17 vite më parë vdiq aktori i madh shqiptar Kadri Roshi

6 Shkurt, 2024 - 10:37 am

Lindi më 4 janar 1924 në Ballsh të Mallakastrës, i biri i Maksut dhe Sabrie Roshit, me prejardhje nga Libohova. E ëma i vdiq kur ishte 2 vjeç dhe më pas kur ishte 12 vjeç i vdiq edhe i ati .

Përfundoi studimet e larta në Zagreb të Kroacisë. Ai, e filloi karrierën e tij si praktikant, pastaj si aktor në Teatrin Popullor në moshën 21-vjeçare duke qenë një ndër krijuesit e këtij teatri.

Që nga ajo kohë dhe deri sot ai numëron rreth 180 role në skenë dhe kinematografi, të cilat përbëjnë një jetë të madhe artistike, ku ndërthuren vështirësitë e një jete prej jetimi, çiraku, portieri kinemaje dhe deri tek aktori origjinal me portretin e njeriut të fisëm. Në krah ka pasur gjatë gjithë kohës aktorët e brezit të tij Drita Pelingu, Violeta Manushi, Tinka Kurti, Reshat Arbana, Marika Kallamata, etj.

Nga shumëkush është konsideruar si legjenda e skenës dhe ekranit shqiptar. Ai ka qënë një aktor brilant dhe me një talent të lindur.

Në vitin 1995 është nderuar me Çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik, në vitin 1997 me Çmimin e Madh të Nderit. Ai është “Nderi i Kombit” nga viti 1999. Emri i Kadri Roshit është një kolos për filmin dhe teatrin shqiptar, ku ai la figura të spikatura që nuk do të harrohen kurrë.

Filmat në të cilat mori pjesë janë: Kolonel Bunker (1998), Kaskadori shqiptar (1998), Mirupafshim (1997), Ali Pash Tepelena (1997), Tingujt e harresës (1996), Plumbi prej plasteline (1995), Ditët e shkurtra (1995), Një ditë nga një jetë (1994), Dhelpra dhe rrushte, Vdekja e burrit (1991), Fletë të bardha (1990), Misioni përtej detit (1988), Pesha e kohës (1988), Rikonstruksioni (1988), Kur ndahesh nga shokët (1986), Rrethimi i vogël (1986), Dasma e shtyrë (1984), Fejesa e Blertës (1984), Apasionata (1983), Era e ngrohtë e thellësive (1982), Dëshmorët e monumenteve (1980), Partizani i vogël Velo (1980), Ballë për ballë (1979), Këshilltarët (1979), Liri a vdekje (1979), Gjeneral gramafoni (1978), Njeriu me top (1977), Shëmbja e idhujve (1977), Fije që priten (1976), Lulekuqet mbi mure (1976), Përballimi (1976), Tokë e përgjakur (1976), Kur zbardhi një ditë (1971), Malet me blerim mbuluar (1971), I teti ne bronz (1970), Tana (1958).

 Ai vdiq më 6 shkurt të vitit 2007 në Tiranë./ KultPlus.com

Të ngjajshme