100 vjet miqësi me SHBA-në, Biden dhe Bush mesazh për Shqipërinë

28 Korrik, 2022 - 12:39 pm

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka përshëndetur përmes një video-mesazhi 100-vjetorin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Amerikës. Ai u shpreh se SHBA do të vijojë që të jetë në krah të Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt integrimit Europian dhe sfidat e tjera që e presin. Ndër të tjera Biden solli në vëmendje ndihëm që Shqipëria po i jep Ukrainës në luftën kundër Rusisë apo edhe strehimin e afganëve përgjatë viteve të luftës.

“Të gjithë popullit të Shqipërisë, i dërgoj urime të më përzemërta të miqësisë jetëgjatë me SHBA-në ndërsa festojmë 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes vendeve tona. Kur SHBA e mbrojtën Shqipërinë pas Luftës së Parë Botërore u krijua një miqësi e përhershme mes popujve tanë, një dashuri e përbashkët për lirinë dhe për vlerat e demokracisë, të cilat nuk u thyen kurrë.

Sot, Shqipëria dhe SHBA janë aleate në NATO dhe partnere që punojnë së bashku për mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë në Europë dhe në mbarë botën, duke përfshirë punën tonë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Shqipëria ka bërë gjithashtu një kontribut kritik në mbështetjen e nevojave humanitare dhe të sigurisë për popullin ukrainas teksa mbrojnë veten e tyre kundër luftës brutale të Rusisë. Dua gjithashtu që të falënderoj popullin e Shqipërisë për mikpritjen tuaj në strehimin e mijëra afganëve gjatë vitit të kaluar.

SHBA do të vazhdojë të qëndrojë me Shqipërinë teksa punoni për të forcuar institucionet demokratike, luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe plotësoni udhëtimin për t’iu bashkuar Bashkimit Europian. Uroj që dy kombet të vazhdojnë të ndërtojnë mbi gjithçka që kemi arritur së bashku dhe të ofrojmë një të ardhme më të fuqishme, shpresëdhënëse për fëmijët tanë“, thuhet në mesazhin e Biden.

Diplomatja amerikane Yuri Kim lexoi edhe një mesazh të ish-presidentit George W. Bush, që vizitoi Shqipërinë në 2007-ën. “Unë dhe Laura ju dërgojmë përshëndetjet më të ngrohta. Në 2007 isha krenar që u bëra Presidenti i parë që vizitoi Shqipërinë. U bëmë dëshmitarë të mikpritjes suaj të sinqertë. Kujtoj pasionin tuaj për zhvillim dhe tolerancë. Shqipëria është një forcë e së mirës”, shkruan ai.

Ambasadorja Kim tha se Shqipëria mbetet e palëkundur nga mbështetja dhe aspiratat e kombit shqiptar për sovranitet, demokraci, begati dhe drejtësi.

“Shumë gjëra kanë ndryshuar në 100 vite, por ja çfarë mbetet e pandryshuar; SHBA kurrë nuk është lëkundur nga besimi për një Shqipëri të pavarur, kurrë nuk jemi lëkundur në besimin për ju. Shqipëria dhe SHBA janë miq dhe aleatë të vërtetë. Ne jemi krenarë të festojmë me ju këtë muaj, ndërkohë që ju filluar negociatat. SHBA nuk do të lëkunden kurrë nga aspiratat e kombit shqiptar për demokraci”, tha Kim.

Në fjalën e saj në ceremoninë e këtij momenti të veçantë, ministrja e Jashtme Olta Xhaçka u shpreh se këtë marrëdhënie nuk e zhbëri dot as regjimi diktatorial.

“Faleminderit që jeni këtu me ne për të kremtuar 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve të vendeve tona. Një marrëdhënie e konsoliduar nuk mundi të zhdukë as regjimi komunist. Nuk u zhbë kjo marrëdhënie sepse jo ngrihet nga ndjenjat e miqësisë. Duke filluar me rolin vendimtar që luajti presidenti Willson për të shpëtuar Shqipërinë nga copëtimi i mëtejshme. 30 vite më parë unë isha hipur mbi qafën e tim etj, kur Tiranën e Bizitoi Beker. Kur hedh sytë pas është se koha që ka kaluar e ka justifikuar atë besim dhe entuziazëm. Shqipëria është sot një realitet krejt tjetër. Ne jemi sot një end që jep një kontribut real. Sot është një moment për të hedhur sytë pas, por edhe për të parë përpara”, tha Xhaçka. / Express / KultPlus.com

Të ngjajshme