110 vjet nga Kuvendi i Junikut

21 Maj, 2022 - 2:07 pm

Kuvendi i Junikut u mbajt më 21-25 maj 1912 në Junik.

Udhëheqësit e forcave kryengritëse ndien nevojën e bashkërendimit dhe organizimit të kryengritjes në shkallë kombëtare, prandaj i drejtuan një thirrje popullit shqiptar për tu bashkuar nën drejtimin e një komiteti të vetëm kombëtar.

Ministri i brendshëm turk deklaroi në parlament se ” kryengritësit shqiptarë po u krijonin udhëheqësve të tyre mundësinë për të mbajtur lirisht kuvendin në Junik”. Kuvendi u mblodh në Junik më 21-25 maj 1912 me nismën e Hasan Prishtinës dhe në të morën pjesë 250 delegatë nga Vilajeti i Kosovës, sanxhakët e Dibrës, të Shkodrës dhe të Elbasanit.

Falë përpjekjeve të Hasan Prishtinës, Bajram Currit dhe Isa Boletinit u paralizuan veprimet e elementëve turkomanë në radhët e lëvizjes. Shumica e pjesëmarrësve të Kuvendit vendosën të vazhdohej kryengritja e armatosur, kësodore u lidh besa dhe u vendos të ndërmerrej një kryengritje e përgjithshme.

Kuvendi miratoi programin politik i cili përmbante kërkesa për autonominë e Shqipërisë, vendosjen e administratës shqiptare, caktimin e gjuhës shqipe me alfabet kombëtar si gjuhë zyrtare, ngritjen e flamurit shqiptar në gjithë vendin dhe garancinë e Fuqive të Mëdha për plotësimin e këtyre kërkesave./ KultPlus.com

Të ngjajshme