10 Gusht, 2025 - 1:38 pm
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujtoi sot në 160-vjetorin e lindjes poetin, etnografin dhe publicistin e shquar arbëresh, Zef Skiroi.
Zef Skiroi (Hora e Arbëreshëvet, 10 gusht 1865 – Napoli, 17 shkurt 1927) ishte poet, gjuhëtar, folklorist, etnograf, gazetar dhe publicist i shquar arbëresh. Krijimtaria e tij dhe e bashkëkohësve Gavril Dara dhe Jeronim De Rada, përbëjnë triptikun e poemave arbëreshe në letërsinë romantike shqiptare.
Në moshën 9-vjeçare, ai shkroi një vjershë kushtuar Skënderbeut, duke hapur kështu sfondin e veprave të veta të mëvonshme. Studimet i kreu në Seminarin Shqiptar të Palermos, ku u formua me traditën e kulturës shqiptare, si dhe të asaj klasike (Dante, Servantesi, Gëte, Shileri etj.).
Më 1887, së bashku me Françesk Petën, themeluan në Palermo revistën “Arbëri i ri”, si dhe botoi përmbledhjen e parë me vjersha.Skiroi mbaroi studimet për drejtësi më 1890 dhe po këtë vit u emërua “docent” i letërsisë antike në liceun “Garibaldi” të Palermos.
Në qendër të veprës së tij, Skiroi kishte çështjen kombëtare. Periodiku “Arbri i ri”, që pa dritën e botimit në sajë të përpjekjeve të tij, do të shërbente si një busull identitare për arbëreshët dhe si një tribunë e krijimtarisë së autorëve të këtij komuniteti.Në moshën 35-vjeçare arriti të merrte vendin e titullarit të Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe, të hapur pranë Institutit Mbretëror Oriental të Napolit.
Vepra e tij kryesore ishte “Te dheu i huaj”, e cila, siç do të shprehej edhe Eqrem Çabej, do të ishte njëfarë himni kombëtar i shqiptarëve të Italisë.Më pas, ai vazhdoi veprimtarinë albanologjike në Napoli me botime, leksione dhe pjesëmarrje në kongrese. Veprat kryesore të tij janë: “Mili e Hajdhia”, “Te dheu i huaj” dhe “Mino”.
Zef Skiroi vdiq në Napoli, në vitin 1927./atsh/KultPlus.com