14 vjet nga dita kur zyra amerikane në Kosovë u bë Ambasadë

8 Prill, 2022 - 12:31 pm

Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot 14 vjet më parë e shndërruan Zyrën e Shërbimit Informativ, e cila ishte hapur në vitin 1996 në Kosovë dhe e cila nga viti 1999 deri më 2008 funksiononte si mision diplomatik, zyrtarisht në Ambasadë.

Në ditën kur Ambasada e SHBA-së përkujton këtë ditë ka dhënë edhe shifrat që investoi në Kosovë, si dhe kontributet tjera për shtetndërtimin e saj.

Që nga viti 1999, Qeveria e SHBA-së ka investuar rreth 2 miliardë dollarë në Kosovë, derisa ka kontribuar me trupa në kuadër të KFOR-it. Shtetet e Bashkuara gjithashtu kontribuuan me staf në Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) që nga vendosja e tij në vitin 2008, kështu duke shënuar herën e parë që Shtetet e Bashkuara marrin pjesë në një mision të BE-së për Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Më 4 korrik 2019, misioni diplomatik amerikan u zhvendos në ndërtesën e sapondërtuar të Ambasadës, një ndërtesë shumëmilionëshe, e vendosur në 12.4 hektarë në lagjen “Arbëri” të Prishtinës,

“Ndërtesa e Ambasadës së SHBA-së nuk prezanton vetëm platformën diplomatike të qeverisë amerikane, por gjithashtu rrit misionin e saj për të siguruar një shembull të sigurt, të qëndrueshëm dhe teknologjikisht të avancuar të arkitekturës, inxhinierisë dhe dizajnit urban amerikan”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Ambasadës./ KultPlus.com

Të ngjajshme