Së shpejti pritet të jetë gati karantina e parë në Prishtinë

17 Mars, 2020 - 6:55 pm

Ministri i Shëndetësisë, në një konferencë për media ka bërë të ditur se së shpejti do të jetë gati karantina e parë në Prishtinë.

Kjo do të shfrytëzohet për personat që vijnë nga jashtë dhe paraqesin rrezik potencial për përhapje të virusit.

“Do t’a kemi karantinën e parë gati (në Prishtinë) për personat e ekspozuar ndaj rrezikut në momentin që për një masë të tillë ka nevojë dhe kemi opsione edhe për të tjera jashtë Prishtinës;

Kjo masë vlen për personat që vijnë nga jashtë dhe paraqesin rrezik potencial për përhapje të virusit”, ka thënë ai.

Më poshtë mund të gjeni detaje të shumta që ka dhënë miinistri për ditët e fundit ku numri i të prekurve nga virusi korona është rritur në Kosovë, në 17.

Adresimi i sotëm i Ministrit Arben Vitia në konferencën për media lidhur me situatën epidemiologjike në Kosovë.


Me qëllim të ndarjes më të shpejtë të saj me publikun, po ua përcjellim të plotë.

Ministri Vitia:

Dëshirojmë të ju falënderojmë për angazhimin tuaj të pakursyer për të informuar popullatën lidhur me zbatimin e masave të ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për menaxhimin e rasteve me Koronavirus Covid-19 dhe situatës epidemiologjike në tërësi pas vendimit të Qeverisë për shpalljen e gjendjes emergjente të shëndetësisë publike.

Ashtu siç jeni informuar në vazhdimësi deri më sot, në Kosovë, përmes Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar gjithsej 271 mostra të dyshimta në Covid-19 dhe gjithsej shtatëmbëdhjetë (17) prej tyre kanë rezultuar pozitive (+).

Informatat nga Klinika Infektive e QKUK-së janë se gjendja e të prekurve që po trajtohen në Klinikë (10 pacientë) është stabile dhe me përjashtim të njërit prej pacientëve, më të moshuarit, që kohë pas kohe, po asistohet me oksigjeno terapi, pacientët e tjerë janë duke marrë një trajtim mjekësor mbështetës dhe janë në gjendje stabile.

Dy (2) prej të hosipitalizuarve më parë janë liruar në shtëpi, në gjendje stabile shëndetësore dhe do të qëndrojnë në vetkarantinë.
Duke shprehur një mirënjohje të veçantë për angazhimin e madh të punonjësve shëndetësore në trajtimin e të prekurve me koronavirus dhe në hulumtimin e rasteve të kontakteve të personave tashmë pozitiv dhe kontakteve të tyre, më lejoni të ju them se brenda mekanizmave për menaxhimin e situatës është një angazhim i madh i të gjitha ministrive, organizatave dhe pushtetit lokal për t’u ballafaquar në mënyrë sa më efikase me situatën.

Në këtë aspekt, ju informoj për disa veprime të menjëhershme të ndërmarra pas shpalljes së gjendjes emergjente të shëndetit publik nga Qeveria:

· Dje ka përfunduar procedura për kontraktimin e mjeteve mbrojtëse mjekësore për personelin shëndetësor si: maska-respirator FFP2, veshje mbrojtëse për trup, mburoja për fytyrë, çarqafë dhe mjete të tjera për personalin mjekësor dhe shërbimet e tjera mbështetëse si Polici, Dogana dhe të tjerët nga mjetet 400 000 euro të ndara më parë nga Qeveria;
· Me këto mjete do të kemi furnizime më të qëndrueshme për të gjitha institucionet e lartpërmendura, sepse siç e dini, rezervat që i kemi gjetur nuk kanë qenë të mjaftushme për një situatë si kjo.


· Gjithashtu, Qeveria ka alokuar 6.2 milionë euro për shfrytëzim të menjëhershëm prej shumës prej 10 milionë eurove për zbatimin e aktiviteteve të përfshira në Planin e Veprimit kundër Covid 19, për të siguruar mjete mbrojtëse për personalin shëndetësor, furnizimin e QKMF-ve në komuna dhe shërbimeve të tjera mbështetëse dhe siguruar vijimësinë e aktiviteteve kundër Covid-19;
· Javën që vjen në Kosovë do të vjen një kontigjent i mjeteve mbrojtëse dhe pajisjeve mjekësore-donacion nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
· Gjithashtu, OBSH ka ndarë një ndihmë në vlerë prej 7 milionë eurove; që do t’i përforcojnë furnizimet në institucionet shëndetësore;
· Banka Botërore ka ofruar mbështetje financiare për aktivitetet në masat kundër Covid-19 në vlerë prej 7.9 milionë eurove.
· Kanë filluar edhe donacione të ndryshme në materiale dhe mjetë të tjera të distributorëve lokalë, por edhe individëve si shenjë e solidaritetit me përpjekjet e përgjithshme të përbashkëta kundër Koronavirusit;
· SHSKUK ka shndërruar Klinikën Infektive tashmë në klinikë që do të shërbeje vetëm për rastet e Koronavirusit, derisa kapacitetet do të përforcohen edhe përmes lirimit të hapësirave të Klinikës së Pulmologjisë, Dermatovenerologjisë (pacientët e pulmos transferohen ne klinikën e Alergologjisë);
· Objekti i ri i Mjekësisë Sportive është duke u bërë gati gjithashtu për të shtuar kapacitetet edhe me rreth 100 shtretër të tjerë, që në total vetëm brenda këtyre shërbimeve (Infektiva, Pulmo, Derma dhe Mjekësia Spotive) na sigurojnë rreth 500 shtretër për një fluks eventual më të madh të pacientëve me Koronavirus;


· Spitaleve private u është kërkuar të vënë në dispozicion kapacitetet e tyre si: resurset humane, pajisjet dhe infrastrukturën, nëse do të ketë nevojë dhe, qysh sot kemi marrë përgjigjet e para pozitive;


· Do t’a kemi karantinën e parë gati (në Prishtinë) për personat e ekspozuar ndaj rrezikut në momentin që për një masë të tillë ka nevojë dhe kemi opsione edhe për të tjera jashtë Prishtinës;

· Kjo masë vlen për personat që vijnë nga jashtë dhe paraqesin rrezik potencial për përhapje të virusit;


· Kemi regjistruar vetëm dje rreth 150 vullnetarë të profileve të ndryshme mjekësore (shumica) dhe jo-mjekësore, të gatshëm për t’u inkuadruar qysh sot në shërbim, dhe kemi bërë edhe Komisionin në MSh i cili bën distribuimin e vullnetarëve sipas nevojave në terren. Indeksonline / KultPlus.com

Të ngjajshme