Terese Backlund, finlandezja e mahnitur me dashurinë e kosovarëve

4 Shtator, 2019 - 8:20 pm

Qendrim Badalli

Kosova, tashmë si një vend i lirë çdo vit pret turistë nga e gjithë bota. Ata vijnë për ta shuar kureshtjen e tyre për shtetin e ri me shumë bukuri. Dikush vjen dhe viziton Kalanë e Prizrenit, të tjerët malet e mrekullueshme të Pejës, por Terese Backlund ka ardhur për një arsye tjetër: ajo po qëndron në Kosovë për të përfunduar një praktikë në një organizatë në vendin tonë.

Për eksperiencën e saj në Kosovë, gjithçka që i ka bërë përshtypje për vendin tonë, ajo ka treguar qartë, thjeshtë dhe shkurt në intervistën për KulPlus. Terese Backlund është 28 vjeçe dhe studion në Finlandë për Politikat Sociale.


KultPlus: Cila ishte përvoja juaj në ditën e parë në Kosovë?
Terese Backlund
: Dita ime e parë ishte një surprizë pozitive. Unë kurrë më parë nuk kam qenë në Kosovë dhe s’mund ta besoja sa moderne dhe e zhvilluar është Prishtina. Menjëherë fillova ta dua apartamentin dhe hapësirën ku unë jetoj, në qytet ndihem e sigurt dhe e mirëpritur. Meqë vij nga një qytet i vogël në Finlandë, ishte shumë mirë të shoh se edhe Prishtina nuk është shumë e madhe dhe unë mund të ndihem shumë shpejt si në shtëpinë time.

KultPlus: Si ishte java juaj e parë?
Terese Backlund: Stafi i organizatës ku unë jam duke e bërë punën praktike në Prishtinë më ka ndihmuar lidhur me çdo gjë. Para se të vija në Kosovë unë kam marrë informacione rreth Kosovës, rreth vendit të punës, apartamentit, si të qarkulloj në qytet… Isha shumë mirë e përgatitur, dhe kur takova kolegët e mi këtu, ata më shëtitën nëpër qytet dhe unë u ndjeva më të vërtetë shumë e mirëpritur, ata ishin shumë të sjellshëm dhe ndihmues. Duke i falënderuar ata, unë mësova shpejt si ta përdori trafikun urban, ku të blej gjëra ushqimore, dhe u regjistrova në fitnes gjithashtu. Më janë dashur 2 javë në maksimum të adaptohem dhe të ndihem si në shtëpinë time, duke i falënderuar miqtë e mi dhe të gjithë njerëzit e tjerë që më ndihmuan kudo. Kjo është përshtypja ime e parë dhe më e madhja në Kosovë; sa të shoqërueshëm dhe ndihmues janë njerëzit në këtë vend.


KultPlus: Çfarë mendoni rreth ushqimit, cili është ushqimi juaj i preferuar këtu?
Terese Backlund: Kjo është njëra ndër gjërat më të mira në Prishtinë, ushqimi dhe mundësia për të zgjedhur ushqime të ndryshme me shije të llojllojshme. Qyteti është i mbushur me restaurante dhe kafene të mira dhe me njerëz që qëndrojnë jashtë, dhe këtë e dua shumë sa i takon kulturës këtu, që njerëzit takohen shpesh për të pirë një ekspreso dhe qëndrojnë bashkë. Të shkosh dhe të hash ushqim tradicional shqiptar, kjo është gjëja më e mirë. Pikërisht se e dua ushqimin tradicional shqiptar unë shkoj shpesh në “Tiffanys” (restaurant me ushqime tradicionale) i cili është vendi im i preferuar këtu kur bëhet fjalë për gastronomi.

Unë vizitova edhe miqtë e mi që janë me origjinë nga Kosova dhe që kanë ardhur në Kosovë për pushime verore. Unë takova edhe të afërmit e tyre këtu në Kosovë dhe më pëlqeu shumë kur ne u ulëm për të pirë kafe turke dhe për të ngrënë ëmbëlsira. Bakllava dhe bombica tani janë ëmbëlsirat e mia të preferuara që i shijova këtë verë këtu. Kjo është njëra ndër gjërat më mbresëlënëse që kam për t’i mbajtur në mend nga vera këtu; sa miqësor janë njerëzit këtu, dhe për ftesa që ua bëjnë të tjerëve për t’u ulur në shtëpitë e tyre, biseduar dhe pirë kafe së bashku.


KultPlus: Në anën tjetër, si do t’i përshkruani qytetet në Kosovë, në veçanti nga aspekti gjeografik?
Terese Backlund: E dua Prishtinën. Ndihem e sigurt dhe e lumtur këtu, gjithmonë ke çfarë të bësh këtu. Ju mund të dilni për darkë, apo për të pirë ndonjë kafe në shumë vende të mira këtu. Fitneset janë shumë të mira, “Albi Mall” , Katedralja e “Nënës Terezë” që është ndër pikat turistike më të pëlqyera nga unë sepse është shumë e bukur. Në Prishtinë është shumë lehtë të sillesh nëpër qytet meqë nuk është qytet shumë i madh.

Unë kam qenë gjithashtu edhe në Ferizaj, Prizren, Mitrovicë, Vushtrri dhe Gjakovë. Unë s’kam qëndruar shumë nëpër ato qytete, për aq kohë sa kam qëndruar Prizreni është shumë i bukur. Të ecësh rrugës për në “Kala” ju mund të keni mundësi të shihni pamje të mrekullueshme nga lart qytetit.

Kur e vizitova Mitrovicën, u takova me disa miq dhe ata më shëtitën nëpër qytet, unë isha edhe në shtëpitë e tyre. Ndryshe nga Prishtina, ishte një ndjenjë tjetër të isha në atë qytet. Sidomos kur pashë urën dhe pengesat. Si një e huaj unë vetëm mund të dëgjoj dhe lexoj për historinë e Kosovës, por të shohësh vet zonën ku ende mund të ketë tensione ishte një mundësi e mirë për ta parë realitetin.

Unë kam vizituar edhe Junikun meqë organizata ku unë punoj ka një kamp të të rinjve atje. Ishte një eksperiencë e mirë për mua që të jem poshtë maleve dhe të organizojmë një kamp së bashku. Është vështirë t’i krahasosh qytetet mes vete sepse secili qytet e ka hijeshinë e vet. Ju mund të shihni natyrë të bukur me male dhe lumenj por ju mund të shihni edhe xhamia dhe monumente historike. Sidoqoftë mua me të vërtetë më pëlqejnë ato qytete dhe për mua ishte shumë argëtuese të takoj njerëz të ndryshëm dhe të vizitoj vende të ndryshme këtu.


KultPlus: Cfarë mendoni për mënyrën e të jetuarit këtu në të gjitha aspektet, a jemi ne “Europianët e Rinj” siç mendojmë se jemi?
Terese Backlund: Unë nuk mund të flas për të gjithë vendin meqë pjesën më të madhe të verës e kam kaluar në Prishtinë. Të rinjtë që i kam takuar këtu nuk duken apo nuk veprojnë shumë ndryshe nga, ta zëmë, të rinjtë në Suedi ose Finlandë.  Qyteti është i zhvilluar dhe ju mund të bëni shumë gjëra të ngjashme si në çdo vend të Europës kur është fjala tek shoppingu, kinemaja, të shkuarit në fitnes etj. Ne jemi duke i përdorur të njëjtat aplikacione, rrjetet sociale, shikojmë të njëjtat filma, kështu unë nuk mund të shoh dallim të madh mes të rinjve që jetojnë në Prishtinë dhe vendit tim kur është puna tek mënyra e të jetuarit në aspektin shoqëror.  Sidoqoftë, unë mund ta shoh dallimin kur vije puna tek edukimi. Unë vetë jam studente dhe kur dëgjoj se sa vështirë është të gjesh një punë këtu pasi të diplomosh atëherë unë e shoh dallimin midis të njëjtëve njerëz, të së njëjtës moshë, të të njëjtit nivel të shkollimit. Natyrisht që këtu ka ndryshim dhe shpresoj të jetë edhe më lehtë në të ardhmen sepse këtu ka shumë të rinj të zgjuar, punëtorë, dhe të motivuar që duan të shkollohen dhe të punësohen këtu.


KultPlus: Çka do t’ju thuash miqve të tu në Finlandë për njerëzit e Kosovës?
Terese Backlund: Kjo është gjëja e parë që do t’ju tregoj të tjerëve kur të më pyesin për Kosovën. Unë gjithmonë do të ju them “Kosova është e mbushur me njerëz të sjellshëm, ndihmues dhe që pranojnë njëri-tjetrin, ata dinë si ta kenë me prioritet edhe jetën familjare”. Askush nuk po më trajton ndryshe nga të tjerët apo në ndonjë mënyrë të keqe. Unë më të vërtetë po ndihem sikur të gjithë njerëzit që i takoj janë të zgjuar dhe shumë të sjellshëm. Unë këtë nuk e dija para se të vija këtu dhe kam menduar se do ta kem shumë të vështirë të adaptohem me njerëzit dhe me jetën këtu por tani po e shoh se kam qenë gabim. Me të vërtetë do të më mungojnë njerëzit këtu dhe kur të kthehem në vendin tim, unë do të provoj me gjithë zemër që të vij dhe t’i vizitoj miqtë e mi të ri në Kosovë.

KultPlus: Në fund, duke ju falënderuar për kohën tuaj, a ka ndonjë gjë që do të dëshironit ta ndryshonit në shoqërinë tonë, nëse po, a mund të na tregoni çfarë?
Terese Backlund: Ky është një vend që ka pasur luftë vetëm njëzet vite më parë, ju po zhvilloheni dhe po përpiqeni të përmirësoheni gjithmonë. Natyrisht, duhen shumë ndryshime për ta ndërtuar një shoqëri dhe një vend. Kështu, kemi shumë çështje që duhet diskutuar, si barazia gjinore, të drejtat e njeriut, ekonomia, sistemi arsimor, etj. Por unë shpresoj që procesi i të ndërtuarit një shtet të fortë dhe të pavarur do të jetë i suksesshëm. Jam shumë falënderuese për vizitën time këtë verë këtu dhe për të gjithë njerëzit që i kam takuar.
Personalisht, kam mësuar në Kosovë se njerëzit tregojnë shumë respekt për të tjerët. Edhe në vendin tim tregojmë respekt për njëri-tjetrin por këtu ju mund të qëndroni dhe të keni një shtrëngim duarsh kur ju takoni ndonjë person dhe ka shumë shprehje të këndshme  – “Përshëndetje, si jeni a jeni mirë, më vjen mirë që u takuam” në vend të vetëm një “Hello”.  Më pëlqen shumë këtu të shoh se si njerëzit e trajtojnë njëri-tjetrin dhe kjo flet vetëm për sjellje të mira. Unë gjithashtu kam mësuar sesi të ndash kohë për tu ulur dhe pirë një ekspreso bashkë me shokë dhe shoqe dhe jo të jem gjithmonë në nxitim dhe në mendim se çfarë duhet të bëj gjatë gjithë kohës. / KultPlus.com

Të ngjajshme