20 Gusht, 2025 - 10:35 am
Eurovisioni po rikthehet në Vjenë, në tempullin e muzikës klasike, e cila doli më e preferuar ndaj qytetit malor të Innsbruck, njoftoi sot transmetuesi publik austriak ORF, i cili do të presë konkursin e këngëve të vitit të ardhshëm, finalja e të cilit është planifikuar për më 16 maj.
Kryeqyteti me më shumë se dy milionë banorë kishte aplikuar me sloganin “Evropë, a do të kërcejmë?” duke u bazuar në suksesin e edicionit të vitit 2015, pas triumfit të mbretëreshës me mjekër, Conchita Wurst.
Këtë herë, ishte artisti i ri JJ, një tenor austriako-filipinas 24-vjeçar, i cili mori trofeun.
“Reputacioni i Vjenës si një nga qytetet më të rëndësishme muzikore në botë dhe vendndodhja e saj në zemër të Evropës, e bëjnë atë qytetin ideal pritës për këtë konkurs të 70-të”, komentoi Martin Green, drejtori i Eurovisionit, në një deklaratë pasi vendimi u njoftua në ORF.
Vjena priti gjithashtu Eurovisionin në vitin 1967, pak më shumë se 10 vjet pas krijimit të tij.
Por, eventi aktual nuk ka asgjë të përbashkët me ditët e tij të hershme: ai është tani më ekstravagant dhe spektakolar dhe ndiqet nga 166 milionë shikues në 37 vende dhe po tërheq brezin e ri në median sociale./ atsh/ KultPlus.com