Prekja magjike e Albian Gagicës, krijuesi i posterave të filmave historikë “Pa vend” dhe “Zgjoi”

29 Janar, 2022 - 7:54 pm

Uranik Emini

Hapja e librave të historisë nuk ndodh shpesh, mirëpo disa filma nga kinematografia e Kosovës e kanë bërë dhe po vazhdojnë ta bëjnë një gjë të tillë që prej datës kur edhe janë publikuar, shkruan KultPlus.

Të tillë janë filmat sikurse “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit dhe gjithashtu edhe ai me regji nga Samir Karahoda, “Pa Vend”.

Posteri është gjëja e parë që mund të tërheqë vëmendjen e shikuesit, prandaj edhe vlera e tij është e vështirë të mbivlerësohet.

Krijuesi i posterave të filmave “Zgjoi” dhe “Pa Vend”, Albian Gagica, në një intervistë për KultPlus deklaroi se është ndjenjë shumë e bukur që ka pasur mundësinë të jap një kontribut në këtë aspekt.

“Më gëzojnë sukseset e këtyre filmbërësve të cilët i kam miq dhe më vjen mirë që talenti e puna e tyre vlerësohet e shpërblehet ndërkombëtarisht”.

Gagica tregon se regjisorin e filmit “Pa Vend”, Samir Karahodën, e ka njohur që 20 vite dhe kanë punaur bashkë kur ai është marrë vetëm me fotografi, ndërkaq është njohur më herët edhe me Blerta Bashollin.

“Posterin e filmit “Pa vend” e kam punuar para se filmi të pranohet në festivalin e filmit në Kanë. Ndërsa, Blertën e njoh nga bashkëpunimi i saj i parë me Yllkën në filmin e shkurtë “Lena & Unë” në New York. Bashkëpunimi për “Hive/Zgjoi” ka ardhur nga ftesa që ma ka bërë producenti Yll Uka. Kam bërë disa postera për “Zgjoi-n”, natyrisht ngaqë përmes Yllkës e kam ditur edhe më mirë ngjarjen e filmit dhe punën që e ka bërë ekipi, në fund është vendosur për posterin i cili tashmë shihet në çdo platformë”.

Tutje, ai shprehet se është një kënaqësi të dizajnosh e të krijosh diçka për ato gjëra që të inspirojnë e të pëlqejnë.

“Puna ime dhe e çdo dizajneri nuk ka zë në kuptimin bukval të fjalës, por ka vizibiliet e shihet dhe kuptohet. Unë kam dizajnuar me qindra llogo e postera për shumë ngjarje kulturore në Kosovë, Evropë e Amerikë Veriore e Latine”.

Gagica është realizator i shumë posterave të DJ-ve më të njohur në botë, ka punuar edhe për kampanja të ndryshme, për DokuFest, për filmin “Martesa” të Blerta Zeqirit, edhe për dokumentarin “The rescue in Albania”.

“Pastaj kam punuar në The Nantucket Project në Amerikë për 5 vite dhe aty kam dizajnuar postera e ftesa për personalitete të njohura si presidenti George Bush, Moby, Laura Dern, Jennifer Garner etj. Dhe secili prej këtyre personaliteteve më ka inspiruar. “Zgjoi” dhe “Pa vend” janë dy filma shumë të suksesshëm e të punuar me pasion nga ekipet e tyre dhe gëzohem që kam pasur mundësi sado pak të kontriboj në to”, deklaron Gagica.

Projektet e tij të ardhshme përfshijnë punën me një kompani nga shtëpia më e madhe e teknologjisë në botë, “Silicon Valley” në Kaliforni.

“Momentalisht jam duke punuar për një kompani në Silicon Valley të Kalifornisë. Poashtu, jam bashkëpunues i jashtëm i televizionit PBS për emisionin “Tell me more” me Kelly Corrigan e cila është The New York Times best selling author. Kam edhe disa projekte të tjera duke përfshirë festivale te muzikës dhe kopertina të librave dhe albumeve”.

Filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit është futur në listën e ngushtë për nominim nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit, ‘Oscars 2022’, në kategorinë e filmit ndërkombëtar me metrazh të gjatë, derisa filmi “Pa Vend” nga Samir Karahoda ka fituar çmimin e jurisë si filmi më i mirë i shkurtër dokumentarë në edicionin e vitit 2022 të Festivalit të Filmit Sundance. /KultPlus.com

Të ngjajshme