Studimet e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Karlit në Pragë

1 Korrik, 2019 - 10:31 pm

Bisedë me njohësin, përkthyesin e letërsisë shqipe dhe studiuesin e historisë moderne të Shqipërisë, Přemysl Vinš

Gjuha shqipe në Universitetin e Karlit në Pragë të Çekisë studiohet në kontekstin historik, poltik, sociologjik dhe antropoligjik. Gjuha dhe letërsia shqipe, mësohet krahas gjuhës rumune, bullgare, kroate, serbe, dhe sllovene. Universiteti i Karlit është vendi i vetëm ku mund të mësohet dhe studiohet shqipja brenda shtetit Çek. Në Çeki shumë pak njerëz e flasin shqipen, andaj interesimet për këtë gjuhë ekzotike siç e quan Vinš nërlidhen edhe me mundësi punësimi.

Bisedoi: Mimoza Hasani Pllana

Mimoza Hasani Pllana: I nderuar profesor Vinš, fillimisht kujtojmë se përvoja juaj fillestare në raport me gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare është e fokusuar në studimet e gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe më pas në historinë moderne shqiptare, duke u fokusuar në periudhën e regjimit komunist në Shqipëri. A ju kujtohet si filluat mësimin e gjuhës shqipe dhe studimin e letërsisë?

Přemysl Vinš: Është një pyetje mjaft komplekse që lidhet me zanafillat e pasionit tim për historinë dhe kulturën shqiptare. Si fëmijë kërkoja çdo informacion për Shqipërinë, që në atë kohë konsiderohej në Çeki si vend i panjohur dhe pak i mistershëm. Duke marrë parasysh se që nga koha e fëmijërisë lexoj shumë, kaloja kohën e lirë në bibliotekën e lagjes sonë. Dhe atje një ditë kam gjetur përkthimin çek të romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur nga Ismail Kadare. Ky roman më ka befasuar, në atë kohë e konsiderova si një dritare të vogël, nëpërmjet së cilës mund të kuptoja disa tipare të mentalitetit shqiptar. Natyrisht më vonë kuptova se Kadareja përdor dhe punon me disa stereotipe me të cilat shqiptarët duan të krenohen dhe me të cilat mund të tërheqin vëmendje te një lexuesi i huaj, por sigurisht ky libër më ndikoi shumë. Romanet e Kadaresë më shërbenin pak si një mjet për të njohur kulturën dhe historinë e kombit shqiptar.

Por gjithmonë merresha më shumë me historinë dhe letërsia shqiptare ishte diçka si shtesë, pasion. Deri sot më pëlqen kur në veprat letrare pasqyrohen ngjarje reale historike. Pikërisht këtë lloj librash e kërkova në fillim. Ju keni përmendur se fokusohem në periudhën e regjimit komunist në Shqipëri. Është e vërtetë dhe një nga qëllimet e mia është që publiku çek të kuptonte sa e ndryshme ishte përvoja shqiptare me komunizmin në krahasim me atë çeke ose çekosllovake. Edhe për këtë qëllim më shërbeu letërsia, sepse ajo pranohet më lehtë nga publiku i gjerë në krahasim me studimet historike në revistat shkencore. Prandaj para disa vitesh kam përkthyer tregimet e njohura të Ylljet Aliçkës dhe gëzohem nga fakti se edhe me këtë botim modest por relativisht të suksesshëm arrita atë qëllim – disa lexues më kontaktuan për të më pyetur nëse përshkrimet në librin e Aliçkës janë fantazia e autorit ose kështu u duk realiteti i jetës në Shqipërinë komuniste. 

Kur i përgjigjem pyetjes Suaj si fillova orientimin tim më të madh për letërsinë shqipe duhet të pranoj se pasi u punësova në fakultet nuk kisha një zgjidhje tjetër. Programet studimore llogarisin me mësimdhënien e historisë së letërsisë shqipe dhe megjithatë nuk jam asnjë ekspert për letërsinë dhe kurrë nuk u mora me letërsinë nga pikëpamja teorike, në Çeki jemi ndoshta tre ose katër njerëz që në ndonjë mënyrë njohin letërsinë shqipe, historinë e saj dhe që në mënyrë aktive e lexojnë letërsinë shqipe dhe përpiqen ta përkthejnë. Pra, këto mësime unë i mora përsipër dhe duhet të punoja shumë që mund të plotësoja me dinjitet këtë detyrë.

Mimoza H. P.: Në departamentin tuaj ofrohen programe për studime bazike dhe master në disa gjuhë ballkanike përfshirë edhe gjuhën shqipe, sa janë të interesuar të rinjtë për të ndjekur programet studimore në gjuhën shqipe, çfarë e bën tërheqëse këtë gjuhë për të rinjtë çek dhe si funksion katedra?

Přemysl V. : Departamenti ynë me emrin jo të lehtë – Departamenti i studimeve sllavo-jugore dhe ballkanike (Katedra jihoslovanských a balkanistických studií) – është pjesë përbërëse e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Karlit në Pragë. Edhe pse është i ri si departament i pavarur, disa fusha studimi kanë një traditë të gjatë. Kjo u takon sidomos gjuhëve sllave si bullgarishtja, sllovenishtja ose serbishtja. Përkundrazi, përfshirja e gjuhës shqipe ishte pak si eksperiment për shkak të mungesës së stafit dhe natyrisht të interesit. Sot, departamenti ynë është i vetmi vend në Çeki ku mund të studiohet gjuha shqipe.

Në departamentin tonë studiohen aktualisht 6 gjuhë – shqipja, bullgarishtja, serbishtja, kroatishtja, sllovenishtja dhe rumanishtja – në nivelin bachelor dhe master. Studimi përqendrohet jo vetëm për gjuhën që secili student mund ta përzgjedhë, por edhe për letërsinë dhe historinë e rajonit gjuhësor. Përveç kësaj ka disa lëndë që synojnë arritjen e një horizonti më të gjerë. Pra, kur një student dëshiron të studiojë p.sh. gjuhën shqipe, merret natyrisht edhe me letërsinë dhe historinë shqipe, por  përveç kësaj duhet të fillojë gjatë studimit edhe me një gjuhë tjetër ballkanike. Shumica e studentëve tanë ka interes për situatën aktuale në rajon dhe punimet e tyre përfundimtare shpesh bashkojnë historinë, politologjinë, sociologjinë ose antropologjinë.

Studimi në nivelin bachelor zhvillohet në gjuhën çeke, por gradualisht rritet presioni dhe nevoja që studentët ta përdorin gjuhën e studiuar në mënyrë aktive. P.sh. në kurset e mia letrare i detyroj të lexojnë pjesët e veprave në origjinal, gjë që në nivelin e masterit është e natyrshme dhe e domosdoshme. Me kalimin e kohës, sidomos në nivelin master, ka disa lëndë që zhvillohen vetëm shqip.

Për sa u përket arsyeve të studentëve për të ndjekur kurset e shqipes dhe të letërsisë, mund t’i dallojmë studentët në disa grupe. Të parët janë ata që kanë ndonjë lidhje familjare me botën shqiptare. Bëhet fjalë në disa raste për studentët nga familjet çeko-shqiptare. Disa nuk dinin gjuhën fare, disa vetëm gjuhën e folur por  nuk dinin asgjë për letërsinë ose historinë. Grupin e dytë e krijojnë çekët të cilët studiojnë shqipen si një gjuhë ekzotike që mund t’u hapë disa mundësi ekskluzive punësimi duke marrë parasysh se në Çeki ka shumë pak njerëz që flasin shqip. Këta studentë shpesh studiojnë shqipen në kombinim me një gjuhë ose fushë tjetër. Jo rrallë dëshirojnë të kuptojnë shqip dhe të njohin botën shqiptare që vetë mund të krahasojnë informacione për rajonin e Ballkanit nga një perspektivë tjetër. Mendoj se pikërisht kjo arsye është mjaft e rëndësishme në botën e sotme që është plot me lajme propagandistike dhe ku fatkeqësisht argumentime nacionaliste nuk kanë humbur fuqinë.

Mimoza H. P.: Po literatura në gjuhën shqipe, sa është e pasuruar biblioteka e katedrës, a bashkëpunoni me Kosovën dhe Shqipërinë për sigurimin e titujve të rinjë dhe literaturës së nevojshme për studentët?

Přemysl V.:Në departamentin tonë kemi një bibliotekë mjaft interesante albanologjike plot me studime të vjetra dhe me disa origjinale të vlefshme. Më shumë kemi probleme me pajisjen e veprave dhe të studimeve të reja, por edhe kjo çështje po përmirësohet. Unë vetë kam një koleksion të pasur privat librash që shfrytëzoj edhe për mësimin. Përveç kësaj kemi lidhje mjaft të mirë sidomos me Universitetin e Prishtinës, por edhe me Universitetin e Tiranës. Para disa vitesh kemi marrë një numër të madh librash si dhuratë nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe falë kontakteve në Tiranë kemi aktualisht libra të rinj mësimorë të gjuhës shqipe. Sot kemi mjaft mundësi për t’u pajisur me librat në krahasim me kohën para disa vitesh.

Mimoza H. P.: Duke qenë mësimdhënës universitar keni mundësi të identifikoni më lehtë shijet e studentëve, a mund të na thoni cilët autorë dhe periudhat letrare shqipe pëlqehen më shumë prej tyre?

Přemysl V.: Studentët por edhe publiku i gjerë çek vuajnë nga mungesa e përkthimeve të letërsisë shqipe në gjuhën çeke. Kohën e fundit është rritur numri i përkthimeve, por prapë së prapë nuk është i mjaftueshëm. Në krahasim me përkthimet e shumta të letërsisë nga gjuhët sllave kjo mungesë ndihet akoma më shumë. Pra, ky fakt vështirëson njohjen e letërsisë shqipe në Çeki. Studentët çekë gjithashtu kanë nevojë për mjaft kohë deri sa janë në gjendje të lexojnë origjinalin në gjuhën shqipe. Por nga ato çfarë kemi dhe nga ato çfarë unë u prezantoj gjatë mësimeve del se ka interes sidomos për autorët bashkëkohorë. Studentëve u pëlqejnë veprat klasike të letërsisë shqipe, pra romanet e Kadaresë, Kongolit ose Aliçkës. Por interes kanë shfaqur edhe për autorë si Flutura Açka, Ben Blushi, Ag Apolloni ose Luan Starova. Unë përpiqem që të gjejnë pasion për veprat më të vjetra dhe gëzohem se u pëlqejnë edhe tekstet e Migjenit ose vjershat e Çajupit. Këta dy autorë unë i vlerësoj shumë dhe ndoshta pasioni im bie pak edhe mbi ata… Para një viti punuam në një seminar me poezinë e bejtexhinjve dhe u kënaqa kur disa studentë shfaqën interes edhe për këto tekste leximi i të cilave për ne të huajt nuk është aspak i lehtë. Përkundrazi, duhet të pranoj se leximi i veprave të Naim Frashërit nuk ka gjetur ndonjë mirëkuptim të madh. Por kjo mund të kuptoheet sepse tekstet e bukura të Naimit ose disa rilindësve të tjerë nuk zgjojnë te studentët çekë ndjenjat patriotike siç mund të jetë te kolegët e tyre në Shqipëri ose Kosovë. 

Mimoza H. P.: Sa jeni të kënaqur me përkthimin e letërsisë shqipe në gjuhën çeke?

Přemysl V.: Për këtë çështje jam përgjigjur pak më parë. Jo, nuk jam i kënaqur. Pikërisht në fushën e përkthimit unë shoh potencialin tim të madh. Ndoshta kurrë nuk do të jem ndonjë shkencëtar i mirëfilltë por do të doja që të kontribuoj si përkthyes për njohjen më të mirë të letërsisë shqipe në vendin tim. Dua t’u tregoj çekëve se letërsia shqipe nuk është vetëm Kadareja të cilin natyrisht e vlerësoj shumë. Por nuk është e lehtë të bindësh ndonjë shtëpi botuese që të botonte shkrimtarë shqiptarë të cilët mbeten faktikisht të panjohur te ne. Pra kemi shumë sfidë dhe shumë për të bërë.

Mimoza H. P.: Si i vlerësoni teoritë e përkthimit, në fakt a besoni në rregulla të përgjithshme të përkthimit në funksion të ruajtjes së origjinalitetit të tekstit fillestar?

Přemysl V.: Nuk e di cilën teorinë konkrete e mendoni, por besoj se për të arritur një përkthim cilësor, çdo përkthyes duhet të përkthejë së pari në gjuhën e tij mëmë. Ky kusht banal shpesh nuk respektohet dhe fatkeqësisht pasqyrohet keq në rezultatin e përkthimeve. Së dyti mendoj se përkthyesi duhet të jetë një njohës shumë i mirë jo vetëm i gjuhës së tij mëmë (as kjo nuk është gjithmonë automatike) dhe asaj të origjinalit, por duhet të orientohet shumë mirë në historinë dhe kulturën e kombit, gjuhën e të cilit e përkthen. Kjo e takon shumë letërsinë shqipe në të cilën janë kaq të pranishme elemente historike, folklorike, shoqërore, politike etj.

Mimoza H. P.: Sipas mendimit tuaj, a mund të përkthehen të gjitha tekstet letrare shqipe në gjuhën çeke, çfarë e bën të sfidueshëm procesin e përkthimit të letërsisë shqipe në gjuhën çeke?

Přemysl V.: Sigurisht se mund të përkthehen të gjitha tekstet, por ka disa që do të ishin vërtetë një sfidë. P.sh. Lahuta e Malcisë nga Fishta është vepra fantastike por përkthimi i saj në gjuhën çeke do të ishte jashtëzakonisht i vështirë për shkak të gjuhës së origjinalit dhe elementeve specifike shqiptare nga fusha e historisë, mitologjisë dhe folklorit. Nuk mund të imagjinoj se një lexues çek do ta kuptonte këtë vepër pa një studim shtesë i cili do të sqaronte këto elemente. Unë vetë duhet të pranoj se nuk ndihem mjaft i aftë të përkthej poezinë. Për ta bërë duhet të bashkëpunoja me një poet i cili duhet t’i jepte përkthimit tim formën e duhur artistike.

Mimoza H. P.: Si qëndron bashkëpunimi i departamentit  tuaj me departamentet ku mësohet gjuha dhe letërsisa shqipe në Kosovë, Shqipëri dhe vendet tjera të Ballkanit, në veçanti në mobilitete,  seminare, konferenca dhe tryeza shkencore?

Přemysl V.: Kemi një bashkëpunim shumë të mirë me Tiranën dhe Prishtinën falë programit Erasmus+. Studentët tanë kanë realizuar disa qëndrime studimore në Universitetin e Tiranës dhe në Universitetin e Prishtinës, dhe vitin e kaluar dhe sivjet kemi edhe te ne në Pragë disa studentë nga Kosova. Ky bashkëpunim është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne. Përveç shkëmbimit të studentëve përfitojmë nga mobilitetet e profesorëve nga Prishtina dhe Tirana të cilët na kanë nderuar disa herë me ligjëratat e tyre në fakultetin tonë. Vlerën shumë të madhe e ka gjithashtu tradita e pjesëmarrjes së studentëve tanë në Seminarin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare që zhvillohet çdo verë në Prishtinë. Për shumë studentë Seminari është kontakti i parë i gjallë me botën shqiptare dhe një mundësi e shkëlqyer për të njohur kolegë dhe albanologë nga gjithë bota.

Mimoza H. P.: Duke ju falënderuar për bisedën, a mund të na thoni se çfarë jeni duke lexuar, punuar aktualisht lidhur me gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare?

Přemysl V.: Aktualisht lexoj librin e kujtimeve të regjisorit të njohur shqiptar Piro Milkani i cili është njohës i mirë i gjuhës dhe kulturës çeke. Libri i tij me titullin „E pabesueshme por e vërtetë” tregon shumë detaje nga koha e studimeve të Milkanit në ish-Çekosllovaki si dhe nga periudha kur zoti Milkani shërbeu si ambasadori i Shqipërisë në Pragë, flet për shumë personalitete të njohura çeke dhe shqiptare. Mendoj se ky libër bashkon në ndonjë mënyrë të dyja kombet dhe do të meritonte përkthimin në gjuhën çeke. Shpresoj se kjo do të realizohet. Përveç kësaj kam përkthyer disa kapituj nga romani „Ku je?” i Flutura Açkës dhe do të doja ta gjëja shtëpinë botuese për të realituar botimin e plotë të këtij romani.

Přemysl Vinš ka lindur më 1982 në Çeki. Punon asistent në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Karlit në Pragë, ku merret me me letërsinë shqiptare dhe historinë moderne të Shqipërisë. Përveç punësnë Universitet jep edhe mësime private të gjuhës shqipe. Një nga qëllimet e tij është përkthimi i autorëve shqiptarë si dhe promovimi i letërsisë dhe kulturës shqiptare në Çeki./KultPlus.com

Të ngjajshme