28 Korrik, 2025 - 9:20 pm
Sot, në përvjetorin e 137-të të lindjes së Marcel Duchamp, bota e artit kujton një nga figurat më tronditëse dhe ndikuese të shekullit XX. Si një njeri që nuk u mjaftua me pikturën, Duchamp rrëzoi gjithçka që konsiderohej “art” në mënyrën tradicionale dhe hodhi themelet e artit konceptual modern. Ai nuk ishte vetëm piktor e skulptor, por një provokator i vetë mendimit estetik, një filozof përmes formash.
Duchamp nuk kërkoi t’i kënaqte sytë e publikut, por mendjen. Ai e quajti artin e asaj kohe “retinal”, domethënë thjesht vizual, dhe këtë e përçmoi si një limitim të thellë të qëllimit të vërtetë të artit. Me veprat e tij si “Fountain” (shatërvani, një pisoar i firmosur dhe paraqitur si vepër arti), “Bicycle Wheel”, apo “L.H.O.O.Q.” (parodia e Mona Lizës), Duchamp i sfidoi konceptet klasike të bukurisë dhe autorësisë, duke e vendosur idenë përpara formës, përcjellë KultPlus.
Ai u lidh shpesh me lëvizjen e Dadaizmit megjithëse nuk u bë kurrë pjesë zyrtare e saj. Ndikimi i tij u ndje thellësisht në surrealizëm, pop art, minimalizëm, dhe artin bashkëkohor konceptual, duke frymëzuar emra si Andy Warhol, Joseph Beuys, e deri te Damien Hirst.
137 vite më pas, ai vazhdon të sfidojë, të frymëzojë dhe të ngacmojë pyetjen më thelbësore:
“Çfarë është arti?”/KultPlus.com