100-vjetori i lindjes së Arshi Pipës, Margariti: Një nga zërat e rëndësishëm të letrave shqipe

28 Korrik, 2020 - 7:56 pm

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, përkujtoi sot Arshi Pipën, poet, kritik, përkthyes, albanolog, filozof, të cilin e cilësoi si një nga zërat e rëndësishëm të letrave shqipe.

“Plot 100 vjet më parë lindi Arshi Pipa, një nga zërat e rëndësishëm të letrave shqipe. Një rebel i lindur, poet, kritik, përkthyes, albanolog, filozof, një antikomunist, që e vuajti në lëkurë bindjen e tij të palëkundur, në qeli e kampe pune. Edhe gjatë viteve të qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku shkëlqeu në lëmë të pedagogjisë, por dhe filozofisë, nuk reshti së punuari për Shqipërinë, për të treguar të vërtetën e një vendi të izoluar, një sagë të cilën e shkroi në letra cigaresh”, – shprehet Margariti.

Ndërsa Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shetit 1944-1991 teksa ka publikuar dosjen mbi Arshi Pipën thekson se “themelues i organit “Bota e re” të Lidhjes së Shkrimtarëve, Arshi Pipa me Mitrush Kuteli, të dy jokomunistë, më pas u dënuan me burg dhe u rigjetën në punën e rëndë për tharjen e kënetës së Maliqit”.

I arrestuar në korrik të 1947-s, Pipa e vuajti dënimin në kampet e punës së detyruar në vend, mes të cilëve, këneta e Maliqit, me shumë të dënuar të tjerë politikë. Nga Vloçishti e Maliqi, ai arriti të merrte poezitë e ferrit në SHBA, ku u vendos pas arratisjes në 1957, siç i kishte shkruar, në letra cigaresh, për t’i botuar më pas si “Libri i Burgut”. Sot, e gjithë biblioteka dhe krijimtaria e tij i është dhuruar Muzeut Historik Shkodër.

“Arshi Pipa u mbajt në vëzhgim nga Sigurimi i Shtetit për 44 vjet. Drejtoria e Zbulimit Politik e çeli dosjen për ndjekjen e tij në 29.4.1960 dhe e mbylli në vitin 1992. Në dosje bëhet e qartë që Sigurimi mbajti në vëzhgim, veç tij, edhe 35 veta të rrethit familjar që jetonin në Shqipëri pas arratisjes së tij, po kështu, rrethin miqësor dhe kolegët në SHBA”, – shprehet Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shetit 1944-1991.

Sigurimi i Shtetit e cilësonte “agjent të amerikanëve”, por vlerësonte se “është i mprehtë, i zgjuar, mjaft dinak dhe armik i betuar i joni”. /Atsh /KultPlus.com

Të ngjajshme