitete të mëdha ndërkombëtare dhe kombëtare, siç ishte ajo e Liëriit dhe festivali i maratonës poetike të Lahtit. Po ashtu, njërit nga të ftuarit, shkrimtarit Arian Leka iu dha mundësia të flasë për letërsinë shqipe edhe në radio Yle, intervistë e cila u transmetua dhe ritransmetua në ditë të ndryshme dhe në disa kanale të tjera radioje.

M.: Përzgjedhja juaj është subjektive apo e bazuar në mendimet e kritikës letrare?

S.B.: Sic e përmenda më sipër, lista u përpilua në bazë të kontekstit. Poetë shqiptarë, të të gjitha rajoneve ku jetojnë shqiptarët, ku madje për herë të parë mbas shumë mundi e dekadash jepet mundësia për të bërë punë të përbashkëta. Kjo falë ardhjes së demokracisë në të gjithë rajonin.

M.: Sa është e njohur letërsia shqipe për lexuesin e përgjithshëm finlandez, nëse po cilët autorë janë më të përkthyerit?

S.B.: Më mirë për këtë do të mund të përgjigjeshin vet finlandezët, ndaj edhe unë po bazohem në atë çfarë ata kanë publikuar nëpër media apo rrjete sociale mediatike. Shtëpia botuese AVIADOR Pauli në shkrimin e tij të blogut publikuar (24 qershor 2019) shkruan: ” Shqipëria ka ngelur për mua, një vend i panjohur. Emri më i njohur prej tyre është ai i Ismail Kadaresë, emrin e të cilit e kisha dëgjuar edhe unë edhe pse ndonjë gjë më tepër për të nuk dija.” Kjo është e vërtetë, sepse letërsia shqiptare është futur shumë pak, për të mos thënë aspak për vlerat dhe të veçantat që ka.

M.: Teoricienë të ndryshëm vënë në pikëpyetje cilësinë e tekstit që i nënshtrohet përkthimit, pra dyshojnë se një tekst i përkthyer mund t’i ruajë vlerat e njëjta letrare që ka në gjuhën origjinale, si mendoni ju?

S.B.: Nëse vjen prej origjinali, mendoj që ështe më afër saktësisë dhe origjinalitetit, sepse ruajtja e origjinalitetit ka të bëjë direkt me identitetin si parim dhe kjo është e mundur. Përkthimi nga gjuha origjinale afron më shumë ruajtjen e identitetit të autorit, jo të interpretimit. Përkthimi nga një gjuhë e tretë, sado cilësore të jetë, përkthimi në këtë nivel, mundëson zbehjen e identitetit origjinal.

M.: Sa është e vështirë të përkthehen tekstet letrare nga gjuha shqipe, një gjuhë relativisht e vështirë, në finlandisht, e njohur si njëra nga gjuhët më të vështira në botë?

S.B.: Mendoj që vështirësia më e madhe e përkthimit në gjuhën finlandeze mbetet të jetë struktura e fjalisë së saj, e cila është ndryshe nga gjuhët indo-europiane, ku gjuhët finlandisht-ugrik kanë kryefjalën në fund të fjalisë. Profesorja e gjuhës finlandeze Maisa Martin, nxjerr më shumë si problematikë vet gjuhën finlandeze, për shkak të lakimit të shumtë që kanë fjalët e tyre. P. sh. fjala dorë, në shqip nuk lakohet sa herë qe ndryshon mënyra e përdorimit të veprimit:në dorë, mbi dorë etj. Në finlandisht fundi i fjalës lakohet sipas veprimit ndryshe; käsi, kädellä, käsissä. Janë çelësa gjuhësorë, por që e vështirësojnë përkthimin te një jo-finlandisht folës.

M.: Sipas jush, sa është niveli i bashkëpunimeve kulturore, në mes Finlandës dhe qendrave më të mëdha të gjuhës shqipe?

S.B.: Emigrancioni më i madh me shqiptarë në Finlandë, ka ardhur në fillim të viteve 90, që do të thotë se edhe nevoja për të ndërrmarrë nisma për aktivitete kulturore ka lindur shumë më mbrapa dhe këto me nuanca të zbehura. Qëllimi i ndërtimit të këtyre dy antologjive që kam sjell deri tani si në Tiranë në 2016, me poetët finlandezë dhe në Finlandë në qershor të 2019, ka pasur në fokus formimin e ndërtimit të urave në mes dy shoqërive tona. Gjatë promovimeve të librave, jepet po ashtu mundësia për t`u njohur me njëri-tjetrin, shkëmbyer mendime dhe formuar lidhje të reja.

M.: Përveç përkthimeve letrare, ju jeni autore veprash letrare madje edhe pjesë e antologjive, sa ju ndihmon aftësia për të shkruar në procesin e përkthimit dhe anasjelltas?

S.B.: Kontrubuti si autore tekstesh poetike, prozaike, aforistike- vetëm të jep më shumë përvojë për të punuar përherë e më shumë me profesionalizëm.

M.: Tani pasi u publikua antologjia “Na ishte njëherë shpresa” jeni duke pushuar apo po planifikoni, të punoni për projektet e ardhshme?

S.B.: Një mik i mençur më shkruajti mbasi përfundoi aktiviteti i publikimit të antologjisë së fundit: Ti e ke profesion lehtësimin e gjendjeve të ndryshme të të tjerëve, tani jepi urdhër vetes: PUSHO. Kështu që do të ndjek këtë këshillë me shumë vend, për t’i dhënë vetes kohë dhe fuqi për projekte te reja.

Silvana BEGOTARAJ BERKI, u lind më 1968 në Vlorë, tani jeton në qytetin Tamperes në Finlandë. Ka mbaruar master në shkencave sociale, universiteti i Tamperes dhe Laplandës. Punon si punonjëse sociale dhe si përkthyese e gjuhëve shqip-finlandisht-anglisht. Shkruan poezi në gjuhën shqipe dhe finlandeze, të përmbledhura në mbi gjashtë libra. Përveç poezisë ajo ka shkruar edhe prozë të shkurtër dhe aforizma. Është pjesëmarrëse e antologjive ndërkombëtare: Poems for the Hazara, 2014, Second Genesis, 2012, Një shekull dritë, 2012, si dhe organizatore e aktivitetit ndërkombëtar “Thousand poets for Change” në Tampere (2012-2013). Është nderuar me çmimin e nderit nga qyteti i Vlorës./KultPlus.com

Të ngjajshme