172 vite nga vdekja e Edgar Allen Poe

7 Tetor, 2021 - 11:00 am

Edgar Allen Poe ishte shkrimtar amerikan. Ai e themeloi literaturën e krimit, zhanrin shkencë fiksion dhe të horrorit. Poe ka qenë një nga poetët më të përkthyer në të gjitha vendet e botës, shkruan KultPlus.

Edgar Allan Poe lindi më 19 janar 1809 në Boston, SHBA dhe vdiq më 7 tetor 1849 në Baltimore, Maryland. Besohet se ja vunë emrin e një prej personazheve në një nga dramat e Shakespeare, në të cilën prindërit e tij po e performonin vitin kur ai lindi.

Jeta e Edgar Allen Poe kishte filluar mes mjerimit dhe braktisjes, ai u adoptua nga një familje e pasur ku jetoi vetëm për pak kohë. Jeta e tij ishte e mbushur me probleme të shumta. Megjithatë, kudo që shkonte, ai shkëlqente me talentin e tij,  imagjinata e tij ishte mjaft e pasur me të vërteta të pathëna më parë.

Ai shkroi dramën e tij të parë “Politian” dhe më pas një histori të shkurtër të titulluar “I gjendur në një shishe”, me anë të së cilës fitoi vëmendjen e John P. Kennedy, një novelist mjaft i njohur nga Baltimora, me ndihmën e të cilit Poe fitoi një vend pune në një gazetë të njohur të asaj kohe. Gjatë viteve në vazhdim, Poe vazhdoi të punonte në gazeta dhe revista të shumta, si një asistent publikimesh dhe si kritik. Në vitin 1839 ai publikoi veprën e tij “Tregime groteske dhe arabeske” të ndarë në dy vëllime, vepër kjo e cila mori vlerësime të ndryshme.

Poe dhe veprat e tij ndikuan në letërsinë e Shtetetve të Bashkuara dhe në mbarë botën. Poe dhe vepra e tij shfaqen në të gjithë kulturën popullore në letërsi, muzikë, filma dhe televizion. Fan Noli kishte përkthyer në shqip dy poemat më të njohura të tij: “Korbi” dhe “Anabel Li”. 

Me 3 tetor ai u gjet në rrugët e Baltimore në gjendje të rënd shëndetësore dhe u dërgua në Kolegjin Mjekësor të Washington, ku edhe vdiq të dielën, me 7 tetor 1849. /KultPlus.com

Të ngjajshme