8 Shtator, 2025 - 7:15 pm
Më 8 shtator shënohet përvjetori i lindjes së Joseph Étienne Frédéric Mistral, poetit të madh francez, i cili u nderua me Çmimin Nobel për Letërsi në vitin 1904. I lindur në vitin 1830 në Maillane të Francës jugore, Mistral u bë një nga figurat më të shquara të letërsisë europiane, duke mbetur përjetësisht i lidhur me rrënjët e tij provansale dhe me pasionin për gjuhën oksitane, transmeton KultPlus.
Qysh në rini ai tregoi dashurinë e thellë për traditën dhe folklorin e vendlindjes. Në një kohë kur frëngjishtja po dominonte jetën kulturore dhe politike të Francës, Mistral u angazhua në ringjalljen e gjuhës provansale, duke e ngritur atë në nivel të lartë poetik e duke i dhënë dinjitetin e humbur. Ai ishte një nga themeluesit e lëvizjes letrare Félibrige, e cila synonte të ruante dhe zhvillonte gjuhën oksitane.
Ndër veprat e tij më të njohura janë “Mirèio” (Mireio), një poemë epike e botuar më 1859, që fitoi menjëherë vlerësime të gjera dhe u konsiderua si kryevepra e tij, si dhe “Calendal” (1867), një tjetër poemë epike që ngërthen mitin dhe historinë e rajonit të tij. Mistral, përveç krijimtarisë poetike, dha një kontribut madhor edhe në fushën e gjuhësisë, duke hartuar fjalorin e madh provansal-frëngjisht, “Lou Tresor dóu Felibrige”, i cili mbetet një thesar i pazëvendësueshëm i kulturës oksitane.
Nobeli i vitit 1904 iu dha për “forcën e re kreative të frymëzuar nga dashuria për atdheun dhe për gjuhën e tij amtare”, duke ndarë çmimin me spanjollin José Echegaray. Ky nderim e shndërroi Mistralin në një simbol të gjallë të ruajtjes së identitetit kulturor përmes artit dhe fjalës.
Frédéric Mistral u nda nga jeta më 1914, por trashëgimia e tij vijon të frymëzojë gjenerata të reja krijuesish dhe studiuesish. Ai mbetet një zë i fuqishëm i letërsisë europiane, i cili dëshmoi se dashuria për gjuhën amtare është një formë e lartë e dashurisë për lirinë dhe njerëzimin./KultPlus.com