22 Qershor, 2025 - 6:30 pm
Ishte një ditë e zakonshme e një udhëtimi drejt Londrës. Por 12 qershori i vitit 2025 u kthye në datën e një prej tragjedive më të mëdha ajrore. Një avion i kompanisë Air India, fluturimi AI171, u rrëzua pak minuta pas ngritjes nga aeroporti i Ahmedabadit, duke shkaktuar të paktën 270 viktima.
Kjo ishte tragjedia ajrore më e rëndë e dekadës.
Kamera e sigurisë së aeroportit tregon momentin kur avioni ngrihet dhe menjëherë më pas bie me shpejtësi të madhe.
Avioni ra mbi një godinë konvikti të një kolegji mjekësie, duke shkaktuar dhjetëra viktima edhe mes studentëve në tokë. 241 nga 242 pasagjerët dhe ekuipazhi ndërruan jetë. Vetëm njëri mbijetoi.
Ekipet e emergjencës shkuan menjëherë në vendngjarje. Viktimat u dërguan në spitalin civil të Ahmedabadit. Korridoret janë të mbushura nga dhimbja e familjarëve.
Autoritetet indiane u bënë thirrje të afërmve të sillnin mostra ADN-je për identifikimin e viktimave.
Drejtori Ekzekutiv i “Air India”, Campbell Wilson, deklaroi: “Ne e kuptojmë që njerëzit janë të etur për informacion. Ju lutemi të dini se ne do të vazhdojmë të ndajmë informacion të saktë dhe në kohë sa më shpejt të jetë e mundur.”
Ai tha se hetimet do të kërkojnë kohë dhe konfirmoi se në aeroplan ndodheshin 169 shtetas indianë, 53 britanikë, 7 portugezë, 1 kanadez dhe 12 anëtarë të ekuipazhit.
Kryeministri britanik Keir Starmer shprehu ngushëllimet nga Londra.
“Zemrat dhe mendimet tona janë absolutisht me miqtë dhe familjet e të gjithë atyre që janë prekur, të cilët do të jenë absolutisht të shkatërruar nga ky lajm i tmerrshëm.”
Mbreti Charles III dhe anëtarë të tjerë të familjes mbretërore mbajtën shirita të zinj gjatë paradës “Trooping the Colour” në nderim të viktimave.Kryeministri indian Narendra Modi inspektoi vendin e rrëzimit dhe vizitoi të plagosurit, si dhe të mbijetuarin e vetëm të katastrofës.
Viseashkumar Ramesh, 40 vjeçar nga Britania, ishte ulur pranë daljes së emergjencës, në ulësen 11 A.
“Gjithçka ndodhi para syve të mi. Nuk e di se si mbijetova. Për njëfarë kohe mendova se edhe unë do të vdisja. Por kur hapa sytë, kuptova se isha gjallë dhe u përpoqa të liroja rripat nga sedilja dhe të ikja nga ku të mundesha. Stjuardesa dhe të tjerët vdiqën para syve të mi.”
Bhoomi Chauhan, një pasagjere që kishte planifikuar të udhëtonte me fluturimin, nuk arriti në kohë. Trafiku ia shpëtoi jetën.
“U ndjeva plotësisht e mpirë… dhe nga njëra anë, po falënderoja Zotin që më shpëtoi, por kuptova se incidenti që ndodhi ishte i tmerrshëm.”
Zyrtarë të Boeing dhe të dy institucioneve më të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që merren me sigurinë dhe rregullimin e transportit ajror, Bordi Kombëtar për Sigurinë në Transport (NTSB) dhe Administrata Federale e Aviacionit (FAA), ndodhen në Indi.
Ata po ekzaminojnë gjithçka ka mbetur.
Kutia e zezë e avionit Boeing 787-8 Dreamliner u gjet dy ditë pas aksidentit. Ministri indian i aviacionit deklaroi se ato do të ndihmojnë për të zbardhur çfarë ndodhi para dhe gjatë rrëzimit.
“Ekipi i AAIB (Dega e Hetimit të Aksidenteve Ajrore) beson se deshifrimi i kutisë së zezë do të japë një pasqyrë të thellë të asaj që ka ndodhur në të vërtetë gjatë procesit të rrëzimit ose momenteve para vetë rrëzimit”, tha ministri indian i Aviacionit, Rammohan Naidu.
Trupat e pajetë të viktimave filluan të kthehen në familjet e tyre. Mbi 41 viktima u identifikuan përmes ADN-së. Disa familje, si ajo e 14-vjeçarit Akash Patni, u desh të prisnin ndërsa autoritetet kryenin analizat e ADN-së për të identifikuar të vdekurit. Nëna e djalit dhe të afërmit e tjerë nuk e reshtën vajtimin për të.
Mjeku i Spitalit Civil të Ahmedabadit, Rajnish Patel, tha më 16 qershor se deri më tani, janë identifikuar 87 viktima dhe 47 familje kanë marrë trupat e të afërmve të tyre që vdiqën në aksident.
“Midis trupave që mbërritën këtu në spital nga vendi i rrëzimit të Air India, u kryen me sukses 92 përputhje të ADN-së, nga të cilat 87 individë janë të identifikuar sepse ka duplikime në mostra.”
Kur ka kaluar një javë, hetimet vazhdojnë, ndërsa dhimbja nuk shuhet. Qytetarë, zyrtarë, familjarë dhe një botë e tronditur përulen para një prej tragjedive më të rënda të historisë së aviacionit në vitet e fundit./Klan News/ KultPlus.com